Jo rastësisht autoportreti i tij poetik fillon me poezinë “Autoportret”, për të vazhduar me vargjet kushtuar poetit tonë kombëtar At Gjergj Fishta, lirikat: “Zanafilla” e “Këngët e Solomonit”, duke shpërfaqur urtinë poetike të autorit e dhënë shenjat e leximit të kohës si dhe sinjalet magjepëse të një poeti cilësor dhe të konsoliduar si un njerëzor e letrar, dalluar për thellësinë shpirtërore, meditative dhe letrare.
Poezitë e Ndue Dedajt nuk janë thjeshtë reminishenca e as memorizime, ato janë tharmi i njohjes e vetënjohjes personale, shoqërore dhe kombëtare. Janë fusha të eksplorimit të shpirtit, kulturës dhe etnopsikologjisë sonë. Të tilla i vijnë lexuesit poezitë “Majekrahu”, “Shitojnë zanat”, “Mall për bjeshkët”, “Stoli e vjetër” etj., ku autori përmes reflektimeve dhe koloritit poetik na shpërfaqet si një mjeshtër i skalitjes së metaforës, simbolit, krahasimit, por edhe si një lëvrues i thekur i lirikës poetike.
Poezitë e tij nuk janë qortime shtiracake të realitetit, përkundrazi ato kundrojnë çastet e lumtura përmes racionalitetit letrar e jo qëndrimit utopik, nihilist e vajtues. Kulmi i kësaj mendësie dhe i këtij perceptimi poetik sublimohet me poezinë “Afresk dashurie”, që për mendimin tim është njëra ndër poezitë e tij më të arrira, lirikë e ngjizur thellë në tharmin e një lloj heshtjeje fisnike. Të po kësaj natyre janë edhe poezitë “Liqeni i luleve”, “Drandafillja”, “Grate pikturojnë puthjen”, “Troja nuk ra prej dashurisë” etj. Pra, thënë thjeshtë, poezitë e Ndue Dedës janë meditative, kontemplative dhe krejtësisht origjinale, ku në epiqendër të reflektimeve poetike është njeriu dhe fatet e tij, ndonjëherë edhe të ngurtësuara në hartat e memories së qiellit. Poezi solide si strukturë, ashtu edhe nga tematikat dhe metatekstet që kanë për objekt, ku fabulat letrare janë sfidante për t’u zbërthyer, për shkak të nënshtresimeve të thella psikologjike.
Autori di të rezonoi mirë para se të ndërmarri veprim konkret krijues, andaj poezitë e tij ngjasojnë me një kompleks muzash e përjetimesh krejtësisht vetjake, të veshura me margaritarë idesh e kurorëzimesh cilësore letrare. Mbarështimi i tematikave brenda tërësisë unike të librit është i nduarndurshëm duke filluar nga motivet intime, jetësore, historike, psikologjike. Kozmosi letrar i Ndue Dedës fokusohet në vlerat dhe principet e etnosit shqiptar, ku shumica e këtyre motiveve rrjedhin nga ky taban dhe frymëzimet bazë janë ato të vendlindjes së autorit, Mirdita fisnike, stoike, heroike, po edhe legjendare në rrjedhen e kohërave dhe ngjarjeve.
Poeti Dedaj në ndërdijen e tij nuk kërkon “Mbinjeriun” e Niçës, por njeriun real, të ndjeshëm, vizionar, të arsyeshëm dhe shpirtëror. Atyre hapësirave të pamasa lundron edhe pena e artë e tij. Autori gjeografinë shqiptare dhe fatin historik shpesh dramatik e sjell si në pëllëmbë të dorës përmes ideve të mbarështruara letrarisht, duke kumtuar mesazhe metapsikologjike e metaideore, se thesaret gjinden në zemrën e njeriu e jo përtej muresh e largësish, as përtej portave të hekurta të kohës, që nganjëherë mund të jetë edhe e pamëshirshme. Mesazhi i tij poetik nuk i ngjason ndonjë “Faraoni” qe nga lart e nga larg sodit ngjarje, por mundohet që të jetë pjesë integrale e ngjarjeve, se paku përmes ndiesisë letrare e poetike. Shpirti i tij është i liruar nga prangat e egoizmit letrar sepse di të shkruajë edhe poezi përkushtuese, si “Gjakova” - gjegjësisht dedikuar poetit Din Mehmeti, apo kushtime Ali Podrimes, Jup Kastratit, por dhe bijës sonë shqiptare, hyjnores Nënë Terezës.
