Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili i bëri thirrje opozitës që të kontribuojë në mënyrë konstruktive në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

“Ne të gjithë këtu u detyrohemi shqiptarëve që në dyert e BE-së të mos trokasim si dy kampe, por si komb”, u shpreh ministrja. “Opozita nuk mund dhe nuk duhet ta shohë veten si përjashtim nga ky proces. Duhet të na bashkojë një qëllim: anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Pavarësisht debateve, kritikave e mosmarrëveshjeve midis nesh, ka një vijë që nuk duhet kaluar: vija ku kritika ndaj qeverisë kthehet në dëmtim të Shqipërisë; ku kundërshtimi politik kthehet në baltosje të vendit; ku dëshira për të goditur mazhorancën kthehet në sulm ndaj vetë procesit evropian. Nuk ka veprim më antishqiptar sesa fyerja e partnerëve që na mbështesin, sulmet ndaj përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, përgojimi i atyre që çdo ditë punojnë me institucionet shqiptare për të na afruar me familjen evropiane. Le ta bëjmë këtë proces pronë të Shqipërisë, jo armë të politikës. Le të mos garojmë kush e do më shumë Evropën me fjalë. Le të garojmë kush punon më shumë për Shqipërinë me vepra. Kjo puna që, kur të huajt lavdërojnë Shqipërinë, për ju është hall i madh, e kur gjëkundi përmenden sfidat e së ardhmes, për ju është gëzim i madh, nuk shkon. Nuk reflekton as patriotizëm, as atdhedashuri”, tha Ismaili.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Kuvendi në seancë maratonë për integrimin! PD: Bllokuat procesin me mbrojtjen për Ballukun! PS: Anëtarësimi brenda 2030, objektiv i arritshëm