TIRANE - Ngacmim seksual nuk konsiderohet më vetëm një shqetësim i hapur i punëdhënësit, por madje edhe një gjest apo veprim simbolik. Kodi i Ri i punës ka ashpërsuar rregullat në këtë drejtim, duke e konsideruar ngacmim seksual çdo formë të padëshiruar sjelljeje, e shprehur me fjalë ose veprime fizike e simbolike që kryhet kundrejt një punëmarrësi dhe punëdhënësi ose midis dy punonjësve.

Një nga ndryshimet thelbësore të kodit të Punës, të miratuara dje nga Këshilli Kombëtar i Punësimit, ka të bëjë me zgjatjen e orarit të punës që mund të kryejë një punëmarrës. Sipas draftit të ri, përcaktohet se java e punës është 48 orë bashkë me orët shtesë, ndërsa më parë sanksionohej se kohëzgjatja normale e një dite pune është 8 orë.

Ndërkohë që kodi i ri i Punës përcakton edhe maksimumin e orëve shtesë që mund të bëhen gjatë një viti kalendarik, që tashmë janë 200 orë shtesë, ndërsa më parë ata liheshin në dorë të kontratës individuale që nënshkruhej mes punëmarrësit dhe punëdhënësit.

Ndryshimet e reja të kodit të punës përcakton se kur dita e festës zyrtare bie ditë pune, ajo paguhet me 125 për qind të pagës, po kur dita e festës zyrtare i bie ditën e pushimit ajo nuk zëvendësohet të hënën. Kodi i ri i punës parashikon më shumë mbrojtje për gratë shtatzëna për të cilat rritet koha e lejes së paslindjes me pagë të plotë, si dhe edhe burrat kanë të drejtë të marrin deri në 4 muaj leje për kujdes për fëmijët e tyre deri në 6 vjeç.

Gjithashtu Kodi i ri i Punës parashikon për herë të parë rregullat për telepunën, ose punën që zhvillohet në shtëpi, një dukuri kjo e re në vendin tonë." Risitë kryesore të kodit të punës janë që në Shqipëri me kod pune futet edhe tele-puna. Për herë të parë diskriminimi në punë, ngacmimi seksual i jepet një rëndësi tepër e veçantë dhe ky kod i jep mbrojtje punëmarrësve.

Ndryshimet e bëra në nenin për të drejtën e pagës në ditët e festave zyrtare vetëm kur ato bien në ditë pune, lehtësojnë koston e punës për punëdhënësit, duke e përmirësuar klimën e biznesit, dhe duke e përputhur atë me praktikën evropiane.

Kodi parashikon kohën maksimale javore e punës, e cila së bashku me orët shtesë, është jo më shumë se 48 orë dhe se maksimumi i orëve shtesë në vit për një punëtor nuk mund të jetë më shumë 200 orë", ka deklaruar ministri Ksera.

Por kreu i konfederatës së sindikatave, Kol Nikollaj, nuk ka mbetur i kënaqur nga këto ndryshime. Sipas tij ende ka shumë gjëra të paqarta. "KKP, nuk mori në konsideratë propozimin e KSSH, për përcaktimin ligjor se kush quhet Konfederatë Federale apo Sindikatë kombëtare, përcaktimi i ligjore i përfaqësueshmërisë sindikale për kontraktimin kolektiv. Njohja ligjore e grevës lokale dhe përjashtimi i të ardhurave sindikale nga tatimet", thotë Nikolli

(Lajmi u publikua dje në orën 22:15 dhe u përditësua sot në 10:00)

(Gre.M/eç/Shqiptarja.com)