Ne ishim shumë europianë, pastaj harruam diçka

Ne ishim shumë europianë, pastaj harruam diçka

Kur profesoresha e nderuar Lucia Nadin gjeti në bibliotekën veneciane dhe publikoi Statutet e Shkodrës, të përpiluara në mes të të largëtit shekull të XIV, me entuziazëm, në atë që quanim dyfaqësh në “Gazetën Shqiptare” të 2002 shpalosa: “Sa të qytetëruar ishim dikur”. Sepse në ato statute renditeshin rregulla të një jetese dhe bashkëjetese të qytetëruar, në kohën kur një Europë kishte njohur Dante Alighierin e po përgatitej të futej në Rilindjen shpërthyese. Ishin rregulla jetese dhe bashkëjetese të publikuara para Kanunit të Lek Dukagjinit, që do ta çonin këtë vendin tonë, në këndin perëndimor të Ballkanit, të ecte me një hap me Perëndimin. Statutet funksionuan deri në mes të shekullit të XV dhe u këputën me rënien e Shqipërisë nën sundimin e perandorisë osmane për t’u kyçur njëherë e përgjithmonë duke rënë në gjumin shekullor në bibliotekën e muzeut Correr të Venecias, deri në ditën kur Nadin i shpluhurosi. Por vetëm fizikisht ama, pasi grimcat e qytetërimit këto Statute i lanë përgjithmonë.

Megjithë kohët e largëta, duket sikur edhe frymëmarrja në shumë cepa të Shkodrës së sotme e shumë qytetëve të tjera e fshatrave shqiptarë, ndonjëherë ndjehet si me nënshtresa qytetërimi të mbetura që atëherë: si për shembull mirësjellja e familjeve të vjetra, dëshira për arsimim, sensi i humorit, edukimi për artet e bukura etj.

Në ditët e sotme, kur bërtasim shumë se duam Europën dhe meritojmë të jemi në gjirin e saj, harrojmë se shumë nga ata që bërtasin fort, kanë sjellje të pahijshme për një europian, që do të thotë se një europian i vërtetë është i përbërë pikërisht nga ato shtresa shekullore mirësjellje, dëshire për rregulla, drejtësi, ligj, shtet, etj.

Sot, europianizmin tonë e gjejmë nëse e kërkojmë nëpër kënde të qyteteve tona të lashta dhe fshatrave, ku njerëz me një etikë të jashtëzakonshme, me duar të arta, zemrën flori, buzëqeshjen si të parën dritare prezantimi, jo vetëm nuk e kanë harruar nga 500 vite, pushtim ottoman, 50 vite terror diktatorial, por e shpalosin pa u lodhur ashtu si natyra asnjëherë nuk harron të na prezantojë stinë pas stine më të mirën e saj.

Por në mes të kësaj pëlhure të madhe europiane, që përshkon Shqipërinë në çdo skaj, arna të mëdha dhe të shëmtuara, që nuk na përkasin e që nuk janë bërë kurrë tonat, mbizotërojnë. Ato janë arnat e mëndjemadhësisë, e arrogancës, e shitmendjes, e mungesës së kulturës dhe të edukatës dhe sidomos shpërfilljes së ligjit. Janë arnat që i shohim të shpalosin me dhunë arrogancën e tyre në rrugë me makina sheikësh e vila miliarderësh. Janë arnat që kanë pushtuar hotele luksi të Europës ku kanë nisur t’i quajnë “albergo di albanesi”, që bëjnë trafiqe e zaptojnë suita me çmime marramendëse nga Roma, Milano, Bruksel, Amsterdam, Paris, ne Londër… Janë arnat që furnizojnë veset e Europës dhe nga veset e Europës pasurohen.

Statutet e Shkodrës nuk janë zhdukur, janë aty, nga Shkodra deri në Korçë, duhet vetëm që artizanët e heshtur të qytetërimit të mos lodhen e arnat, me durim, t’i zhdukin përgjithmonë.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sfida kundër Manchester Cityt, trajneri motivon Brojën: Konkurrenca i bën mirë ekipit

Sfida kundër Manchester Cityt, trajneri motivon Brojën: Konkurrenca i bën mirë ekipit