Në kërkim të historisë së flamujve të Muzeut Kombëtar

Në kërkim të historisë së flamujve të Muzeut Kombëtar

Ahmet Zogu

Merita e krijimit të Muzeut Kombëtar i takon Kongresit të Lushnjes, por që gjithsesi ka mbetur pa medalionin përkatës përkujtimor. Ai e filloi punën në vitin 1922 dhe e ndërpreu veprimtarinë  në kohës e luftës së dytë botërore. Gjatë kësaj periudhe kohore muzeu ishte si një vend i shenjtë, një sanktuar sa shptriëror, aq edhe shkencor, ku njerëzit blatonin kujtimet historike për hir të kombit të tyre. Po të lexosh dokumentacionet përkatrëse në Arkivin e Shtetit do të shohësh vrullin e dhurimeve, por me një mangësi të rëndësishme, mungon dokumentacioni i plotë historik, apo ai identifikues shkencor. Aty gjen kujtime familjare, foto, veshje, monedha të vjetra, armë, objekte të gjetura në gërmime fushore, e që mund të konsiderohen si arkeologjike. Por pati edhe dërgesa qeveritare, apo shtetërore, sidomos të firmosura gjatë periudhës së Monarkisë nga vetë mbreti Zog.

     Ndërmjet objekteve më simbolikë të ngjarjeve  të historisë së Shqipërisë ishin edhe flamujt e lidhur me këto ngjarje.

     Dokumentacioni i veprimtarisë administrative i Muzeut Kombëtar, e që ruhet në Arkivin e Shtetit rreshton këta flamuj:

     1.Flamuri i teqes Safi të Petrelës, me të cilin paria e Petrelës shkoi ne Shkodër në vitin 1881 në përgjigje të thirrjes së Lidhjes së Prizrenit për të mbrojtur Pllavën dhe Gucinë. Dorëzuar në Prefekturën  e Tiranës për Muzeun Kombëtar nga Komuna e Petrelës në dhjetor të vitit 1938.

     2.Flamuri i Shoqërisë “Dëshira”, i vitit 1904. Dorëzuar në Muzeun Kombëtar në vitin 1930 me urdhër të Ahmet Zogut, mbas dhurimit të tij nga një delegacion i Shoqërisë “Dëshira”.

     3.Kravata e flamurit të çetës “Besa-Besën”, i vitit 1911, dorëzuar në Muzeun Kombëtar nga Kol Rodhe në vitin 1934.

     4.Flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali dhe që në vitin 1913 e kishte dhuruar Duka i Monpasiesë. Dhuruar Muzeut Kombëtar nga i biri i Ismail Qemalit, në vitin 1933.

     5.Flamuri i Princ Vidit, i vitit 1914, dhuruar Muzeut Kombetar nga Rauf Fico në vitin 1930.

     6.Flamuri me të cilin Themistokli Gërmenji shpalli Krahinën autonome të Korçës në vitin 1916. Dorëzuar ne Muzeun Kombëtar në vitin 1922 nga Justin Godard, me porosi të Gjeneralit Dekoen.

     7.Flamuri i Batalionit 6 të vullnetarëve shqiptarë në ushtrinë austro-hungareze gjatë Luftës së parë botërore, i rreth vitit 1917. Dorëzuar në Muzeun Kombëtar në vitin 1930 nga Izet Bebeziqi, me porosi të nipit të Richard Dimmel, komandat i Batalionit.

     8.Flamuri i Bandës kombëtare “Vatra”, i vitit 1918. Dorëzuar në Muzeun Kombëtar në vitin 1939 nga sekretari i bandës ushtarake Aleks Lubonja.

     9.Flamuri i Shoqërisë “Djelmosha” të Stambollit, i vitit 1919. Dorëzuar në Muzeun Kombëtar në vitin 1931 nga  Kryetari i komunës së Voskopojës Riza Drini.

     10.Flamuri i Kongresit të Lushnjes, i vitit 1920. Dorëzuar në Muzeun Kombëtar në vitin 1929 nga Veli Vasjari.

