Një nga kërkesat është verifikimi nëse mjeti ka apo jo barrë fiskale, si dhe nëse dokumentet janë të regjistruara në DPSHTRR. Noterëve do t’u jepet e drejta që të hyjnë në rrjetin informatik, ku do të kenë akces për të verifikuar dokumentet. Nga ana tjetër Drejtoria Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor vërteton shkresat e në rast se shkresat nuk janë të vërteta bëhet bllokimi i mjetit.
Noterët
Sipas udhëzimit të posaçëm noteri verifikon gjeneralitetet e palëve. Fotokopjet e kartave të identitetit i bashkëngjit me kontratën me adresa të sakta sipas rregullave të përcaktuara nga aktet e brendshme të rregullimit të veprimtarisë së noterëve. “Verifikon numrin e identifikimit të mjetit në bazën e të dhënave aktive të ruajtura në Regjistrin e Barrëve Siguruese.
Nëse mjeti rezulton i lirë nga baza e të dhënave të Regjistrit të Barrëve Siguruese, nënshkruan kontratën dhe i bashkëngjit konfirmimin përkatës. Nëse mjeti rezulton me detyrim nga baza e të dhënave të Regjistrit të Barrëve Siguruese, njofton palët duke iu vënë në dispozicion edhe konfirmimin zyrtar të detyrimit përkatës.
Verifikon numrin e identifikimit të mjetit në bazën e të dhënave të DPSHTRR-së nëse dosja e mjetit është e bllokuar për arsye të ndryshme financiare dhe ligjore. Nëse dosja e mjetit është e lirë nënshkruan kontratën. Nëse është e bllokuar njofton subjektet e interesuara bashkë me arsyen përkatëse”, thuhet në udhëzimin e posaçëm.
Pas kësaj noteri dërgon në formë elektronike për njoftim kontratën e nënshkruar dhe të vulosur në adresat elektronike të DPSHTRR-së. Në rast të tejkalimit të afatit prej 10 ditësh nga data e nënshkrimit të kontratës së shitblerjes deri në kryerjen e shërbimit në sportelet e DPSHTRR-së për përditësimin e lejes së qarkullimit me ndryshimin përkatës palët njoftohen për gjobat që mund të marrin.
Përgjegjësitë e DPSHTRR-së
Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor miraton të drejtën për hyrje të çdo noteri ose zyre noteriale sipas kërkesave të këtyre të fundit, pasi të kenë konfirmuar se pranojnë dhe janë dakord me të gjitha kushtet dhe kriteret e përdorimit të sistemit, në bazën e të dhënave të saj me të drejtë për t’u konsultuar me mjetet nëse janë të bllokuara dhe arsyen e bllokimit.
“Në rast se DPSH-ja konstaton në qarkullim mjete për të cilat nuk është respektuar procedura e parashikuar në nenin 93 të Kodit Rrugor, pas verifikimeve me DPSHTRR-në për shitblerjen e tyre, merr masa për bllokimin e tyre nga qarkullimi. Këtyre mjeteve u tërhiqet leja e qarkullimit dhe i dërgohet zyrtarisht DPSHTRR-së, e cila merr masa për rinovimin e saj, me paraqitjen e zotëruesit në zyrat e DPSHTRR-së”, saktësohet në udhëzim.
Neni 3
Dokumentacioni që dorëzohet te noterët për mjet të regjistruar në DPSHTRR
1. Leje qarkullimi, e lëshuar nga DPSHTRR-ja në emër të pronarit aktual, në cilësinë e shitësit.
2. Certifikatë pronësie, e lëshuar nga DPSHTRR-ja në emër të pronarit aktual, në cilësinë e shitësit.
3. Dokument identifikimi ose prokurën e lëshuar nga palët kontraktuese së bashku me dokumentin e identifikimit të përfaqësuesit.
Neni 4
Dokumentacioni që dorëzohet te noteri për mjet të paregjistruar në DPSHTRR
1. Dokumentin e origjinës së mjetit me treguesit teknikë;
2. Dokumentin e fitimit të pronësisë në rast se subjekti që paraqet dokumentet përpara noterit nuk rezulton pronar i mjetit në dokumentin e përcaktuar në pikën 1;
3. Dokument identifikimi ose prokurën e lëshuar nga palët kontraktuese së bashku me dokumentin e identifikimit të përfaqësuesit.
Neni 6
Kontrata noteriale
Në formulimin e një kontrate noteriale, duhet të konsiderohen për përmbajtje dhe përshkim këto elemente:
1. Gjeneralitetet e plota të personave në cilësinë e shitësit dhe blerësit;
2. Adresat e vendbanimit të personave në cilësinë e shitësit dhe blerësit;
3. Të dhënat teknike të mjetit, si: targa, numri i identifikimit, lloji, marka, emërtimi tregtar, ngjyra;
4. Numri i serisë së lejes së qarkullimit dhe certifikatës së pronësisë vetëm kur mjeti është i regjistruar në DPSHTRR;
5. Përgjegjësitë ligjore dhe administrative;
6. Detyrimet financiare ndaj DPSHTRR-së;
7. Detyrimin që në një afat prej 10 ditësh nga data e nënshkrimit të kontratës së shitblerjes të evidentohet personi në cilësinë e blerësit si pronar i mjetit në lejen e qarkullimit, për të shmangur penalizimin nga organet e ngarkuara me ligj.
