Në kërkim të një 'vrasësi' për Ilir Metën

Në kërkim të një 'vrasësi' për Ilir Metën

Asnjë politikan shqiptar, ndoshta në të gjitha kohërat, nuk ka vizatuar dhe skicuar disa herë momentin kur do të vdesë dhe si duhet të vdesë, siç e ka bërë këtë gjë Ilir Meta. Sa herë që ai ka ngërç politik në vend, sa herë që përballet me beteja absurde të prodhuara nga paranojat, apo sa herë ndjehet i dështuar në lëvizjet e tij, ai përfytyron një vrasje.

Kur shikon se kundërshtarët po bëhen gati ta shkarkojnë se ka shkelur Kushtetutën, atij i vjen në mendje Allende. Përfytyron veten në paradhomën e Presidencës, shikon gardistin që ka në oborr, atë tipin të cilin e përshëndet çdo ditë, mendon Olta Xhaçkën me ca ushtarë tek “Rogneri” duke marshuar drejt tij në pozicion luftimi, dhe pastaj veten e tij me një automatik që e shkreh në gjoks.

Kur vendos të marrë vendime të forta politike, duke përdorur Kushtetutën, kur është i sigurt se do të xhindosë kundërshtarët me atë që bën, kur kërkon mbi të gjitha të duket i fortë, ai sjell në mendje Avni Rustemin në Paris duke vrarë Esat Pashën, dhe pastaj dikë duke e vrarë atë, dhe nis “Revolucioni i Qershorit”.

Kur flitet për Reformën në Drejtësi, kur flitet për krimin dhe mafian, kur flitet për sekustro pasurish dhe fitime të paligjshme nga korrupsioni, atij sepse i kujtohet Falcone, dhe mendon se dikush do ta vrasë si atë.

Në fakt, ëndrra e tij është të vrasë Falconen që po përgatitet, por subkoshienca e tradhton dhe ai thjesht tregon që e ka mendjen tek Falcone.

Për fatin e tij të keq, pasardhësi i Falcones në Silici, ish- prokurori Luigji Soreca, është ambasador i Bashkimit Europian në Tiranë. Nuk di nëse Sorecës i del në ëndërr vrasja e Falcones, por fakti që i del Ilir Metës, ha debat.

Së fundmi një armik i ri po tenton “ta vrasë” atë për çështjen e Kosovës dhe mbrojtjen e kufijve të shtetit shqiptar.

Kush mund të jetë ky vallë?

Serbia nuk ka arsye, se nuk ka nevojë për Shqipërinë për të bërë marrëveshje me Kosovën. Kosova po ashtu, ka kë vret, nëse dikush e tradhton në Prishtinë. Në Shqipëri, vështirë se dikush merr gjak tek Ilir Meta, nëse i ndodh gjë Kosovës, pasi ky i fundit ka mik vetëm Ramushin në Dukagjin dhe Çim Pekën në Has.

Në Kosovë po bien e po ngrihen qeveri, po takohen, po mërziten e po puthen sërish me serbë, gjysma po dëgjojnë Trumpin e gjysma BE, që po ashtu mendon si Trumpi, dhe askush nuk e ka pyetur Ilir Metën për të gjitha këto.

Atëherë përse duhet ta vrasin këtë njeri për Kosovën? Nëse nuk ka bërë ndonjë gjë të keqe në të shkuarën, nëse nuk u ka premtuar gjë njerëzve të Gjingjiqit në vitet 2000 kur ishte kryeministër, apo vëllezërve Kariç, nuk ka arsye ta vrasë njeri, se ata kanë vdekur.

Dhe nëse i merr një për një të gjitha këto raste kur atij i shfaqen fantazmat e të vdekurve për arsye morale në këtë botë, ti kupton se në të gjitha rastet ai ka një makth se nuk do vdesë si njeri me një kredo morale. Por mbi të gjitha tregon se ai e ka gati një vrasës për veten, pavarësisht se si e ëndërron kostumin e vdekjes, si të Allendes, Avni Rustemit, Riza Cerovës apo Falcones. Dhe ky vrasës është Ilir Meta.

Ai po mundohet për muaj të tërë të vizatojë vdekjen e tij. Dhe është një nga ato tortura që do të zgjasë. Nuk do t’i pëlqejë asnjë skenë vdekje dhe do ta shtyjë gjatë, në kërkim të vdekjeve të tjera. Kështu të ndodh, kur makthi i vetëm në jetë, është se çdo bëhet me vdekjen tënde.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • edi: 24/05/2020 15:36

    Z.Mero Meta edhe ca kohe i din punet e veta Qofte i Allahut dhe Floririt

    Përgjigju
  • Tosi: 23/05/2020 22:17

    Mero me le pa fjale. Exelent. Po Habib Burgiben e Tunizise e kujton ndonjehere qe lajthiti ne krye te presidences dhe nje skuader e gardes e nxori me shqelma nga zyra.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Mësuesi kthen shtëpinë në shkollë për të mësuar Romishten: Po harrojmë ta shkruajmë, politika jo vëmendje ndaj nesh

Mësuesi kthen shtëpinë në shkollë për të mësuar Romishten: Po harrojmë ta shkruajmë, politika jo vëmendje ndaj nesh