Duke nisur nga 10 prilli i vitit 2026, do të ndryshojnë rregullat e udhëtimit drejt Europës, pasi do të vendoset plotësisht në funksion sistemi i ri i hyrje-daljeve (EES).
Ky sistem hyri në fuqi në 12 tetor të vitit të kaluar në 29 shtete europiane, por funksionimi i plotë i tij nis nga 10 prilli i këtij viti.
Me këtë ndryshim, vulat tradicionale në pasaportë do të zëvendësohen me regjistrime digjitale të hyrje-daljeve nga territori i BE-së. E njëjta praktikë do të funksionojë edhe për shtetasit që nuk janë pjesë e Unionit, të cilëve u refuzohet hyrja në shtetet e BE-së.
Nuk do të ketë më radhë për vulën në pasaportë
Asgjë nuk do të ndryshojë për qytetarët evropianë. Sistemi i ri është menduar vetëm për udhëtarët jashtë vendeve të BE-së, të përjashtuar nga detyrimi për vizë, si ata që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Japonia, Brazili dhe shumë vende të tjera, të cilët hyjnë ose dalin nga zona Shengen për qëndrime afatshkurtra. Domethënë, për udhëtime deri në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.
Sistemi EES synon të shkurtojë radhët në pikat kufitare, pasi zëvendëson vulën manuale në pasaportë me një kontroll plotësisht dixhital. Të dhënat biometrike të pasagjerëve - gjurmët e gishtërinjve, njohja e fytyrës, skanimi i irisit - regjistrohen, së bashku me emrin, datën dhe vendin e hyrjes dhe daljes së tyre.
Regjistrimi paraprak
Përpara se sistemi i ri të mund të përshpejtojë realisht kontrollin në kufi, duhet bërë një regjistrim paraprak. Udhëtarët jashtë vendeve të BE-së do ta kryejnë këtë drejtpërdrejt në terminalet automatike të vendosura në zona të posaçme të aeroporteve ose pikave kufitare.
Procesi është i thjeshtë: terminali skanon pasaportën, mbledh shenjat e gishtave dhe bën një fotografi të fytyrës suaj.
Fëmijët nën 12 vjeç përjashtohen nga dhënia e shenjave të gishtave. Gjatë procesit, udhëtarëve u bëhen katër pyetje të detyrueshme, përfshirë: konfirmimin e adresës së qëndrimit, dhe verifikimin e burimeve financiare të mjaftueshme për të mbuluar qëndrimin në zonën Shengen.
Sa zgjat regjistrimi?
Të dhënat e hyrjeve dhe daljeve (si dhe ato për refuzimet e hyrjes) do të ruhen për 3 vjet. Ndërsa dosjet individuale me të dhënat personale do të mbahen një ditë më shumë. Pas përfundimit të kësaj periudhe, të dhënat fshihen automatikisht, dhe do të jetë e nevojshme që të mblidhen përsëri nga e para.
Pse është futur ky sistem?
Në bazë të këtij sistemi qëndron dëshira për të përmirësuar kontrollin e flukseve migratore drejt Evropës. Në vitet e fundit, menaxhimi dhe siguria e kufijve të jashtëm të BE-së janë bërë një përparësi absolute për Brukselin. BE-ja ka investuar shuma të mëdha për zhvillimin e kësaj teknologjie: vetëm për fazën e projektimit është vendosur një fond prej 142 milionë eurosh. Tenderin e ka fituar një konsorcium i përbërë nga: kompania amerikane IBM, kompania italiane Leonardo, dhe kompania franceze Atos.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njofton qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt vendeve të hapësirës Shengen, se ditën e nesërme hyn në funksionim të plotë sistemi i ri i hyrje-daljeve në BE.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministria i bën apel qytetarëve që të informohen paraprakisht mbi procedurat e reja.
Njoftimi i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme:
Njoftim për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt vendeve të hapësirës Shengen
Mbi hyrjen në funksion të plotë të Sistemit Evropian të Hyrje/Daljes (EES)
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon qytetarët shqiptarë se, duke filluar nga data 10 prill 2026, në 29 vendet e hapësirës Shengen hyn në funksion të plotë Sistemi Evropian i Hyrjes/Daljes (Entry/Exit System – EES), i cili zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave me regjistrimin elektronik të hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga vendet jo-anëtare të Bashkimit Evropian.
Ky sistem, i cili ka nisur të zbatohet pjesërisht që prej tetorit 2025, do të aplikohet për të gjithë shtetasit që udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra, deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, në zonën Shengen.
Qytetarët duhet të kenë parasysh sa vijon:
• Në hyrjen e parë pas datës 10 prill 2026, në pikën kufitare do të regjistrohen:
o të dhënat e pasaportës;
o fotografia e fytyrës;
o gjurmët e gishtërinjve.
• Refuzimi për të dhënë të dhënat biometrike sjell refuzimin e hyrjes në territorin Shengen.
• Në fazën fillestare të zbatimit mund të ketë vonesa në aeroporte, porte dhe pika kufitare tokësore; për këtë arsye, qytetarët këshillohen të paraqiten më herët për udhëtim.
• Pasaporta duhet të jetë e vlefshme dhe në gjendje të mirë fizike.
• Nuk kërkohet aplikim paraprak për EES; regjistrimi kryhet në momentin e kalimit kufitar.
• Sistemi nuk ndryshon rregullin ekzistues të qëndrimit: maksimumi 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme rekomandon që qytetarët të informohen paraprakisht mbi procedurat e reja dhe të planifikojnë udhëtimet e tyre duke marrë në konsideratë kohën shtesë të nevojshme për kontrollet kufitare.
Për informacione të mëtejshme, qytetarët mund të konsultojnë faqen zyrtare të Bashkimit Evropian për EES:
Komente










