Në 6 muaj të huajt shpenzuan  në Shqipëri 1.1 miliard Euro ose  444 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. Banka e Shqipërisë thotë se në tremujorin e dytë të vitit të ardhurat nga shërbimet u rritën si pasojë e aktiviteteve kulturore e sportive që u zhvilluan në vend.

Ngjarjet kulturore dhe sportive gjatë muajve prill, maj dhe qershor, që sollën me mijëra vizitorë rritën ndjeshëm edhe të ardhurat. Shpenzimet turistike për këtë periudhë u rritën me 275 milionë euro, dhe në total të huajt sollën në vend 722 milionë euro nga 447 milionë euro që ishte në të njëjtin tremujor vjet.

“Rritja e nivelit të shpenzimeve ditore është diktuar dhe nga dinamika e eventeve sportive dhe kulturore gjatë këtij tremujori, që kanë tërhequr më shumë vizitorë nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Holanda”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Eventi ndërkombëtar Konferencë Liga, me ndeshjen Romë- Feyenoord, në Tiranë, përpos faktit që solli me mijëra tifozë të skuadrave në vend, nxiti edhe pronarët e hoteleve të disa fishonin çmimet e dhomave, ndërsa lokalet e restorantet shtrenjtuan pijet.

Po ashtu zhvillimi i disa aktiviteteve në kuadër të javëve të kulturës për shumë shtete, afruan më shumë vizitorë në vend e për pasojë më shumë shpenzime, që për buxhetin e shtetin përkthehen në të ardhura shtesë.

Ndërkohë në 6 muaj të huajt shpenzuan në Shqipëri për arsye turistike mbi 1.1 miliardë euro, duke u rritur me 444 milionë euro në raport me vitin e kaluar.

Impakt në këtë përmirësim ka dhënë  edhe  lehtësimi i masave shtrënguese për COVID-19.

Heqja e kufizimeve, ka hapur dyert edhe për shqiptarët, të cilët shpenzuan jashtë vendit për pushime 794 milionë euro, ose 395 milionë euro më shumë sesa në gjashtëmujorin e vitit të kaluar.

TË ARDHURAT NGA TË HUAJIT 

Janar-Qershor 2021               687 mln euro

Janar-Qershor 2022             1.131 mln euro

Diferenca                             +444 mln euro

SHPENZIMET JASHTË VENDIT

Janar-Qershor 2021               399 mln euro

Janar-Qershor 2022               794 mln euro

Diferenca                             +395 mln euro

SHPENZIMET PRILL-QERSHOR 

Prill-Qershor 2021             447 mln euro

Prill-Qershor 2022             722 mln euro

Diferenca                         +275 mln euro