Ndryshon harta e varfërisë/ Qytetet
ku shpenzohet më shumë...e më pak

Ndryshon harta e varfërisë/ Qytetet<br />ku shpenzohet më shumë...e më pak
Anketa e Buxhetit të Familjes e publikuar nga INSTAT mundëson analizën e të dhënave statistikore në 12 qarqe. Qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum krahasuar me të gjitha qarqet e tjera: Një familje në qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 81.656 lekë në muaj.

Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum pas qarkut të Tiranës janë Lezha dhe Shkodra me shpenzime mesatare mujore për konsum përkatësisht 78.811 dhe 76.509 lekë në muaj për NjEF.

Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Vlorës dhe i Elbasanit përkatësisht me 54.931 dhe 53.013 lekë në muaj për familje.

Shpërndarja e shpenzimeve për konsum sipas raportit 10/90
Raporti i të cilëve shpreh nivelin e pabarazisë së shpenzimeve për konsum si raport i shpenzimeve mesatare për konsum të 10 përqindëshit të popullsisë që shpenzon më shumë për konsum ndaj shpenzimeve mesatare për konsum të 90 përqindëshit të pjesës tjetër të popullsisë.

Një analizë e shpërndarjes së nivelit të shpenzimeve për konsum sipas decileve tregon se 90 për qind e NjEF( Njesive familjare) shpenzon 78,5 për qind të vlerës së konsumit gjithsej, me një mesatare të shpenzimeve për konsum prej 60.548 Lekë në muaj për NjEF, ndërsa 10 përqindëshi tjetër i NjEF shpenzon 21,5 përqind të konsumit gjithsej me një shpenzim mesatar prej 149.510 Lekë në muaj për NjEF. I shprehur nëpërmjet treguesit të raportit të decileve 10/90, shpenzimet mesatare për konsum të 10 përqindëshit të NjEF me shpenzime më të larta është 2,5 herë më i lartë se 90 përqindëshit tjetër i NjEF.

Nëse do t’a shohim të njëjtin fenomen nga këndvështrimi i shpenzimeve të konsumit për frymë, rezulton se shumica e popullsisë që korrespondon me 90 përqind të NjEF shpenzon mesatarisht 16.746 Lekë në muaj për frymë, ndërsa pjesa tjetër që korrespondon me 10 përqind të NjEF shpenzon mesatarisht 61.047 në muaj për frymë ose 3.6 herë më shumë, matur me raportin e decileve.

Shpërndarja e shpenzimeve mesatare të konsumit sipas tipit të familjes
Niveli dhe struktura e shpenzimeve për konsum ndryshojnë në varësi të madhësisë dhe përbërjes së NjEF që ndikojnë në mënyrën e shpërndarjes së buxhetit të disponueshëm. NjEF e përbëra nga një person i vetëm me fëmijë në varësi shpenzojnë më shumë për ushqim krahasuar me tipet e tjera. Shpenzimet për veshje dhe këpucë janë më të larta në NjEF e përbëra nga një person i vetëm me fëmijë në varësi dhe dy të rritur me fëmijë. Prezenca e fëmijëve në NjEF të përbëra nga dy të rritur apo më shumë dhe me fëmijë sjell shpenzime më të larta në transport. Shpenzimet më të larta për arsim regjistrohen në NjEF e përbëra nga tre ose më shumë të rritur pa fëmijë ndjekur nga personat që jetojnë vetëm.
 
Struktura e shpenzimeve mesatare mujore për konsum të NjEF është paraqitur sipas ndarjes në 12 grupet kryesore të konsumit.
 
Grupi “Ushqime dhe pije jo­alkoolike” mbetet një element i rëndësishëm në buxhetin familjar duke zënë 44,3 përqind të tij. Në këtë grup mund të veçohen tre nëngrupe që zënë peshën më të madhe në shpenzimet për ushqim: “mish dhe nënprodukte”, “bukë dhe drithëra”, “qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë” që përbëjnë secili rreth 20 përqind të buxhetit brenda grupit respektiv. Nëngrupet që vijnë më pas janë “perimet”, që zënë 14,3 përqind të grupit kryesor dhe “frutat” që zënë 7,6 përqind të tij.
 
