Ndryshon ligji/ 775 vende të lira në Polici, ja cilat janë kushtet për t’u bërë pjesë

Ndryshon ligji/ 775 vende të lira në Polici, ja cilat janë kushtet për t’u bërë pjesë

Foto ilustruese

Një projektligj që po shqyrtohet në komisionet parlamentare dhe që pritet të miratohet së shpejti në Kuvend krijon menjëherë 775 vende të lira në Policinë e Shtetit. Nisma për disa ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit parashikon 315 vende vakante për pozicionin nënkomisar si dhe 360 vende të lira për funksione të veçanta në Policinë e Shtetit. Në të dy rastet, kandidatët duhet të pranohen fillimisht në Akademinë e Sigurisë dhe të përfundojnë me sukses kualifikimin përkatës. Nisma parashikon që të gjithë personat që kanë mbaruar arsimin e lartë mund të konkurrojnë për t’u pranuar në Akademinë e Sigurisë, të cilët më pas emërohen në detyrë dhe marrin menjëherë gradën nënkomisar. “Për nevoja të Policisë së Shtetit, pranohen në Akademinë e Sigurisë shtetas që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni.

Kandidati që përfundon me sukses kualifikimin përkatës pranohet në Policinë e Shtetit dhe i jepet grada policore “Nënkomisar”, thuhet në projektligj. Gjithashtu, projektligji zgjeron numrin e personave që pranohen në Akademinë e Sigurisë dhe më pas emërohen në Policinë e Shtetit, për funksione të veçanta në polici, ku kërkohen njohuri specifike. Ligji në fuqi parashikon që numri i këtyre personave të pranuar, nuk mund të jetë më shumë se 1 për qind e limitit të përgjithshëm organik të Policisë së Shtetit. Projektligji parashikon që ky numër mund të jetë deri në 3 për qind e limitit të përgjithshëm organik të Policisë së Shtetit. Ky ndryshim e çon numrin e pranimeve të personave të profesioneve të ndryshme në 360.

Në të dy rastet kandidatët nuk duhen të jenë dënuar me vendim gjykate për kryerjen e një krimi, duhet të jetë në gjendje të mirë shëndetësore, të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B etj. Ndërkaq, për kandidatët që do të rekrutohen për funksione të veçanta në Policinë e Shtetit duhet të kenë përvojë pune jo më pak se 5 vjet në fushën përkatëse. Personi që shpallet fitues pranohet në këto funksione pas përfundimit të kualifikimit në Akademinë e Sigurisë dhe i jepet grada që i korrespondon funksionit ku do të emërohet.

Policia hap dyert për ushtarakët

Ndryshimi më i rëndësishëm në ligjin për Policinë e Shtetit është krijimi i mundësisë që ushtarakët të bëhen pjesë e policisë. Projektligji parashikon që “për plotësimin e nevojave të veçanta, mund të pranohen në Policinë e Shtetit ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të nenit 38, të këtij ligji”. Për ushtarakët e shërbimit të përkohshëm të Forcave të Armatosura, pranimi realizohet me pëlqimin e ushtarakut dhe mbi bazë marrëveshjeje dypalëshe, ndërmjet Ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, ku përcaktohen kuotat, strukturat dhe funksionet e veçanta nga ku do të pranohen. Në çdo rast, pranimi bëhet pas nxjerrjes në lirim nga Forcat e Armatosura të ushtarakëve nga autoritetet kompetente të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

Vendet e lira

Një projektligj që po shqyrtohet në komisionet parlamentare dhe që pritet të miratohet së shpejti në Kuvend krijon menjëherë 775 vende të lira në Policinë e Shtetit.

Ushtarakët

Ndryshimi më i rëndësishëm në ligjin për Policinë e Shtetit është krijimi i mundësisë që ushtarakët të bëhen pjesë e policisë, pas nxjerrjes në lirim nga Forcat e Armatosura.

Kriteret për t’u pranuar në Akademi për t’u bërë nënkomisar

  1. Të jetë shtetas shqiptar;
  2. Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare, apo të jetë larguar nga shërbimi civil;
  3. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  4. Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
  5. Të kenë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë
  6. Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
  7. Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
  8. Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B;
  9. Të jetë pajisur me vërtetimin e besueshmërisë.
  10. Të plotësojë standardet dhe kriteret e tjera të veçanta, mbi bazën e konkurrimit, të përcaktuara nga Akademia e Sigurisë dhe të miratuara nga ministri i Brendshëm.

Kriteret për t’u pranuar në Akademi për funksione të veçanta të policisë

Të jetë shtetas shqiptar;

Të mos jetë i përjashtuar nga policia ose të jetë larguar nga shërbimi civil;

Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;

Të ketë përfunduar arsimin e lartë përkatës;

Të ketë përvojë pune jo më pak se 5 vjet në fushën përkatëse;

Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;

Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B.

Si bëhet pranimi i ushtarakëve në Policinë e Shtetit

1. Për plotësimin e nevojave të veçanta, mund të pranohen në Policinë e Shtetit ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të nenit 38, të këtij ligji.

2. Për ushtarakët e shërbimit të përkohshëm të Forcave të Armatosura, pranimi realizohet me pëlqimin e ushtarakut dhe mbi bazë marrëveshjeje dypalëshe, ndërmjet Ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, ku përcaktohen kuotat, strukturat dhe funksionet e veçanta nga ku do të pranohen.

3. Në çdo rast, pranimi sipas pikës 1, të këtij neni, bëhet pas nxjerrjes në lirim nga Forcat e Armatosura të ushtarakëve nga autoritetet kompetente të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

4. Pranimi realizohet mbi baza konkurrimi, procedurat e të cilit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike.

5. Kalimi nga strukturat e Forcave të Armatosura te Policia e Shtetit realizohet duke njohur ruajtur vjetërsinë e shërbimit.

6. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, miraton ekuivalentimin e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me gradat e Policisë së Shtetit.”.

7. Pranimi nga radhët e ushtarakëve të shërbimit të përkohshëm të Forcave të Armatosura duhet të bëhet në respektim të parimeve të organizimit dhe funksionimit të Forcave të Armatosura.

 

Faksimile e projekt-ligjit për policinë

( Kliko këtu ) për Pr-Ligjin e plotë për Policinë e Shtetit

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë