Në të ftohtin e temperaturave të ulëta dhe në errësirë, janë prej 16 ditësh 700 banorët e Njësisë Administrative Kelmend, në Shkodër, fakt për të cilin ngriti shqetësimin e tij kryeplaku Prek Vata në Repoort Tv.
Ai tregoi se pasojë e kësaj fatkeqësie ishte stuhia dhe bora në zonë që shkatërroi telat dhe traversat elektrikë.
“Zona e Vermoshit dhe Lepusha, ka 16 ditë pa drita, që në datën 27 të muajit, kjo për shkak të stuhisë dhe borës, e cila ka shkatërruar telat dhe traversat. Jemi munduar t’i lidhim, kemi pasur vetëm dy ditë, 4-5 orë dhe s’ka më.”, tha ai.
I pyetur lidhur me ndërhyrjen e OSHE-së për korrigjimin e situatës, kryeplaku i Kelmendit tha se ka pasur ndërhyrje, por për shkak të infrastrukturës së dobët nuk është arritur rezultati i kërkuar.
Përmes Report Tv, Vata i ka bërë thirrje shtetit shqiptar të marri masat e duhura që t’i kthehet energjia Lepushës dhe Vermoshit.
“Kemi pasur kontakte me drejtorinë e drejtësisë së madhe dhe kryebashkiakun, kanë çuar njerëzit. Kanë ardhur, por infrastruktura dhe rrjeti është shumë i dobët edhe punonjësit s’kanë çfarë t’i bëjnë. Dua t’i bej apel shtetit shqiptar që të merren masa dhe në zonat Vermosh Lepush, të vijnë elektricistë. Jemi bërë të ikim natën me këtë gjendje që jemi”, shtoi ai.
Duke folur mbi gjendjen e rënduar të 700 banorëve, ai shtoi se edhe shumë turistë janë bllokuar në vend për shkak të gjendjes.