Një sulm i rëndë ka ndodhur gjatë natës pranë ambasadës së Izraelit në Beograd, ku një person i armatosur me dy thika plagosi gjatë natës një polic që ruante ambasadën e Izraelit në Beograd. Autori ishte një i mitur i cili u qëllua për vdekje nga oficeri, ndërsa autoritetet po e trajtojnë incidentin si një sulm terrorist. Lajmi u bë i ditur ditën e sotme nga ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç.
Sipas deklaratës së Daçiçit, autori i dyshuar është një i mitur, identiteti i të cilit ende nuk është përcaktuar, por që dyshohet se vjen nga qyteti i Shabacit.
“Një i mitur, identiteti i të cilit ende nuk është përcaktuar, por që dyshohet se është nga Shabaci, iu vërsul një efektivi të Xhandarmërisë, duke bërtitur ‘Allahu Akbar’, dhe e sulmoi me dy thika”, deklaroi Daçiç.
Ministri bëri të ditur se pas incidentit kishte urdhëruar ngritjen e nivelit të gatishmërisë së sigurisë në Serbi në nivelin e kuq, më të lartin e mundshëm. Ai njoftoi gjithashtu se do të shtohet prania e forcave të policisë në objektet dhe pikat me rëndësi të veçantë.
Efektivi i policisë pësoi një plagë të lehtë në kokë, ndërsa gjendja e tij nuk paraqitet si e rëndë, sipas informacionit të bërë publik nga ministri serb.
Ky është incidenti i dytë i këtij lloji pranë ambasadës izraelite në Beograd brenda dy viteve. Në qershor të vitit 2024, një sulmues plagosi në qafë me një hark me shigjeta një polic serb që ruante përfaqësinë diplomatike.
Ngjarja e fundit ndodhi një ditë pas zgjedhjeve në Izrael, ku rezultatet paraprake të projeksioneve tregonin një garë të ngushtë mes bllokut opozitar dhe kampit të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Ndërkohë, në Serbi lëvizja e udhëhequr nga studentët ka sjellë ndryshime në skenën politike të vendit, pas zgjedhjeve të së dielës, sipas raportimit fillestar. Megjithatë, administrata në largim vijon të qëndrojë në detyrë në cilësinë e një qeverie kujdestare, deri në formimin e qeverisë së re.









Komente
Komento