Sigurimi i ushqimit të përditshëm përmes mbledhjes së skrapit për pak sa nuk u kthye në tragjedi për familjen Zakaj në Lezhë. Dy djemtë e kësaj familje rome dhe një i afërm i tyre mbeten të plagosur, pasi triçikli me të cilin po lëviznin u përplas nga një automjet në rrugën e vjetër Lezhë-Laç.

Dy prej fëmijëve ndodhen në gjendje të stabilizuar shëndetësore, ndërsa tjetri ka marrë plagë më të shumta dhe ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Familja nuk ka të mundësi financiare për kryerjen e operacionit dhe apelojnë për ndihmë, që djali i tyre ti kthehet sa më parë normalitetit.

“Do të kenë pësuar aksident fëmijët se dolën për të mbledhur hekura dhe kanoçe për sigurimin e copës së bukës. Një prej djemve është në gjendje më të rënduar, ka thyer këmbën në dy copa. Të na ndihmojnë për ta futur në operim sepse duhen lekë për nuk kemi. Nëna i rri te spitali, i ati ka dalë të gjejë lekë te shokët e vet. Jemi shumë keq për gjendjen financiare, s’kemi të ardhura”, shprehet Leonora Mitro, halla i djalit të vogël.

Shumë familje rome në rajonin e Lezhës mes të cilëve dhe fëmije e kanë kthyer mbledhjen e skrapit në burim jetese, ndërsa nuk kanë munguar rastet kur triçiklet të cilët lëvizin në rrugë pa asnjë lloj kushti teknik janë kthyer në burim aksidenti edhe me pasoja, shpreh herë fatale.