"Jemi mbledhur sot, këtu, për të nderuar sëbashku 22 marsin e vitit 1992, ditën që edhe sot, pas 20 vitesh, nuk gjejmë fjalë të tjera për ta përshkruar, përveçse ato që gufuan nga thellësitë e zemrave tona 20 vjet më parë, ditën e bardhë, ditën e bekuar, ditën më të bukur të jetës sonë, ditën më të madhe pas pavarësisë për shqiptarët e Shqipërisë, ditën e parë të demokracisë.

Këto dy dekada janë kurorë të lirisë në ballin e zemrën e çdo shqiptari, janë kurora e bukur e lirisë në ballin e madhërishëm të Shqipërisë, 100 vite e pavarur. Prandaj edhe unë sot, ju ftoj juve, ftoj mbarë qytetarët shqiptarë të shprehim nderimin tonë më të madh, të përulemi me respekt të thellë para atyre djemve e vajzave, burrave e grave, të cilët, pasi me guximin, trimërinë e vendosmërinë e tyre shembën në dhjetor të vitit ’90 murin e Berlinit, me uraganin e fuqishëm të lirisë e shpresës që buronte nga shpirti e zemra e tyre përmbysën më 22 mars, me votën e tyre të lirë, regjimin më barbar që shqiptarët e Europa kishte njohur në tërë historinë e saj. Ndaj edhe një herë ju dhe mbarë shqiptarët gëzuar këtë ditë, ditën e lirisë suaj! Zoti ju bekoftë ju, familjet tuaja!

Por unë, në emrin tuaj, në emrin e burrave e grave, djemve e vajzave që me votën e lirisë shembën diktaturën hoxhiste, dua të përshëndes nga ky takim, të gjithë ata qindra e mijëra të rinj e të reja, fatlumë, që lindën dhe u rritën në dekadat e lirisë.

Ne, që 20 vjet më parë përmbysëm me votën tonë regjimin e bllokmenëve hoxhistë, ishim burrat e gratë, djemtë e vajzat që kishim lindur e jetuar në regjim totalitar. Për ne, liria, demokracia ishin thjesht vlera dhe ideale për të cilat duhej luftuar, të cilat duheshin ndërtuar. Ndërsa ju, të dashur 20 vjeçare e 20 vjeçarë, nuk keni as edhe një orë të vetme të jetës suaj të bukur të këputur nga diktatura. Ju jeni gjenerata e parë që nuk njohu një ditë të vetme, shtypjen e egër, poshtërimin, mungesën e dinjitetit njerëzor, mjerimin ekstrem, urrejtjen klasore, barbaritë e atij sistemi që u shtetëzoi shqiptarëve liritë, pronën, besimin dhe i shndërroi ata në skllevër të vërtetë të një shteti barbar. Të lumtur jeni ju që gjithmonë njihni vetëm lirinë! Ajo çka ju do të bëni për këtë atdhe, asnjë nga ne, këtu, nuk mund ta imagjinojë! Ju jeni krenaria jonë! Zoti ju bekoftë ju!

Të dashur të rinj e të reja,

Sot, për të gjithë ne, për të gjithë shqiptarët, 22 marsi i vitit ’92 është dita e krenarisë, e frymëzimit, e besimit dhe shpresës së madhe. Shqipëria sot është 20 vjet dritë më larg dhe më lart, sesa Shqipëria në të cilën ne jetuam, 20 vjet më parë. Shqipëria e diktaturës së bllokmenëve hoxhistë ishte vendi i burgjeve, kampeve të përqendrimit, ekzekutimeve pa gjyq, i dënimit kapital të lirive e të drejtave njerëzore, i ndalimit të Zotit, Krishtit, Muhamedit, besimeve tona fetare. Shqipëria që ne ndërtuam në dy dekada liri është atdheu i Zotit, i qytetarëve të lirë, i dinjitetit njerëzor, i të drejtave të garantuara, i besimeve të lira fetare, shembull frymëzimi për tolerancën e shkëlqyer, harmoninë ndërfetare në Europë e në botë. Ne besonim tek liria! Shqiptarët ia dolën! Ne e kryem! Rroftë liria!