Pra, ky libër poetik është një lloj rekuiemi i një kulture të pasur poetike dhe letrare e mbarështruar mu si kokrra e Sinaprit, e cila kur zë rrënjë natyrshëm shkon e bëhet ndër pemët më frutore dhe më të mëdhatë në vreshtën poetike. Andaj plani ideo artistik, përmasat epistimiologjike, sensi meditativ, kultura e leximit, shpalimi jetësor, refleksionet dhe perceptimet unike, të gjitha keto të sublimuara krijojnë profilin dhe tablloidin e një personaliteti letrar dhe poeti thellësisht origjinal dhe per t’u admiruar nga elitat intelektuale dhe bota letrare.
Letërsia e Ndue Dedës nuk është një fiksion as trill sa për të ushqyer formën, por është bërthamë e kulturës së njohjes, që njohjen e shndërron/ pasuron me njohje dhe si një dritë qiriri na bën edhe ne që ta shohim veten dhe muret tona gjysmë të errësuara. Dedaj nuk ushqehet nga magjet e tjera letrare dhe këtë e ka dëshmuar edhe në librat e mëparshëm poetikë: “Aizbergu i Hanës” (1998), “Këndej kaloi koha” (2001), “Planetare” (2007), por dhe librat me tregime “Dashuri në kullën e ngujimit” (2004) dhe “Hyjnesha e Pyllit” (2004), romanet: “Shembja” (2005) dhe “Unaza e Virgjëreshës” (2014). Kritikët janë vërejtur se dhe publicistika e pasur letrare e tij është e ndikuar nga shprehësia letrare e spikatur.
Ndue Dedaj jeton në botën reale të etnisë shqiptare dhe letërsisë kombëtare, me përjashtim të ideve të tij, që si te çdo krijues, i tejkalojnë kufijtë etnikë, letrar etj. Poezia e tij “Plava” është e gjitha një sentencë: “Qyteti ku kam qenë vetëm me sy,/ Qyteti që e mbaj përditë në pëllmbë/ Si një borxh që ia kam vetes.../ Si një borxh që ma kanë shekujt”. Autori e do përballjen me historinë, letërsinë, njerëzit, që për konceptet e tij ata nuk janë një hije e thjeshtë por esencë dhe egzistencë dhe mu në këto dy përmasa eskatologjike autori e gjen mesin e artë Aristotelian jo për të krijuar kategori por cilësi. Ai me veprën e tij poetike “Hylli i Zotit Njeri” dëshiron të ngjizë në çdo njeri idenë filozofike që ylli ndriçues i çdo njeriu të bëhet yll ndriçues edhe për tjetrin.
Kjo është qasja e frymëzimeve të Ndue Dedës ngulmoj të them unë si lexues vertikal i disa veprave të këtij shkrimtari cilësor. Kjo është via spirituala e këtij emri të pabujë të letërsisë që në heshtje e zhytur në meditime, falë edhe modestisë së tij, fiton zemrat e lexuesve këndej e andej kufirit. Dedaj është zëri i frymëzimeve të larta poetike e dëshmive letrare që natyrshëm dhe pa imponime gjakon të lë gjurmë kulturore në hapësirat tona mbarëshqiptare. Figurat artistike e stilistike që përdor poeti, edhe pse sipërore në shpalimin e tyre, janë transparente mu si hapësirat qiellore që kurrë nuk mund t’ua masësh thellësitë, as t’ua diktosh kufijtë. Autori jep mesazhin se poezia dhe letërsia nuk është vetëm ndiesi, perceptim, emocion, imagjinatë apo imitim sa për të vënë një gjurmë në letër, por edhe kapital kulturor për një popull nëse e synon civilizimin e tij.
Nuk është turp nëse lexuesi i zakonshëm do të thoshte: “Kam lexuar nga ky poet, por nuk arrita të kuptoj sa duhet nga universi i tij letrar e artistik”. Fundja a nuk do të përplotësohej thënia e Oscar Uilde se “vetëm njerëzit e cekët kuptohen lehtë, jepini kohë vetes dhe atyre të thellëve për t’i kuptuar më mirë. Fundi i fundit të krijosh do të thotë të vrasësh vdekjen, por edhe ta ushqesh të kaluarën dhe të ardhmen e shpirtërave tanë. Ndue Dedaj nuk shkruan sa për të mbushur e krijuar formë, por për të ushqyer dhe pasuruar përmbajtje. (Klinë, Kosovë, më 22. 09. 2017)
d.c./shqiptarja.com