Ai që merr më shumë tatohet më shumë. Ky parim i politikës progresive theksohet edhe më shumë në ndryshimet që do të pësojë ligji për tatimin mbi të ardhurat.
Qeveria parashikon që për herë të parë të shtohet një fashë e re pagash që do të tatohet me 32%, dhe që janë të ardhurat mbi 8.04 milionë lekë në vit. Praktikisht çdo individ që merr pagë mbi 700 mijë lekë do të tatohet me 32% prej vitit që vjen.
“Nga kjo masë ndikohen drejtpërdrejt rreth 1 293 punonjës, të cilëve u rritet tatimi me 9% (nga 23% në 32%) për të ardhurat bruto mujore mbi 700 000 lekë. Kjo masë ka një efekt pozitiv për buxhetin prej 0,97 miliardë lekë”, thuhet në relacion.
Ndërkohë tek shtresa e mesme ka ulje të barrës tatimore. Pagat nga mbi 60 mijë lekë deri në 300 mijë lekë do të tatohen me 13%, deri më tani pagat nga 60-200 mijë lekë ishin pjesë e kësaj fashe tatimore.
Ndërsa tatimin 23% tashmë do ta paguajnë ata që kanë pagat nga mbi 300 mijë lekë deri në 700 mijë lekë. kurse aktualisht këtë normë tatimore e paguajnë ata që kanë rroga nën 200 mijë lekë.
“Rritja e pragut të aplikimit të normës 23% nga 200 000 në 300 000 lekë/muaj synon të lehtësojë barrën tatimore mbi punën e kualifikuar dhe profesionistët e shtresës së mesme, të cilët për shkak të rritjes nominale të pagave kishin kaluar në fashën 23%. Nga kjo masë përfitojnë drejtpërdrejt rreth 25 704 punonjës, të cilëve u ulet tatimi mbi pagën dhe u rriten të ardhurat neto”, thuhet në relacion.
Të pandryshuara mbeten vetëm dy fasha pagash. Do të vijojnë të mbeten të patatuara pagat deri në 50 mijë lekë, që është minimalja. Ndërsa për ato deri në 60 mijë lekë në muaj tatimi do të jetë 13% por vetëm për një pjesë të pagës prej 35 mijë lekësh.
Ndërkohë nga bizneset më herët i është kërkuar qeverisë që pagat deri në 60 mijë lekë të përjashtohen nga tatimi, pasi konsiderohen rroga të ulta.
Qeveria argumenton se kjo mënyrë e tatimit të pagave do t’u lë më shumë para në xhep qytetarëve, dhe se në buxhet do të ketë efekt negativ në të ardhurat që pritet të mblidhen nga ky tatim me rreth 1.1 miliardë lekë.
Lajmi kryesor:
Paketa fiskale 2027/ Ulet TVSH për ushqimet në 6%, rritet për turizmin, hotelet me 5 yje dhe agroturizmat! Norma e përgjithshme nga 20% shkon në 21%










