Në 2011 eliminoi Milan-in me Tottenham-in, rrëfehet Redknapp: ‘Djalli’ s’mbijeton dot në Londër, futbolli italian s’është më ai i dikurshmi

Në 2011 eliminoi Milan-in me Tottenham-in, rrëfehet Redknapp: ‘Djalli’ s’mbijeton dot në Londër, futbolli italian s’është më ai i dikurshmi

Ish-trajneri i Tottenham Harry Redknapp

Ish-trajneri i Tottenham Harry Redknapp thotë se Milani do ta ketë shumë të vështirë të mbijetojë të mërkurën kur në Londër do përballet me Tottenham në Champions League. Trajneri anglez, në një intervistë për italianin ‘tuttomercatoweb’, pohon se do jetë Tottenham-i që do kalojë në çerekfinale, pasi sipas tij futbolli italian nuk është më ai i dikurshmi.

Harry Redknapp, çfarë na pret me Tottenham-Milan? "Unë e kam parë ndeshjen e parë. Tottenham ka disa vështirësi jashtë shtëpisë ndonjëherë, por mendoj se barazimi 1-0 nuk është një rezultat i keq dhe jam i sigurt se do ta përmbysë në kthim. Kësaj here do të ketë avantazhin të luajë para tifozëve të vet, do të jetë një atmosferë ndryshe. Dhe në netët e mëdha evropiane skuadra do të lartësohet."

Pra, ka pak dyshime se kush do të luajë në çerekfinale… "Kur keni lojtarë si Harry Kane, Son, Richarlison dhe Kulusevski, nuk mund të mendosh ndryshe. Të gjithë janë të aftë për t’i përmbysur situatat e ngjashme."

Megjithatë, cilësia e Bentancur mungon në mesfushë… "Ai është sigurisht një lojtar i mirë, por duhet të them se kushdo që e zëvendëson ka cilësi, si Skipp për shembull. Ndryshimi do të shihet përpara dhe, për mendimin tim, Tottenham ka qendërsulmuesin më të mirë në botë, që është Harry Kane. E përsëris, atmosfera në stadium do të bëjë diferencën. Do të jetë e vështirë ta ndaloni Tottenhamin."

Ju parashikon një stadium të Tottenham Hotspur të krahasueshëm me “San Siro” në ndeshjen e parë… "Patjetër. Stadiumi i Tottenham për mendimin tim është ndoshta më i miri në botë. Është i pabesueshëm, me të vërtetë."

A është Conte njeriu i duhur për këtë ekip? "Trajner fantastik, i nivelit të lartë. Trajner emocional, që gjithmonë dëshiron të fitojë. Pasioni i tij është fantastik, do të thoja ngjitës. Nuk e kam takuar kurrë, por e admiroj shumë. Ai bëri gjëra fantastike te Chelsea, e ka treguar veten edhe te Tottenham, ku mori përsipër një punë të vështirë. Nëse ka ende kohë për të punuar, mund të bëjë gjëra të mëdha dhe për këtë shpresoj që të qëndrojë në stolin e ‘Spurs’ për një kohë të gjatë, edhe pse nuk mund të jemi të sigurt."

Mes trajnerëve italianë në Premier League është edhe De Zerbi… "Ai është duke bërë një punë vërtet të mirë me Brighton. E ka merituar stafetën e Potterit duke bërë shumë mirë. Klubi bëri një zgjedhje të shkëlqyer për ta marrë atë."

Çfarë përshtypjesh keni marrë nga Milani? "Duket në gjendje të shkëlqyer, por duhet të pranoj se skuadrat italiane nuk janë aq të forta sa dikur. Ne nuk jemi në të njëjtin nivel si disa sezone më parë. Milani dhe Interi sigurisht kanë tradita të shkëlqyera, por i vetmi që më jep përshtypjen si një top-ekip për momentin është Napoli. Kjo që po bën është e pabesueshme, avantazhi që ka krijuar ndaj kundërshtarëve është i frikshëm."

A mund të shkojë larg skuadra e Spallettit edhe në Champions League? "Unë do t’ju them se këtë vit gara është e hapur si kurrë më parë. Liverpool është pothuajse jashtë, Manchester City nuk luan si vitin e kaluar, Chelsea luan keq. Nëse më duhet të mendoj se kush mund ta fitojë Champions-in, më vijnë tre emra ndërmend: Bayern Munich, Manchester City dhe Napoli. Ndoshta edhe Real Madridi, por ndoshta."

Ju thatë për futbollin italian se ka humbur cilësinë në krahasim me të kaluarën. Tani në krye është Premier League… "Një herë në Angli, ne të gjithë shikonim kampionatin italian dhe lojtarët ëndërronin të vinin në Serie A: Liam Brady, Souness, Francis, Hateley, Jordan, Ëilkins… Jimmy Greaves ishte më i miri nga më të mirët në Britaninë e Madhe që shkoi në Itali, duke përmbushur një ëndërr. Tani, nëse i propozoni Harry Kane të transferohet te Milani apo Interi, do të përgjigjej ‘jo’. Të gjithë duan Premier League, ka shumë para, gjëra të mahnitshme."

Disa anglezë vijnë ende në Itali, për shembull Tomori… "Megjithatë, ai nuk u thirr nga Southgate për Kupën e Botës."

A mendoni se është penalizuese të luajë në Serie A një anglez? "Southgate thjesht preferon lojtarë me të cilët ka punuar për një kohë të gjatë, si Maguire dhe Stones. Lojtarë të cilëve iu beson dhe rrjedhimisht Tomori nuk ka hapësirë, por ai është një lojtar që mund të luajë kudo."

Le të bëjmë një hap prapa në kohë: Champions League 2011, Tottenham eliminoi Milanin, kampionin e ardhshëm të Italisë… "Krosim i Lennon, goli i Crouch. Milani ishte një ekip superior, luajti më mirë në ndeshjen e dytë, kishte posedimin e topit. Më kujtohet veçanërisht Clarence Seedorf, i cili dominoi lojën. Dhe gjithashtu trajneri, Massimiliano Allegri, një person i mirë."

Më mirë Tottenhami juaj apo ky aktuali? "I imi. Dhe mendoj që nëse do të kishim Harry Kane, do të kishim qenë një ekip i jashtëzakonshëm. Imagjinoni atë me Gareth Bale dhe Luka Modric."

Modric është ende duke bërë diferencën me Real Madridin në moshën 38- vjeçare… "Ai është një profesionist i madh. Nuk pi, është familjar, nuk krijon probleme. Është një person i veçantë dhe futbollist i madh."

Ne.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren