Një biçikletë prej druri, shtatë ditë rrugë dhe 900 kilometra nga Shkodra në Athinë.
Kjo ishte sfida që avokati Arsid Muriqi vendosi t'i bënte vetes, një udhëtim që tërhoqi vëmendjen jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Greqi.
I ftuar në emisionin "Studio Live" në Report TV, Muriqi tregoi se gjithçka rezultoi më e vështirë nga sa e kishte parashikuar, por edhe më e bukur.
Në studio ai mbërriti me biçikletën e tij prej druri, të cilën e ka pagëzuar "Odisea".
Muriqi rrëfeu se objektivi fillestar ishte ta përfundonte itinerarin brenda dy javësh, por arriti ta realizonte në vetëm shtatë ditë.
“Unë kisha vendosur ta bëja për 2 javë. Temperaturat e larta e vështirësuan misionin, por shkoi me sukses dhe unë e mbylla me 7 ditë”, tha ai.
Sipas tij, prova më e fortë ishte ngjitja në segmentet malore, ku pesha e biçikletës prej druri e detyroi në disa raste të zbriste dhe ta shtynte në këmbë.
“Shumë mund ta quanin marrëzi. Nga dita e tretë që po nisesha për maloren më të madhe të Shqipërisë, në Sarandë, aty testova veten. Maloret i bëja në këmbë, ngaqë biçikleta është e rëndë”, u shpreh ai.
Përtej lodhjes, Muriqi tha se gjatë gjithë rrugës mori mbështetje nga njerëz që takoi, sidomos pasi mësonin se kishte nisur udhëtimin nga Shqipëria.
“Edhe në Greqi kur më pyesnin u thoja që po vij nga Shqipëria, habiteshin. Njerëzit më jepnin ujë rrugës dhe më jepnin kurajo”, tregoi ai.
Në çantën e tij nuk kishte shumë gjëra, vetëm disa ndërresa, një bllok ku shënonte përditshmërinë e udhëtimit dhe librin "Alkimisti" të Paulo Coelho, që e shoqëroi gjatë gjithë aventurës.
Ashtu si personazhi i romanit që niset në kërkim të ëndrrës së tij, edhe Arsid Muriqi u nis drejt Athinës me biçikletën prej druri, duke e kthyer këtë udhëtim në një prej sfidave më të bukura të jetës.








Komente
Komento