2017 do të jetë një vit i rëndësishëm për drejtësinë shqiptare. Është ky paralajmërimi i ministrit të drejtësisë, Ylli Manjani, i cili në një postim në rrjetin social Facebook ndalet në disa pritshmëri që do të ndodhin përgjatë këtij vitit.

Aktualisht Ministria dhe Drejtoria e Burgjeve sipas Manjanit janë duke u përgatitur për lirimin e personave që përfitojnë nga amnistia tashmë e miratuar dhe pritet të jetë në fuqi brenda pak ditësh.

Inspektimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve sqaron Manjani me ndryshimet ligjore nga ministria kalojnë tek Inspektori i përgjithshëm që pritet të zgjidhet nga parlamenti, e për të sipas Manjanit janë gati një sërë dosjesh dhe do ti kalohen sapo ai të përzgjidhet.

Manjani ndalet dhe tek procedura penale e cila sipas tij ende ka përmbajtie që vjen nga një e shkuar e largët.

"Sistemi i sotëm i drejtësisë penale prodhon më shumë arrestime, sesa hetime. Nxitimi për të njoftuar në Televizor arrestime vazhdon të jetë i dëmshëm, sepse nuk nxit (në mos pengon) faktimin me prova të ngjarjeve kriminale. Arrestimi mbi dyshim (pa prova) është efektivisht dënim edhe nëse në gjykim provohet pafajsia! Kjo është sindroma e “drejtësisë popullore” që vjen nga e shkuara", mbyll postimin e tij Ministri i drejtësisë.

Ndërkohë ndryshimet në Kodin Penal dhe Procedurën penale janë ende në fazën e draftit ku është parashikuar që të dënuarit të cilëve u ka mbetur më pak se tre vite për të shlyer dënimin mund të aplikojnë për ta konvertuar atë në pagesën e çdo ditë burgu me 5000 mijë lekë.

Ndalur tek procedura penale për herë të parë propozohet në nenin 15 që askush të mos i nënshtrohet arrestit me burg nëse ndaj tij apo asaj nuk ka një provë të vetme, ndaj grave shtatzëna si dhe ndaj grave mbi 60 vjeç e burrave mbi 65 vjeç.

Një tjetër risi që propozohet në Kodin e Procedurës Penale është dhe aplikimi i barrës hipotekore si garanci që i pandehuri vendos përballë institucioneve shtetërore për të mos ju shmangur hetimit si dhe detyrimi i prokurorit që brenda tridhjetë ditëve të paraqesë në gjykatë kërkesën për gjykim për çdo të arrestuar.