Vetëm gjatë vitit 2025 u regjistruan 615 raste abuzimi obline te të miturit, një rritje prej mbi 46% më shumë se viti i kaluar.

Një shifër që sipas drejtorit të Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve , Altin Hazizaj, ngre alarmin për mënyrën se si po evoluon dhuna në hapësirën digjitale.

“Mosha shtatë vjeç fillon që ka pak ankesa dhe sa më shumë rritet fëmija, pra shkon 10, 11, 12, aq më shumë rriten ankesat në hapësirën kibernetike, sepse në të njëjtën kohë rritet edhe aksesi i tyre dhe botëkuptimi, edhe nevoja për më shumë informacione e fëmijëve",- thotë Hazizaj.

Prej tre vitesh, bulizmi online mban vendin e parë në ankesa në plaftormën ‘i-sigurt’, si për djemtë ashtu edhe për vajzat, ndërkohë që alarmant është edhe fakti se te fëmijët vihet re një normalizim i rrezikshëm i dhunës seksuale dixhitale.  

“Tre vitet e fundit bulizmi kibernetik është kthyer në ankesën kryesore si nga djemtë, si nga vajzat. Na bën përshtypje që është ulur numri i ankesave për dhunë seksuale online. Bindja jonë si profesionist është që ka një lloj normalizimit të seksualizimit të fëmijëve, gjë që në fakt tregon domethënë sa probleme duhet të përballet një fëmijë kur hyn në hapësirën online”,- thotë drejtori i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.

Ekspertët theksojnë se ndalimi i platformave nuk është zgjidhje dhe këtë e tregoi rasti i “TikTok”.

“Ankesat e fëmijëve janë rritur dhe nuk kanë të bëjnë thjesht dhe me Tiktokun. Gjë që tregon që Tiktoku fëmijët i gjetën mjete për të kapërcyer një ndalesë të caktuar”,- thotë Hazizaj.

Zgjidhja, sipas Hazizaj është përgjegjësia ligjore e kompanive por edhe mbyllja e shpejtë e profileve abuzive, bllokim i materialeve të dëmshme dhe ndërtim platformash të sigurta që në konceptim.

"Një projektligji që CRCA Shqipëri  e ka tashmë gati, por do e propozoj pa diskutim në bashkëpunim edhe me parlamentin. Është ligji për mbrojtjen e fëmijëve në hapësirën kibernetike. Nuk mundet industria të fshihet dhe të  thotë që unë thjesht jam interneti",- thotë Hazizaj.

Hazizaj komentoi edhe rastin e mësuesit në shkollën “Gustav Mayer”, i pezulluar pas akuzave për predikim fetar në ambientet e shkollës. Sipas tij, në mungesë të një ankese zyrtare nga prindërit, mbetet në dorën e Ministrisë së Arsimit të thellojë hetimin për të sqaruar situatën.