     11.Flamuri i Luftës së Vlorës, i vitit 1920. Dhuruar në Ministrinë e Arsimit  në vitin 1932 nga Lef Nosi. Me urdhër të Ahmet Zogut  flamuri i u dorëzua Muzeut Kombëtar.

     12.Flamuri i Batalionit Sulmues “Ahmet Zogu”, i vitit 1927. Dorëzuar me urdhër të Ahmet Zogut në Muzeun Kombëtar në vitin 1932 nga Aqif Përmeti.

     13.Flamuri i baralionit “Shkumbini”, i vitit 1927. Njëlloj.

     14.Flamuri i Batalionit “Vjosa”, i vitit  1927. Njëlloj.

     15.Flamuri i batalionit “Erzeni”, i vitit 1927. Njëlloj.

     Këta flamuj u ruajtën në Muzeun Kombëtar, deri kur ai e pushoi aktivitetin gjatë kohës së luftës. Në këtë periudhë fati i tyre udhëtoi krahas me fatin e të gjithë objekteve  të tjerë të muzeut. Por jo shumë kohë mbas luftës fati i tyre u mbyll dhe ata mbetën enigmatikë, pa identitet. Por udhëtimi i tyre vazhdoi “incognito”. Pse?

     Flamujt janë dorëzuar pa dokumentacion në Bibliotekën dhe Muzeun Kombëtar, apo në Institutin e shkencave.  Nuk e dimë se në çfarë viti. Punonjësja e parë në detyrën e magazinieres  në Fondin etnografik, e ndjera Pandora Plaku, më ka treguar se Rrok Zojsi, përgjegjësi i Sektorit të etnografisë, i kishte thënë se dikush i kishte pas sjellë këta flamuj duke u thënë punonjësve të institucionit, por se kujt nuk e dimë: “Merrini edhe këta flamuj dhe ruajini!” Vetëm kaq! E fshehta hodhi mbi ta një vello harrese.

     Si është e mundur? Si nuk e ndoqi njeri “gjenealogjinë” e tyre? Në ato institucione   kanë pasë punuar edhe punonjës të nderuar të Muzeut Kombëtar. Ata e dinin se çfarë kishin në muze dhe pa tjetër edhe qenien e këtij thesari historik. Përse nuk folën për identitetin e tyre? Po Rrok Zojsi përse nuk i pyeti?

     Mendime të shumta të vinë në mendje!

     Përse nuk u fol kurrë për ta?

     Neglizhencë apo fshehtësi?

     Për neglizhencë unë, që kam parë gjendjen e tyre, nuk u a fal!

     Për fshehtësi? Për t’i ruajtur nga një kohë stuhish, deri në qetësimin e situatës? Ky është një variant!

     Flamujt janë të lidhur me emrin e Ahmet Zogut, me Amerikën, me emrat e personave të vrarë në luftë, apo të dënuar me burg dhe me  pushkatim…A mos vallë do të kthehej ndaj tyre furia e mërisë dhe e hakmarrjes, duke i eliminuar? Në të tilla rrethana, a nuk do t’i mbronte nga barbaria të qenurit “klandestinë”? Dhe kur të vinte koha t’i identifikonin brezat e ardhshëm? A mos vallë na u la kështu një mesazh, i krahasueshëm pwr fshehtësinë me  atë të piramidave? Në se është kështu, i falenderoj!

     Flamujt u zbuluan rastësisht. Identifikimi ishte pasioni im. E pra, fati ma dha këtë mundësi, të pasuar me një punë kolosale kërkimore. Restaurimi dhe konservimi është tjetër gjë.

     Dhe këtu dua të përmend edhe meritat e padiskutueshme të Ariola Priftit, në vitin 2011 përgjegjëse e Fondit etnografik të ish Qendrës së Studimeve Albanologjike, për gjetjen e flamurit me të cilin u varros Ismail Qemali, të flamurit të Luftës së Vlorës, të flamurit të Kongresit të Lushnjes dhe të flamurit te Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, të cilin nuk e kam përfshirë në listën e mësipërme, sepse nuk kam gjetur akoma ndonjë dokument “pronësie” të Muzeut Kombëtar. Shqipëria duhet t’i jetë përgjithmonë mirënjohëse Ariolës.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja