/ATSH-E,Xhajanka/-Zhvillimi i bujqësisë po mbështetet nga një paketë masash, që synon të lehtësojë jo vetëm barrën fiskale për fermerët, por do të mundësojë rimëkëmbjen e këtij sektori, duke nxitur prodhimet vendase dhe eskportet.

Ministria e Bujqësisë ka hartuara tashmë dhe ka nisur zbatimin e 26 masave lehtësuese për sektorin e bujqësisë, agroindustrisë dhe peshkimit.

Ekspertë të bujqësisë shprehen se paketa fiskale për bujqësinë e cila hyn në zbatim në vitin 2015 synon jo vetëm përmirësimin e ekonomisë së fermerëve në tërësi, por edhe rritjen e konkurrueshmërisë dhe eksporteve bujqësore. Sipas dikasterit të bujqësisë ndër masat e përfshira në paketë janë kompensimi i TVSH-së për produktet bujqësore, heqja e tarifës doganore për importin e produkteve që shërbejnë për lëndë të para për industrinë apo blegtorinë, heqja e taksës për importin e materialit biologjik, përjashtimi në import nga TVSH-ja për mjetet dhe makineritë agroushqimore, vënia në përdorim e tokave të kripura dhe joproduktive, rishikimi i Kodit Penal për zaptuesit e tokave bujqësore, rishikimi i procedurave dhe tarifave për regjistrimin e farave, fidanëve dhe pesticideve, eliminim të tarifave për testimin e hibrideve, si dhe organizim në nivel kombëtar të mjekëve veterinerë.
Veç këtyre, janë ndërmarrë edhe një sërë masash të tjera që lidhen me degë të ndryshme brenda sektorit dhe që kanë të bëjnë me përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë në grumbullimin e qumështit, me skemën e mbështetjes për materialin biologjik me cilësi të lartë, me rishikimin e ligjit për akcizat në sektorin e prodhimit të verës dhe vreshtarisë, me rritjen e akcizës së verës në përgjithësi dhe rimbursimi për industrinë vendase.

Për ministrin e Bujqësisë Edmond Panariti, paketa e masave mbështetëse për sekorin e bujqësinë është hartuar mbi bazën e eksperiencave më të suksesshme dhe synon të sjellë në një stad të ri zhvillimi bujqësinë shqiptare dhe konominë rurale . Paketa e masave lehtësuese për bujqesine u prezantua në fillim të muajit nëntor, në një takim me ekspertë dhe aktorë të linjës ku mori pjesë dhe Kryeministri Edi Rama.

Disa lehtësitë që hyjnë në fuqi në janar 2015:
Lehtësimi i agropërpunuesve duke njohur 20% TVSH të zbritshme për furnizimet nga fermerët (nga 6% më parë).
Sektori i peshkimit përjashtohet nga taksa e qarkullimit dhe karbonit për karburantet (përjashtimi arrin në 67 lekë për litër)
Për lëndët e para: hiqen tarifat doganore për: grurin, materiali biologjik, miellin, ushqimin për kafshët, kafshët për mbarështim.
Shmangia e penalizimit për diferencat në peshë
Përjashtimi i TVSH-së në import për mjetet dhe makineritë ushqimore
Përjashtimi nga TVSH-ja në import i kafshëve të gjalla për majmëri