Bardhi në selinë e Rithemelimit mbledhje me grupin e Berishës: Bashkim, jo më konflikt! Deputetët e pranishëm e kush mungoi (EMRAT)

Bardhi në selinë e Rithemelimit mbledhje me grupin e Berishës: Bashkim, jo më konflikt! Deputetët e pranishëm e kush mungoi (EMRAT)

Mbledhja e grupit parlamentar të Rithemelimit

Jo më në krah të Lulzim Bashës, por këtë herë si bashkëpunëtor i kundërshtarit më të madh politik të tij brenda PD, Sali Berishës, Gazment Bardhi u rikthye pas gati 2 vitesh në selinë blu.

Me logon e PD së Rithemeluar pas vetes kërkoi t’i jepej fund konfliktit, po nga e njëjta sallë nga ku dikur akuzonte Sali Berishën se po çonte drejt përçarjes demokratët.

“Jo më përçarje! Jo më konflikt! Ne do të punojmë së bashku për të shndërruar opozitën e sotme në qeverisjen e neserme. Mbi këtë parim duhet të ndërtohet cdo marrëdhënie dhe duhet të jetë i mirëpritur cilido. Të flasim mbi ide, mbi parime, jo mbi individë”- u shpreh Bardhi.

Mbledhja e përbashkët me deputetët mbështetës të tij, dhe ata të Sali Berishës me të cilët, pikërisht për të shmangur selinë, prej thuajse tre muajsh bëheshin në Kryesinë e Kuvendit, u mbyll brenda 1 orë e gjysmë, me porosinë që të gjithë të zbresin në bazë për të punuar bashkë për protestën e 20 shkurtit e më tej zgjedhjet e 2025, moment ky që e bashkon edhe më shumë grupin Bardhi me Rithemelimin.

Kthimin në selinë që tashmë zotërohet nga Rithemelimi, Gazment Bardhi nuk e pati vetëm për mbledhjen e përbashkët të deputetëve.

Po ashtu për herë të parë, ai iu bashkua një strukture që njeh Sali Berishën kryetar, Këshillit Kombëtar të Rithemelimit, të dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, që Bardhi më parë nuk e ka njohur. Gjatë kësaj mbledhje, deputeti Bujar Leskaj ka propozuar gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura se Gazment Bardhi duhet të bëhet nënkryetar i Rithemelimit, pa votim.

Me marrjen pjesë në strukturat e ngritura nga Rithemelimi, Bardhi rreshtohet kështu krah Berishës edhe në aksionin jashtë parlamentit, sërish duke lënë pikëpyetjen nëse e njeh kryetar apo jo.

Të pranishëm në mbledhje:
1. Gazment Bardhi
2. Dhurata Çupi;
3. Lefter Geshtenja
4. Zheni Gjergji
5. Qani Xhafa
6. Helidon Bushati
7. Ramadan Likaj
8. Xhelal Mziut
9. Bledion Nallbati
10. Agron Gjekmarkaj
11. Ervin Salianji
12. Petrit Doda
13. Greta Bardeli
14. Ina Zhupa
15. Isuf Çela
16. Asllan Dogjani
17. Bujar Leskaj
18. Edi Paloka
19. Lindita Metaliaj
20. Ludovik Hasanaj
21. Sorina Koti
22. Tomorr Alizoti
23. Albana Vokshi
24. Flamur Noka
25. Oerd Bylykbashi
26. Luan Baçi
27. Tritan Shehu
28. Kasem Mahmutaj
29. Elda Hoti
Mungojnë:
1. Sali Berisha (arrest shtëpie)
2. Saimir Korreshi (jashtë vendit)
3. Dashnor Sula (jashtë vendit)
4. Flamur Hoxha;
5. Ferdinand Xhaferaj
6. Ilda Dhori
7. Emilja Koliqi
8. Kastriot Piroli (rast vdekjeje)
9. Edmond Spaho (arsye shendetesore)
10. Jorida Tabaku (arsye shëndetësore)
Kryetarët e partive aleate:
11. Fatmir Mediu (PR);
12. Agron Duka (PAA);
13. Vangjel Dule (PBDNJ);
14. Dashamir Shehi (LZHK);

