Një 30-vjeçar është arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar pasi akuzohet si pjesë e grupit kriminal që kultivoi 870 kg kanabis në Drenovicë të Beratit në vitin 2022. Xhuljano Hoxha pritet që të ekstradohet në Shqipëri, pasi ndaj tij GJKKO caktoi më 22 prill arrest në burg për kultivim droge dhe grup të strukturuar kriminal. 

Sera në fshatin Drenovicë u zbulua gjatë një operacioni më 10 nëntor 2022. Në atë kohë u ndaluan 105 persona, ku 95 ndër to ishin gra të cilat ishin punësuar për të pastruar lëndën narkotike. Sera ishte në pronësi të Hamdi Dylit, e cila ishte ndarë në 4 pjesë, secila me një sipërfaqe prej 2 dynym. 11 persona u vunë në pranga, ndërsa nën hetim u vunë edhe 57 efektivë të DVP Berat, mes tyre edhe drejtues të lartë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë në atë kohë, Muhamet Rrumbullaku përjashtoi përjetësisht nga Policia e Shtetit 7 punonjës policie, të rangut të lartë drejtues. Prokuroria e Beratit shpalli moskompetencë dhe ia kaloi dosjen SPAK-ut, pasi prokurorët dolën në konkluzionin se aktiviteti zhvillohej nga 2 grupe kriminale.

95 gratë që ishin nga Fushë-Kruja dhe Lezha ishin mashtruar nga mashtruar nga grupi kriminal se do të vilnin ullinj. Por kur panë se kishin të bënin me pastrimin e lëndës narkotike, u kërcënuan se do t'u vrisnin familjarët. 

Njoftimi i policisë:

Interpol Tirana/Bashkëpunim intensiv me partnerët, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.  

Kapet në Mbretërinë e Bashkuar dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, një 30-vjeçar i akuzuar nga GJKKO, si pjesëtar i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve.    

Gjatë megaoperacionit të koduar “Stuhia”, që goditi këtë grup kriminal, në muajin nëntor 2022, në fshatin Drenovicë, Berat, Policia sekuestroi 870 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa.  

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Mançester, Mbretëria e Bashkuar, u bë e mundur kapja në Mbretërinë e Bashkuar dhe arrestimi me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit: 

Xh. H., 30 vjeç. 

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin e datës 22.04.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. 

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas është pjesëtar i grupit kriminal që ka kutivuar bimë narkotike në sera, në fshatin Drenovicë, Berat, në vitin 2022.

Interpol Tirana vijon procedurat në bashkëpunim me Interpol Mançester, për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.