Rritja e konsumit dhe e aktivitetit ekonomik gjatë sezonit turistik si dhe çmimet e larta të karburantit e të produkteve ushqimore kanë përmirësuar ndjeshëm të ardhurat gjatë muajit gusht. Ministria e Financave dhe Ekonomisë njofton se të ardhurat në deri në fund të muajit gusht arritën në vlerën 376 miliardë Lekë, duke u rritur me 51.6 miliardë lekë në krahasim me 8 mujorin e vitit 2021.
Ndërsa gjatë periudhës janar-gusht shpenzimet ishin në vlerën 361.66 miliardë lekë. Por pavarësisht përmirësimit të shpenzimeve, përsëri nuk janë realizuar investimet, pasi shpenzimet kapitale janë 2.5 miliardë lekë më pak se vjet.
“Shpenzimet kapitale për periudhën 8 mujore të vitit 2022 paraqesin një realizim në masën rreth 42.3 miliard lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ky zë rezulton 5.6 përqind më i ulët ose rreth 2.5 miliard lekë më pak”, thotë Ministria e Financave.
Grafiku i publikuar nga Ministria e Financave
Njoftimi i Ministrisë së Financave
Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 8 – mujore (Janar – Gusht 2022) reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.
Të ardhurat totale për 8 – mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 100.4 % të planit të 8 – mujorit.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 8 mujore të vitit 2022, arritën në rreth 361.66 miliard LEK me një realizim në masën 96.6 përqind të planit të periudhës, ndërkohë që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar rreth 1.4 përqind më i lartë ose rreth 5.08 miliard LEK më shumë.
Niveli i suficitit për periudhën 8 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 14.5 miliard LEK nga rreth 207 milion lekë suficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 32 miliard LEK, për periudhën 8 mujore të vitit 2022 vihet re një rritje e ndjeshme e nivelit të suficitit.
Performanca Paraprake 8-Mujore e të Ardhurave dhe Shpenzimeve
Të Ardhurat
Të ardhurat totale për 8-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 376 miliardë Lekë ose 100.4 % të planit të 8-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhuruat janë rritur me +51.6 miliard lekë ose +15.9% më shumë.
Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 335.1 miliardë lekë, 53.4 miliardë ose 19% më shumë, krahasuar me vitin 2021, si dhe 1.7 miliardë ose 0.5% më shumë se plani 8-mujor për vitin 2022.
Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 143.8 miliardë lekë, 24.8 miliardë lekë ose 20.8% më shumë se 8 mujori 2021, si dhe 483 milionë lekë ose 0.3 % më shumë se plani i të ardhurave doganore për 8 mujorin e vitit 2022.
Të ardhurat nga TVSH në import për 8 mujorin rezultojnë 100.5 miliardë lekë, 21.2 miliardë lekë ose 26.7 % më shumë se një vit më parë, si dhe 596 milionë ose 0.6% më shumë se plani për 8 mujorin 2022.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 34.7 miliardë lekë, 1.3 miliardë lekë ose 3.9% më shumë se viti 2021, si dhe 232 milionë lekë ose 0.7% më pak se plani i akcizës për 8 mujorin 2022.
Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 3.1 miliardë lekë, 1.5 miliardë ose 95% më shumë krahasuar me vitin e kaluar dhe realizim në masën 102.1% kundrejt planit.
Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 5.5 miliardë lekë, 774 milionë lekë ose 16.4% më shumë se 8 mujori 2021, si dhe realizim në masën 100.3% kundrejt planit.
Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 8 mujorin 2022 u realizuan në masën 191.3 miliardë lekë, 28.7 miliardë ose 17.6% më shumë se 8 mujori i vitit të kaluar, si dhe 1.2 miliardë lekë, ose 0.6% më shumë se plani i 8 mujorit 2022.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 25 miliardë lekë, 6.8 miliardë ose 37.1% më shumë se 8 mujori 2021, si dhe 869 milionë ose 3.6% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 8 mujorin 2022. Rimbursimet për periudhën 8 mujore 2022 janë 11.5 miliardë lekë, 6.4 miliardë lekë ose 35.7% më pak se 8 mujori 2021, si dhe 759 milionë lekë ose 6.2% më pak se plani i rimbursimit të TVSH-së për 8 mujorin 2022.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 30 miliardë lekë, 8.4 miliardë lekë ose 38.6% më shumë se 8 mujori 2021, si dhe 143 milionë lekë ose 0.5% më shumë se plani i vitit 2022 për Tatimin mbi Fitimin.
Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 30.6 miliardë lekë, 3.4 miliardë lekë ose 12.6% më shumë se 8 mujori 2021, si dhe 841 milionë lekë ose 2.7% më pak se plani i 8 mujorit 2022.
Taksat nacionale, për periudhën 8 mujore 2022 u realizuan në masën 28.2 miliardë lekë, 3 miliardë lekë ose 12% më shumë se 8 mujori 2021, si dhe 589 milionë lekë ose 2.1% më shumë se plani i përcaktuar për 8 mujorin 2022.
Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 77.5 miliardë lekë, 7.1 miliardë lekë ose 10.1% më shumë se 8 mujori 2021, si dhe realizim 100.6 % të planit për 8 mujorin 2022.
Shpenzimet
Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 8 mujore të vitit 2022, arritën në rreth 361.66 miliard LEK me një realizim në masën 96.6 përqind të planit të periudhës, ndërkohë që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar rreth 1.4 përqind më i lartë ose rreth 5.08 miliard LEK më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 8 mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 56.7 përqind të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 54.7 përqind të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr.12, datë 29.07.2022 (AN nr.12).
Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 8 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 98 përqind dhe 87.7 përqind të planit të periudhës. Në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 59.8 përqind dhe 35.5 përqind të planit vjetor sipas Buxhetit fillestar dhe 60.1 përqind dhe 37.7 përqind të planit vjetor sipas AN nr.12.
Shpenzimet korente për periudhën 8 mujore të vitit 2022 rezultuan në rreth 303.4 miliard LEK, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 2.7 përqind më i lartë ose rreth 8.03 miliard LEK më shumë.
Shpenzimet kapitale për periudhën 8 mujore të vitit 2022 paraqesin një realizim në masën rreth 42.3 miliard LEK. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ky zë rezulton 5.6 përqind më i ulët ose rreth 2.5 miliard LEK më pak.
Niveli i suficitit për periudhën 8 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 14.5 miliard LEK nga rreth 207 milion lekë suficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 32 miliard LEK, për periudhën 8 mujore të vitit 2022 vihet re një rritje e ndjeshme e nivelit të suficitit.