Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur të rrezojë vendimin që i jepte grupit turk “Vendeka Bilgi” koncesionin e Rrugës së Kombit.

Fitues zyrtar tashmë është grupi shqiptar i përbërë nga kompanitë “Kastrati” dhe “Salillari”, i cili u rendit në vendin e dytë në tender. Lajmi është konfirmuar nga Komisioni i Prokurimit Publik, si dhe Ministria e Transporteve. 

Vendimi i KPP erdhi pasi konsorciumi shqiptar ankimoi për parregullsi rezultatin e tenderit. Sipas animimit, grupi turk nuk plotësonte kriteret e përcaktuara në kontratën koncesionare.
 
Nga ana tjetër, në ankimim pretendohej se edhe çmimi i ofruar nga konsorciumi turk është mjaft më i lartë se i kompanisë shqiptare. Oferta e grupit shqiptar parashikon 8 milionë euro më pak subvencione nga buxheti. Po ashtu parashikon edhe të vjelë 175 milionë euro më pak nga qytetarët nga tarifa për kalimin e segmentit Kukës Morinë. 

Sipas këtij konsorciumi, kompania e renditur e para nuk plotësonte kriteret ligjore dhe kishte ofruar një çmim më të lartë për buxhetin dhe qytetarët për të kryer shërbimin e mirëmbajtjes.

Pas pezullimit për dhjetë ditë të zbatimit të kontratës koncesionare, APP ka vlerësuar të drejtë animimin e grupit shqiptar duke rrëzuar vendimin e parë.
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com