Ndryshojnë patentat, emrat do gdhenden në lazer. “Leje drejtimi” do të përkthehet në gjuhën e të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian
Patentat shqiptare do të ndryshojnë sërish. Në një udhëzim të posaçëm të ministrit të Transporteve dhe Infrastrukturës përcaktohet se lejedrejtimi duhet të përbëhet nga element të posaçëm ndërsa emri I personit që do ta marrë do të gdhendet me lazër. Në këtë mënyrë patentat do të jenë më të personalizuara si dhe sigurohet një mundësi për tu njohur në vendet e BE-së. Një tjetër element shtesë do të jetë përkthimi I fjalës “lejedrejtimi” në të gjitha gjuhët e vendeve të Bashkimit Evropian.
“Në anën e përparme në krahun e djathtë do të shkruhet fjala “lejedrejtimi” në gjuhët e Bashkimit Evropian, siç shkruhen në aneksin I, pika 3 e direktivës evropiane 2006/126/EC. Në anën e pasme, sfondi do të përmbajë fjalinë “MODEL I BASHKIMIT EUROPIAN” në gjuhën shqipe dhe angleze”, thuhet në udhëzim.
Në anën e përparme, sipër, midis shenjës dalluese të shtetit dhe emrit të shtetit lëshues do të shënohet fjala “LEJEDREJTIMI”, e shkruar me germa të mëdha. Poshtë saj do të shkruhet “DRIVING LICENSE”. Në anën e përparme, në krahun e majtë, mbi fotografinë e mbajtësit do të vendoset shenja dalluese e shtetit që e lëshon. Një element oval me ngjyrë të kuqe dhe që në brendësi të tij ka simbolin AL në ngjyrë të zezë. “Në anën e përparme, sipër, në krahun e djathtë do të shkruhet emri i shtetit lëshues “REPUBLIKA E SHQIPËRISË”.
Poshtë saj do të shkruhet “REPUBLIC OF ALBANIA””, saktësohet në udhëzim. Një tjetër risi do të jetë lënia e një hapësre të posaçme ku mund të shënohen masat ndaj personit që ka patentën. “Hapësirë e rezervuar për shënime të ndryshme nga DPSHTRR-ja me informacione të lidhura me administrimin e lejedrejtimit (opsional)”,thuhet në udhëzim përsa I përket përmbajtjes së patentës.
Siguria
Të dyja anët e lejedrejtimit do të kenë sfond kompleks me elemente kundër kopjimit me skanim dhe printim me efekt ylberi duke përfshirë “guilloche”. “Ngjyrat e përdorura duhet të jenë minimalisht 2 (dy) dhe nuk duhet të jenë pjesë e ngjyrave primare (CMYK). Ngjyra bazë do të jetë ngjyra rozë e shoqëruar me blu të hapur.
Në këtë sfond duhet të përfshihet dhe mikrotekst. Harta e Shqipërisë do të vendoset në anën e përparme djathtas me ngjyrë të ndryshueshme në varësi të këndit të shikimit. Në pjesën e pasme, majtas, do të ketë dhe barkod QR që do të përmbajë informacion lidhur me lejedrejtimin përkatës”, thuhet në udhëzim duke specifikuar dhe masat e reja të sigurisë.
Tashmë do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor që do të bëjë hartimin e termave të referencës lidhur me lëshimin e lejedrejtimit duke përfshirë gjithë procesin nga aplikimi deri në lëshimin e lejedrejtimit.
Materiali i kartës duhet të jetë:
a) Polikarbonat;
b) Me jo më pak se 4 (katër) shtresa;
c) Me jetëgjatësi jo më pak se 10 (dhjetë) vjet;
d) I përshtatshëm për gdhendje dhe personalizim me lazer.
Elementet e sigurisë
Të dhënat e personalizuara, të mbajtësit të lejedrejtimit, në anën e përparme dhe të pasme të lejedrejtimit mund të lexohen me sy.
Mikroteksti “REPUBLIKA E SHQIPËRISË” do të vendoset poshtë fjalëve “LEJEDREJTIMI” dhe “REPUBLIKA E SHQIPËRISË”.
Personalizimi i të dhënave të mbajtësit të lejedrejtimit do të kryhet me gdhendje me laser dhe me reliev. Shkrime të tipit mikrotekst (shkrime të imta të lexueshme me anë të zmadhimit me lupë herë 10). Elementet do të përcaktohen nga DPSHTRR-ja.
Elementet optike të ndryshueshme përcaktohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Në zonën e fotografisë të mbajtësit të lejedrejtimit, dizenjo e sigurisë e sfondit të lejedrejtimit dhe fotografia duhet të mbivendosen dhe ndërthuren në mënyrë graduale pa konture të dukshme.
Materiali prokat i lejedrejtimit duhet të jetë qartësisht i dukshëm nën rrezet ultraviolet (UV) dhe duhet të përmbajë element të tillë në dy anët e saj dhe i gjithë materiali të reagojë nën këto rreze.
Elemente shtesë:
- bojëra me ngjyra të ndryshueshme;
- bojë termokromike;
- elemente optike të ndryshueshme;
- pamje të ndryshueshme me lazer;
- bojë ultraviolet fluoreshente, të dukshme dhe transparente;
- printim me ngjyrat e ylberit;
- njolla uji dixhitale në sfond;
- pigmente me infra të kuqe apo fosforeshente;
- karaktere, simbole apo dizenjo të prekshme.
Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)