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:35
Diskutimet/ Bardhi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Rithemelimit, Leskaj: Të mos heqim dorë nga listat e hapura, ta shohim njëri-tjetrin me shumë dashuri

1707759543_bardhi.jpg

Gazetarja e Report Tv Danjela Maloku ka zbardhur diskutimet në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Rithemelimit ditën e sotme, ku për herë të parë i pranishëm ishte edhe Gazment Bardhi me deputetët që e mbështesin. Bujar Leskaj ka shprehur mendimin se nuk duhet të heqin dorë nga listat e hapura si edhe nga procesi i primareve. Fjalën e tij ai e ka përmbyllur me një këshillë, për ta parë njëri tjetrin me më shumë dashuri.

“Kryefjalë është protesta e datës 20. Jam dakord te fokusohet puna për pjesëmarrjen. Por na duhet mbledhje me e gjate për një analizë. Faktor te brendshëm ndihmues janë fuqitë dhe mundësitë. Duhet te shohim faktorët pengues dhe dobësitë. Të dimë thellë ku kemi problemet. Jemi para zgjedhjeve dhe duhet te kemi strategji dhe program të qartë.

Programi i PD; Ne departamentet e PD po bëhet punë shumë e mirë dhe kjo duhet përcjellë te qytetarët. Duhet t’i themi shqip idenë që kemi për Kodin Zgjedhor, kemi problem mungesën e koalicioneve parazgjedhore. Nuk duhet të heqim dorë nga listat e hapura dhe primaret. Nëse e bëjmë kalojmë në dekurajim në masë të madhe. Në statut fraksionet le të krijohen, të kenë përfaqësimin e tyre.

Mbledhja e grupit është shumë e rëndësishme dhe shpresëplotë për të ardhmen, por mbi të gjitha ka rëndësi puna edhe në bazë te demokratët. Duhet ta shohim njëri-tjetrin me shumë dashuri. Kemi objeksion të përbashkët, duhet parë formë e re organizimi por më parë na duhet analiza”, tha Leskaj.

Gjithashtu deputeti Leskaj ka propozuar gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura që Gazment Bardhi duhet të bëhet "nënkryetar i Rithemelimit".

Kurse Ilirjana Kuçana jep idenë që të dalin nëpër rrugë për të pastruar imazhin e Sali Berishës nën akuzë për korrupsion për aferën Partizani.

“Aksioni opozitar mendoj se duhet të fokusohemi më shumë në bazë. Duhet t'i shpjegojmë bazës arrestimin politik të Liderit Berisha, si edhe të aktivizojmë këdo që është kundër Ramës.”

Shqetësimin se përçarja është reflektuar edhe në bazë e ngriti Lisandër Hoxha.

“Përshëndes bashkimin. Përçarja është reflektuar dhe në bazë. Pas bashkimit sot të fokusohemi dhe te bashkimi bazës. Krahas bashkimit duhet edhe të hapemi për prurje te reja. Ne jemi ne lufte me këtë qeveri dhe duhet ta përmbysim”, ka thënë më tej ai.

Ora 18:00
Salianji në mbledhjen e grupit Bardhi-Berisha: Bashkimi është hapi i parë në transformimin e opozitës

1707758416_ervinsalianji.PNG

Ervin Salianji, një prej deputetëve që u rikthye në selinë e Rithemelimit për herë të parë që pas përçarjes së PD-së shprehet se bashkimi brenda partisë është detyrë.

Nëpërmjet një postimi në facebook ku ka publikuar foto nga mbledhja e grupit parlamentar të Rithemelimit, Salianji shkruan se vendi ka nevojë për një opozitë të fortë dhe bashkimi është hapi i parë që duhet bërë. 

"Demokratët e kanë dhënë verdiktin, duan bashkim! Shqipëria ka nevojë për opozitë të fortë e cila pa bashkim është e dobët. Bashkimi është hapi i parë për çdo transformim e zmadhim të opozitës!

Tashmë detyra jonë është të forcojmë verdiktin e demokratëve dhe nevojë e shqiptarëve. Këtë detyrë po bejme sot, asgjë më shumë. Vendimet e mëtejshme nuk janë vetëm rezistenca por veprimi me gjithë fuqinë tonë ndaj rrezikut serioz që i kanoset vendit nga korrupsioni dhe sundimi i Ramës!"- shkruan Salianji. 

