Armando Marku, 26-vjeçari i cili ishte shpallur në kërkim nga Mbretëria e Bashkuar për vrasje, është vetëdorëzuar në Policinë e Tiranës.

Sipas autoriteteve të huaja, i riu ishte nën akuzë për vrasjen e ish-snajperistit Ali Hussain në Hartlepool në vitin 2019, i cili u qëllua për vdekje nga afër brenda një banese në rrugën "Charterhouse".

Për vrasjen e Hussain, janë dënuar 4 persona, teksa në kërkim nga autoritetet britanike ishte shpallur 26-vjeçari Marku.

Eugert Merizaj, 31 vjeç u dënua me 32 vite burg pasi u shpall fajtor në vitin 2022, ndërsa Noza Saffari, 40 vjeç, u dënua me 15 vjet burg.

Ndërkaq Dorian Pirija, 34 vjeç dhe Qazim Marku, 25 vjeç, u dënuan me nga 19 vite burg.

Një tjetër person i cili ishte i dyshuar për ngjarjen e rëndë, Sajmir Dodoveci, 40 vjeç, është arrestuar në një stacion treni në Bruksel më 23 dhjetor të vitit 2025, si pjesë e hetimeve të përbashkëta mes Policisë së Cleveland, Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Dodoveci u ekstradua në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas u akuzua për vrasjen e Hussain. Ai u paraqit më 9 janar para Gjykatës së Magjistratëve në Teesside dhe u la në paraburgim.