VLORË- Një 28-vjeçar është arrestuar në Vlorë, pasi ishte i shpallur në kërkim. Në vitin 2020, Gjykata e Vlorës ka caktuar ndaj tij masën arrest me burg për veprat penale ''Prodhimi dhe shitja e narkotikëve'' dhe ''Kultivimi i bimëve narkotike''.
Arrestimi i tij është bërë në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”.
"Kapet nga shërbimet e Policisë Rrugore dhe vihet në pranga një 28-vjeçar i shpallur në kërkim kombëtar, i akuzuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Strukturat e Policisë të DVP Vlorë, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar "Sundimi i ligjit", bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij, përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat i kontrolleve u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit:
- L. Gj., 28 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 13.12.2020, i ka caktuar masën e sigurisë ''Arrest në burg'', për veprat penale ''Prodhimi dhe shitja e narkotikëve'' dhe ''Kultivimi i bimëve narkotike'', njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.