Qytetare e qytetarë shqiptarë kudo që jeni, të dashur studente e studentë, nxënëse e nxënës, të rinj e të reja,

20 vjet më parë, gjysma e kombit, gjysma e shqiptarëve në trojet e tyre në ish Jugosllavi përjetonin shtypjen më të egër kombëtare, aparteidin, segregacionin, barbaritë e regjimit të kasapit të Ballkanit. Një komb një qëndrim ishte motoja jonë! Kosova është e lirë, të lirë janë shqiptarët kudo që jetojnë! Kombi që 100 vjet më parë kishin parashikuar ta fshinin nga faqja e dheut, vjen sot, në 200 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, i lirë, i krenar, i sigurt, kudo në trojet e tij. Ne besuam tek kombi, besuam tek liria! Shqiptarët ia dolën! Ne e kryem! Rroftë kombi!

Shqipëria që ne trashëguam 20 vjet më parë mbulohej anekënd saj nga shtatëqind mijë bunkerë. Vendi që 100 vjet më parë mendohej të mos ekzistonte në hartën politike të Europës është sot, vendi anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ne besonim tek NATO! Shqiptarët ia dolën! Ne e kryem! Rroftë NATO dhe miqtë tanë kudo në botë!

Shqipëria, ku ne jetuam 20 vjet më parë, ishte vendi i rrethuar me tela me gjemba, i lëvizjes së lirë të ndaluar, ishte vendi, në sheshet e saj e të cilit, pas rënies së murit të Berlinit, u varën disidentë dhe u ekzekutuan qindra e qindra të rinj në kufijtë e saj. Shqipëria që ndërtuam sëbashku këto 20 vjet është atdheu i qytetarëve, të rejave e të rinjve që lëvizin sot të lirë, pa viza, në mbarë Europën. Ne besonim tek lëvizja e lirë, besonim tek Europa. Shqiptarët ia dolën! Ne e kryem!

Shqipëria, në të cilën ne jetuam vite e dekada, ishte 20 vjet më parë vendi i hiperkolektivizimit total, varfërisë ekstreme, skëterrës së mjerimit, urisë e sëmundjeve, dheu i dytë më i varfër i planetit. Shqipëria që ne i besuam, Shqipëria që sëbashku ne ndërtuam këto 20 vite është atdheu i qytetarëve pronarë, që zënë vendin e 57 në botë për jetesën më të mirë. Vendi, në të cilin të ardhurat për frymë janë rritur me shpejtësi, sa në asnjë vend tjetër në planet, janë rritur 40 herë. Vendi, i cili në 4 vitet e fundit kryeson me rritjen më të madhe ekonomike në Europë, u shpall vjet e bukura e dheut. Me zemrën e hapur, mikpritjen e mrekullueshme të qytetarëve të saj, Shqipëria priti vitin e kaluar 4 milionë turistë e mysafirë. Ne besonim se Shqipëria do të bëhej vend i begatë! Ne besonim se Shqipëria është e bukura e dheut! Shqiptarët ia dolën! Ne e kryem!

Ata që në dhjetor të viti ’90-të, të udhëhequr nga tribuni i lirisë Azem Hajdari, shembën murin e Berlinit në Tiranë, ata që në 22 mars të vitit ‘92 përmbysën diktaturën më të egër, primitive, ata që shndërruan shqiptarët në qytetarë të lirë, ata që anëtarësuan Shqipërinë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, që nxorën vendin në krye të rritjes ekonomike në Europë, ata që bënë që shqiptarët të lëvizin të lirë në mbarë Europën, ata janë burrat e gratë, djemtë e vajzat që me forcën, vizionin, energjinë, dashurinë për të ndërtuar Shqipërinë-vend i zhvilluar, Shqipërinë europiane do të shndërrojë në realitet ëndrrën më të bukur, më fisnike të shqiptarëve, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ne do ta kryejmë! Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti e bekoftë Europën! Zoti i bekoftë shqiptarët e familjet e tyre kudo që janë!"

22 Marsi 2012, shënon 20 vjetorin e triumfit të parë të Partisë Demokratike, në zgjedhjet e 22 mars të vitit 1992, një vit pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri. 


(aq/shqiptarja.com)