Ora 10:42
Gazment Bardhi rikthehet në selinë e Rithemelimit për herë të parë që pas përçarjes: Jo më konflikt! Bashkimi i PD-së, rruga e vetme

Gazment Bardhi zhvilloi sot (12 shkurt) në orën 15:00 një mbledhje me deputetët e Rithemelimit në selinë qendrore të PD-së ku u rikthye për herë të parë pas përçarjes së demokratëve. Report Tv mëson se në mbledhjen e drejtuar nga Bardhi u diskutua për protestën e thirrur më 20 shkurt dhe i është bërë thirrje secilit deputet për të punuar në zonën ku është zgjedhur në mënyrë që të mobilizojnë qytetarët.

Ndërsa sa i takon rikthimit në selinë e PD-së dhe bashkimit me Rithemelimin, Bardhi u shpreh se përpjekjet për një bashkim të tillë janë bërë prej rreth një viti nga disa deputetë brenda grupit parlamentar. 

"Këto dy vitet e fundit, ne hymë në një rrugë që solli mosbesim, konflikt, përçarje mes demokratëve. Zgjatja e asaj situate vuri në pikëpyetje vetë ekzistencën e partisë. Kjo situatë mes nesh, e paprecedentë në llojin e vet, po ndodhte ndërsa Shqipëria humbte çdo ditë nga një tullë në themelet e brishta të demokracisë dhe pluralizmit.

Vendi nuk e kishte dhe nuk e ka luksin të humbasë edhe opozitën, prandaj prej më shumë se 1 viti sëbashku me shumë kolegë brenda grupit parlamentar kemi bërë përpjekje të sinqerta, ndonjëherë edhe me kosto personale, për t’u rikthyer demokratëve shpresën tek partia e vet, tek Partia Demokratike"- tha deputeti. 

Në deklaratën e dhënë për mediat deputeti deklaroi se bashkimi është e vetmja mënyrë për të rikthyer shpresën e shqiptarëve në mënyrë që ta shohin PD-në si alternativë qeverisëse.

"Bashkimi është forcë dhe jo dobësi. Bashkimi është rruga e vetme për një mëndje racionale. Partia Demokratike me aktin e bashkimit, pas një udhëtimi në errësirë, i kthen dritën vetes dhe duhet ti kthejë shpresën shqiptarëve. Me këtë motiv, ne do të jemi në çdo cep të Shqipërisë për t’i dhënë shpresë të rinjve, burrave dhe grave që duan të ndërtojnë këtu një të ardhme për vete dhe për familjet e tyre.  Jo më përçarje! Jo më konflikt! Ne do të punojmë së bashku për të shndërruar opozitën e sotme në qeverisjen e neserme. Mbi këtë parim duhet të ndërtohet cdo marrëdhënie dhe duhet të jetë i mirëpritur cilido. Të flasim mbi ide, mbi parime, jo mbi individë”- u shpreh Bardhi.

Pavarësisht sulmeve që Berisha ka bërë herë pas here ndaj organeve të drejtësisë, Bardhi theksoi se PD mbështet institucionet që të zbatojnë ligjin pa komplekse dhe pa pasur ndikime politike.

“Partia Demokratike është  partia më properëndimore se çdo forcë tjetër politike më vend. Ne besojmë tek aleatët tanë strategjik. Ne besojmë gjithashtu, se Shqipërisë i duhet një drejtësi e pavarur, pa ndërhyrje politike, por ne duhet të theksojmë me forcë se ne nuk jemi në luftë me drejtësinë! Do ta mbështesim dhe nxisim atë pa komplekse që të zbatojë ligjin, por edhe do të themi të vërtetën para shqiptarëve sa herë që do të konstatojmë se peshorja e drejtësisë disbalancohet nga ndërhyrjet politike”- shtoi deputeti.

I çuditshëm ky bashkim me protestuesit e Rithemelimit ishte për faktin se erdhi menjëherë pas takimit në SHBA me zv. Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe dërguarin për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar. Papritur Bardhi e gjeti veten për herë të parë në protestën poshtë shtëpisë së Sali Berishës, të shpallur non grata dhe në masë arresti për aferën e privatizimit të sport klubit Partizani.

B.V/S.G/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë