Shqipëria është gati të mbyllë 3 kapitujt e parë me Bashkimin Europian, duke i hapur rrugë kështu një procesi të rëndësishëm drejt mbylljes së negociatave.
Më 14 korrik, delegacioni shqiptar do të ulet në konferencën e nëntë ndërqeveritare me Brukselin për të mbyllur kapitujt 25, 26 dhe 30, konkretisht për shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe Kulturën si dhe Marrëdhëniet me Jashtë, fusha në të cilat Shqipëria konsiderohet plotësisht e njësuar me standardet e Bashkimit Europian.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Rama përmes rrjeteve sociale duke përdorur simbolin e flamingos, si një përgjigje ndaj protestës kundër qeverisë në Tiranë që vijon prej më shumë se 40 ditësh.
“Shqipëria nuk ndalet! Thanë negociatat u bllokuan, thanë Samiti i NATO-s u anulua, thanë qeveria u rrëzua, thanë ç’nuk thanë e gjë pa thënë s’do të lënë, sepse puna e tyre janë llafet ndërsa fjala jonë është puna”, shkroi kryeministri Rama në rrjetet sociale.
Mbyllja e 3 kapitujve vjen pasi Shqipëria kaloi një prej fazave më të rëndësishme, atë të piketave të ndërmjetme, të ashtuquajturin IBAR, mes shumë diskutimesh dhe polemikash për përmbushjen e diskutimeve.
Konferenca e 8-të ndërqeveritare u mbajt më 26 maj të këtij viti pas vendimit të miratuar nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER), i cili konfirmoi plotësimin e Kushteve të Ndërmjetme në Grupkapitullin “Themelorët”, si dhe përcaktoi Kushtet për Mbylljen e negociatave për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.
Me mbylljen e 3 kapitujve të parë, Shqipëria do të duhet të përmbushë kushtet e mbylljes edhe për 30 kapitujt e mbetur, në mënyrë që të arrijë objektivin e dakordësuar me BE-në për përfundimin e procesit teknik brenda vitit 2027-të.
Më pas vendimi do të jetë plotësisht politik dhe rruga e Shqipërisë drejt BE-së, do të duhe të kalojë nga parlamentet e 27 vendeve anëtare të Unionit.
Postimi i Kryeministrit Edi Rama
Komente










