Mbi 7 mijë raste të reja me kancer janë regjistruar në Shqipëri vitin që lamë pas. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, rastet me kancer gjiri, në mushkëri dhe në lëkurë, përbëjnë rreth 40% të totalit të pacientëve të diagnostikuar.

"Ajo që bie sy është një rritje e vazhdueshme që nga 2015 kur kemi filluar të përdorim këtë metodologji të regjistrit të kancerit në Shqipëri. Pra ka një rritje vjetore prej 2.5- 2.6% çdo vit”, tha Alban Ylli nga ISHP.

Edhe pse për vitin e kaluar kanceri i gjirit renditet i pari për nga numri i rasteve të reja, me 805 të diagnostikuar, në dekadën e fundit vihet re një rritje më e shpejtë e kancerit të aparatit tretës, deri në 5.9% në vit.

“Kanceri i zorrës së trashë i cili po rritet me 4.7% në vit. Siç e thashë pak më parë është ende në vendet e fundit Shqipëria në Europë, por kjo tregon që ai do vijë duke u rritur. Pra duhet përgatitur për rritjen e tij të ndjeshme, edhe kanceri i stomakut. Unë personalisht kam shpresuar që ai të fillojë të vendoset në kontroll, por edhe ai po vijon të rritet”, tha Ylli.

Një shqetësim i madh mbetet kanceri i mushkërive, i cili sipas ekspertëve lidhet ngushtë me konsumin e duhanit.

“Mbi 50 vjeç ne kapim 3.6% mesatarisht çdo vit më shumë se vitin e kaluar, pra motori i rritjes së kancereve në Shqipëri në mënyrë të qartë dhe të dukshme është rritja e moshës mesatare është rritja e numrit të rasteve të verifikuara në moshat më të shtyra”, vijoi ai.

Gjatë forumit “Kontrolli i Kancereve në Shqipëri: Parandalim, Depistim dhe Kujdes ndaj Pacientit”, ministrja e Shëndetësisë Evis Sala njoftoi krijimin e Institutit Kombëtar të Onkologjisë dhe ndërtimin e një Rrjeti Kombëtar të Kancerit, që do të mundësojë ofrimin e shërbimit onkologjik afër pacientit. Po ashtu, në bashkëpunimn me Italinë, synohet ngritja e një qendre për trajtimin multidisiplinar të kancerit, kërkimin shkencor dhe hartimin e politikave onkologjike të bazuara në evidencë.

Ministrja u ndal edhe te problematika e radioterapisë, duke konfirmuar vendosjen e akseleratorit të tretë linear në Shërbimin Onkologjik.

“Përmirësimin e kapaciteteve të trajtimit me radioterapi. Kjo ka qenë një problematikë e vazhdueshme e shërbimit onkologjik. Falë një bashkëpunimi të shkëlqyer me agjencinë atomike me qendrën në Vjenë ku isha javën e kaluar shumë shpejt do të kemi tre akseleratorë linearë funksionalë dhe sigurisht po punojmë të sjellim aparatin e ri modern të brakiterapisë sa më shpejt”, tha Sala.

Sipas të dhënave zyrtare kanceri përbën shkakun e dytë të vdekjeve pas sëmundjeve të zemrës duke kontribuar në rreth 16% të të gjitha vdekjeve në vendin tonë.