Përsa i përket grupit “Pije alkoolike dhe duhan”, rezulton se shpenzimet për këtë grup përbëjnë 3,6 përqind të buxhetit, ku “duhani” zë një peshë prej 54,8 përqind brenda grupit. Grupi “Restorante dhe hotele” që përfaqëson konsumin jashtë shtëpisë përbën 3,2 përqind të buxhetit të NjEF shqiptare. Brenda grupit, përqindjet e shpenzimeve për restorante përbëjnë pjesën më të madhe 85,2 përqind ndërsa shpenzimet për hotele 14,8 përqind.
 
Në grupin “Veshje dhe këpucë”, shpenzimet për të cilin zënë 5,1 përqind të buxhetit total, “veshjet” zënë një peshë prej rreth 72,4 përqind ndërsa nëngrupi “këpucë dhe të ngjashme” 27,2 përqind. Grupi i shpenzimeve për banesën, me shpenzimet për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qira të paguar dhe riparime të vogla zë 10,2 përqind të totalit të buxhetit familjar. Rreth 43,6 përqind e këtyre shpenzimeve shkojnë për pagesën e energjisë elektrike dhe 27,4 përqind për përdorimin e lëndëve të tjera si gaz, naftë, dru zjarri etj. Shpenzimet që shkojnë për nëngrupin “qira e paguar”, ka një peshë prej vetëm 8,2 përqind por përqindja e NjEF që deklarojnë se paguajnë aktualisht qira për banesën e tyre është vetëm 4,1 përqind. Brenda grupit “Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtja e tyre” i cili zë rreth 5,4 përqind në strukturën e shpenzimeve mesatare mujore, peshën më të madhe e zënë artikujt shtëpiakë joafatgjatë, rreth 71 përqind.
 
Buxheti që NjEF i dedikojnë grupit “Shëndet”, i cili përfshin shpenzimet për kujdes shëndetësor, zë një peshë prej 4,8 përqind. Peshën më të madhe e zë blerja e medikamenteve me rreth 75,7 përqind. Ndër shpenzimet për arsim, të cilat zënë 4,2 përqind të buxhetit gjithsej, peshën më të madhe e zënë pagesat në lidhje me kategorinë “Master (niveli i parë dhe i dytë)” me 58,8 përqind. Në grupin “Komunikim”, me një peshë prej 3,3 përqind, pothuajse të gjitha shpenzimet e kryera nga NjEF i përkasin nëngrupit “shërbime telefonike”, duke zënë 97,2 përqind brenda grupit ndërsa pjesën tjetër e zë nëngrupi “shërbime postare” me 2,8 përqind.
 
Shpenzimet e bëra në grupin “Transport” zënë 6,8 përqind të buxhetit gjithsej. Peshën më të madhe brenda këtij grupi e përbëjnë “shpenzimet për karburantë dhe lubrifikantë”, 56,1 përqind ndjekur nga “pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë”, 19,0 përqind. Më pas vijnë shpenzimet për nëngrupin “shërbim transporti” 17,7 përqind, ku përfshihet transporti rrugor, ajror, detar dhe lumor ndër të cilat pjesën më të madhe e zënë shpenzimet për transport rrugor, rreth 76 përqind të nëngrupit.
 
Shpenzimet që NjEF i dedikojnë grupit “Të tjera mallra dhe shërbime” zënë një peshë prej 6,0 përqind të buxhetit total. Peshën më të madhe në këtë grup e zë nëngrupi “artikuj dhe produkte për kujdes personal”me 49,7 përqind. Shpenzimet e tjera në këtë grup shkojnë për nëngrupet “shpenzime të jashtëzakonshme” të kryera nga NjEF në raste ceremonish dhe festash, “pagesat për shërbime të ndryshme financiare private” dhe “sigurimet”. /Tema/

Redaksia Online
(a.a/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

'Po ku ka si ty o Shqipëria ime'/ Emigrantët e kthyer po realizojnë ëndrrën në atdhe, Rama njofton turin me shqiptarët në Europë

'Po ku ka si ty o Shqipëria ime'/ Emigrantët e kthyer po realizojnë ëndrrën në atdhe, Rama njofton turin me shqiptarët në Europë