Një 31-vjeçar turk, i cili ishte shpallur në kërkim nga Austria për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, u arrestua në Pikën Kufitare të Morinës, teksa tentonte të hynte në vendin tonë.

Gjykata e Vjenës ka vendosur ndaj 31-vjeçarit turk, masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e 31-vjeçarit, në bashkëpunim me homologët në Austri.

Njoftimi i policisë

DVKM Kukës

I shpallur në kërkim ndërkombëtar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike nga autoritetet austriake, kapet nga shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në hyrje të RSh-së, 31-vjeçari turk.

Si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje dhe i verifikimeve në hyrje/dalje, me objektiv goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilët tentojnë të lëvizin ilegalisht për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, kapën në hyrje të RSh-së dhe arrestuan me qëllim ekstradimin shtetasin turk:

V. B., 31 vjeç, banues në Stamboll.

Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Vjenës ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Austri, vijon procedurat për ekstradimin e 31-vjeçarit.