Fshati Pagri rreth 28 km nga qyteti i Përmetit, ka shërbyer si pika e magazinimit të sasive të konsiderueshme të lëndës narkotike Kanabis Sattiva, të mbjella në zonën e Frashërit.
 
Këto pamje që vijnë nga brenda magazinës, ku u gjetën 12 ton kanabis të shpërndara nga vetë policia nuk kanë nevojë për shumë koment.
 
Report TV  ishte sot në fshatin e thelle malorë të Pagrit, ku trafikantët e kanabisit, në një magazinë shtetërore  që dikur ka shërbyer si depo e drithërave, e kishin kthyer në një hambar për grumbullimin e hashashit.
 
Banorët: Nuk kemi parë lëvizje të dyshimtë 
Banorët e këtij fshati të vogël malor, shprehen për kameran tonë, se nuk kanë vënë re që magazina e braktisur nga shteti në vitet ’90, shërbente për magazinimin e hashashit të korrur në fshatrat e Përmetit.
 
Gazetari: Keni parë ndonjë gjë të çuditshme këtu?
Qytetari: Jo nuk kisha parë asgjë.
Gazetari: Është mbjellë sivjet drogë?
Qytetari: Po, nuk di më asgjë
 
Madje ata rrëfejnë  se as nuk kanë vënë re as lëvizjet e mjeteve që magazinonin kanabisin  në ish-
depot e kooperativës.
 
“Hera e parë që ndodh madje ne as nuk i kemi parë kush ishte, qysh ishte, ne s’kemi parë asgjë. Ne u habitëm kur e pamë mbrëmë. Ky fshat nuk është shquar që mbillej drogë”
 
“Ato që janë arrestuar nuk janë pronarët e magazinës, ajo s’ka pronarë
”, shprehen disa banorë.
 
Shumë prej banorëve kryesisht të rinj, nuk kanë dashur fare të flasin, duke i’u shmangur kamerës.
 
Magazina ku u gjet sasia prej 12 ton kanabis, ruhet nga një togë policore, teksa katër efektivë ruajnë çdo anë  e ndërsa mendohet se disa të tjerë qëndrojnë në brendësi të saj.
 
Deri tani janë evaduar nga kjo depo, gati 6 ton hashash përmes mjeteve të mëdha të shoqëruara me eskorta të ‘Shqiponjave’, ndërsa mësohet se sasia e mbetur e kanabisit do të  largohet nga magazina  në ditët në vijim.
 
Jashtë kamerës, banorët pohojnë se kanë parë në fshat dhe në zonat përreth prezencën e punonjësve të rendit në Përmet verën që shkoi dhe disa herë, shefin e Komisariatit të Policisë.

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)