/ATSH-Z.Tosku/- Sapo dëgjon emrin e Daniel Godellit, në mendje të vjen qyteti i Peqinit, i cili ndodhet në qendër të Shqipërisë. Një qytet i lashtë, mbartës i shumë vlerave çmon talentet dhe banorët që bëjnë historinë e këtij qyteti të vogël.
Me një popullsi prej 12 mijë banorësh, qyteti i Peqinit nuk hoqi dorë nga traditat, të cilën ende sot i ruan me shumë fanatizëm. Hekurat janë përfaqësueset e kësaj tradite që gjendeshin në çdo shtëpi. Bëhet fjalë për peshngritjen, stema e së cilës sot mban emrin e Daniel Godellit.
Një traditë të cilën në Peqin e nisi Genc Gripshi, qëi ishte kampioni i parë në peshngritje në radhët e pionerëve, duke kaluar tek Muharrem Lundraxhiu, Mahir Mezini, Rifat Bardhi dhe Maringlent Hyra.
Në moshën 9-vjeçare, Daniel Godelli futi këmbët në palestrën e Peqinit. Puna e tij nisi me një stërvitje të lehtë, ashtu siç e kanë filluar të gjithë shtangistët e tjerë.
Ishte vetëm 14-vjeç kur mori çmimin e tretë në Kampionatin Evropian për të rinjtë që u zhvillua në Suedi. Në moshën 15 vjeçare, Danieli shpallet Kampion Europe.
Pas 4 vjetësh, Danieli shpallet Kampion Botë për të rinjtë që erdhi nga talenti i duhur i tij dhe nga mjeshtri që e stërviti Danielin që në hapat e para, profesor Ali Lundraxhiu, i cili u nda nga jeta para 2 vjetësh.
Profesori i parë i Danielit, Ali Lundraxhiu, në një intervistë të realizuar para dy vjetësh ka shprehur disa nga momentet më të rëndësishme për Danielin.
"Kujtimi më i bukur i Danielit është që në garat që bëheshin, atje ku e linin sportistët europianë ne e fillonim garën e ndër këto një shembull i bukur është gara në Izrael kur u zhvillua Kampionati i Peshngritjes për të Rinjtë. Danieli ishte me pionerët dhe aty ku sportistët e tjerë rusë, bullgarë përfundonin, Danieli e fillonte dhe kishte një jehonë e palestra duartrokiste, sepse rezultatet e Danielit ishin të nivelit të lartë.
Një tjetër moment ishte kur u zhvillua Kampionati në Shqipëri për të rinjtë në qytetin e Durrësit, në peshën 62 kg. Danieli mundi lojtarë rusë, moldavë, turq, armenë dhe ka dal i pari në Europë"
Ndërkaq vetë Danieli është shprehur për ATSH-në se " kur isha shumë i vogël sapo kisha filluar stërvitjen, profesor Ali Lundraxhiu thoshte se kur të shkosh nëpër gara duhet të jesh gjithmonë i pari, pasi i dyti dhe i treti nuk ia vlen. Jam munduar të jem i pari dhe do vazhdoj të jem i pari me çdo lloj kushti".
Një njeri i thjeshtë si Danieli arriti të bënte krenarë jo vetëm veten e tij, jo vetëm familjen e tij por të gjithë banorët e qytetit të tij, duke u shndërruar në histori për peshëngritjen shqiptare.
Gjatë intervistës së dhënë për ATSH-në Danieli theksoi se kjo fitore e tij do të jetë fillimi i çdo gare tjetër në të cilën do marrë pjesë.
Më poshtë vijon intervista e plotë:
ATSH: Fitorja jote solli në rrjetet sociale një shpërthim i cili u shoqërua me postime me foto tuaja, jo vetëm nga miqtë e tu por edhe nga të tjerë, duke ju përcaktuar si krenari për Peqinin dhe Shqipërinë. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Godelli: Ndjehem shumë mirë kur të gjithë shqiptarët gezohen kur këndohet himni, jo sepse unë u shpalla kampion por kushdo të ishte do të ishte krenar që populli shqiptar beson tek vlerat dhe kontributi që mund të jepet në shoqëri.
ATSH: Peqini ka pasur një traditë në peshngritje dhe trajneri juaj i parë që nuk jeton më,ka nisur të të stërvisë që në hapat e para. Çfarè kujtoni nga mësimet e tij ?
Godelli: Sigurisht që profesor Aliu më ka mësuar shumë gjëra sepse ai nisi me mua nga hapat e para, ashtu sikurse një fëmijë, unë i hodha me të. Ndaj ai gjithmonë këmbëngulte tek fitorja ime në çdo garë që merrja pjesë. Ai kishte shumë besim tek talenti im ndaj këmbëngulte gjithmonë tek unë.
ATSH: Kë falënderon më shumë dhe kujt ja dedikon çmimin?
Godelli: Falënderimi më i madh shkon për familjen time në të cilën gjithmonë kam gjetur mbështetjen dhe ndihmën e duhur, dhe dedikimi im shkon në drejtim të tyre. Sigurisht, shkon edhe për të gjithë shqiptarët të cilët kanë nevojë për modele pozitive që të ndjekin dhe për të gjithë qytetarët e Peqinit, qytetit tim.
ATSH: Më përshkruaj pak momentet para dhe pas fitores
Godelli: Ky ishte shpërblimi më i mirë që mund të merrja. Të të quajnë dhe të përcaktojnë krenari sigurisht që nuk është gjë e vogël por ky është shpërblimi më i madh që mund të merrja ndaj një lodhjeje që ka nisur kur unë nisa hapat e mia në peshngritje. I falënderoj pamasë të gjithë shqiptarët për emocionin që më dhanë kur mora çmimin e kampionit.
ATSH: Cilat janë planet e tua tani që u shpalle Kampion Bote?
Godelli: Të rrëmbej çdo medalje në çdo kampionat që do të marr pjesë. Kjo fitore ishte një forcë e madhe që mua më duhej për të qenë më këmbëngulës dhe për të punuar çdo ditë me sakrificë. Ky titull dhe kjo medalje vjen në emër të sakrificës dhe pasionit tim për peshëngritjen. Do mundohem t'i bëj krenarë shqiptarët në çdo garë.
"Ëndrra ime vazhdon akoma", tha Danieli në përfundim të intervistës për ATSH-në.