Në kërkim të relacionit origjinal të Stefano Gasparit të vitit 1671

Në kërkim të relacionit origjinal të Stefano Gasparit të vitit 1671

Ky dokument konsiderohet relacioni më i rëndësishëm për Historinë e Shqipërisë për shekullin XVII krahas relacionit të Marin Bicit të vitit 1610. I shkruar në 125 fletë dhe i shpërndarë në 211 faqe dorëshkrim, ky i tejkalon kufijtë e një relacioni informativ dhe ka rëndësinë e një studimi të plotë për zonat që ai i studioi dhe i shkeli me këmbë për dymbëdhjetë muaj pa ndërprerje.

Rëndësia e këtij relacioni qëndron në faktin se popullsia e Shqipërisë së Veriut, e përfshirë në teritoret e shtatë dioqezave, në shumicën dërmuese i kishte mbijetuar asimilimit fetar dhe nuk e kishte pranuar të bëhej renegat i fesë katolike në pjesën më të madhe të tij.
Këtë qëndresë e kishin bërë në mënyrë të pavarur dhe pa mbështetje nga Selia e Shenjtë për afër një shekull e gjysmë. Në masë të madhe ata jetonin si shqiptarë, por si të krishterë jetonin vetëm për forcë zakoni dhe jo sepse kisha romane kishte treguar ndonjë përkujdesje për ta.

Mark Panikaj duke kerkuar arkivat

Mbas krijimit të organizatës për përhapjen e fesë në janar 1622 e quajtur ndryshe edhe Propoganda Fede, u krijuan organizma për të rimëkëmbur besimin e harruar nga një pjesë e popullsisë së vendeve të pushtuara nga Perandoria Osmane ku bënte pjesë edhe popullsia e Shqipërisë së sotme. Për përmbushjen e këtij misioni organet më të larta të Selisë së Shenjtë në Vatikan vendosën të dërgonin një person për të paraqitur një panoramë të saktë të gjendjes së besimtarëve në këto treva.

Personi i ngarkuar me këtë punë duhet të shkonte fshat më fshat dhe të përshkruante në mënyrë të hollësishme realitetin në të cilin ndodhej popullsia e këtyre vendeve. Duhet të silleshin të dhëna për gjendjen dhe numrin e popullsisë, sa ishin konvertuar në fenë islame dhe sa e ruanin akoma besimin e mëparshëm, gjendjen e kishave dhe inventarit të brendshëm, shpenzimet e nevojshme për riparimin e tyre, gjendjen e pronave të kishave dhe vlerën aktuale të tyre dhe të dhëna të tjera me karakter social dhe politik.
Relacioni përmban të dhëna të hollësishme për numrin e popullsisë por edhe vendbanimet dhe emertimin e tyre edhe kur janë katër apo pesë familje. Ka të dhëna gjeografike ku përfshihen emrat e lumenjëve, maleve, krahinave, kufinjt gjeografik te tyre etj. Ka të dhëna me karakter ekonomik ku tregohet për llojet e bimëve që kultivoheshin, për prioritetet, për gjendjen ekonomike të popullsisë, për monedhat, për shërbimet që ofroheshin si fetare ose edhe shëndetësore deri edhe kirurgjikale.

Nisur nga këto informacione që përfshin ky relacion është konsideruar nga studjuesit e huaj dhe më vonë edhe nga ata shqiptar si relacioni më i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë për shekullin XVII. Por nëse një relacion i ngjajshëm i Zmajeviqit i vitit 1704 është publikuar i plotë dhe me fare pak gabime, relacioni i Gasparit megjithse mjaft me rëndësi, akoma edhe sot e kësaj dite nuk është publikuar vetëm pjesërisht dhe me shum gabime të cilat vazhdojnë të merren në konsideratë si burime historike të sakta dhe të prodhojnë shkrime me gabime të cilat nganjëherë shkojnë deri në tjetërsim të realitetit historik.
Nga të dhënat arkivore merret vesh se dërgimi i Stefano Gasparit në Shqipëri për të raportuar për gjendjen e kishës katolike në këto treva por edhe për gjendjen sociale dhe shoqërore të popullsisë së këtyre trevave, është iniciuar nga vetë Papa dhe është ndërmarrë nga organet më të larta të shtetit të Vatikanit. Ai është përzgjedhur për këtë mision sepse ishte me kombësi shqiptare, njifte gjuhën dhe zonat në të shtatë Dioqezat me popullsi shqipfolëse, kishte mbaruar me sukses Kolegjin Ilirik të Loretos dhe Kolegjin Urbanian në Vatikan dhe mbi të gjitha ishte i njohur edhe për një inteligjencë të mirë në raport me kolegët e tjerë.
E thënë ndryshe, ai në vitin 1670 kishte mbaruar dy shkolla të larta nga më në zë për atë kohë dhe kjo ishte padyshim një arritje shum e madhe e tij.

Në fillim ofertën për të kryer një mision të tillë ai nuk e ka pranuar me pretendimin se i rrezikohej jeta nga turqit që kishin pushtuar këto zona dhe se i kishin ofruar një pagesë të pamjaftueshme.
Mbas disa muaj bisedimesh midis tij dhe eprorëve, është rënë dakort që ai të vizitonte dioqezat me banorë shqipfolës jo si klerik por si një turist, qytetar i thjeshtë kundrejt një shume shum të madhe monetare për nevoja të shërbimit si ushqim, fjetje, pagesë për kuajt dhe shoqëruesit dhe për ryshfetet që parashikohej se do ti duheshin për pushtetarët e korruptuar turq nëse ata do ti nxirrnin pengesa.Shuma e madhe monetare që i është vënë në dispozicion për të përmbushur misionin e ngarkuar, e vinin atë para përgjegjësisë që detyrën e ngarkuar ta kryente në nivelin më të lartë të mundshëm. 

Prandaj ka kaq shum rëndësi gjetja dhe publikimi korrekt i këtij relacioni sepse në të është përfshirë maksimumi i mundshëm i informacioneve që mund të merreshin në atë kohë nga një person i huaj, nga vende kundërshtare me pushtuesin osman të vendit tonë.Në Shqipëri është publikuar i plotë për herë të parë në revistën Hylli i Dritës në katrëmbëdhjetë numra gjatë viteve 1930, 1931 dhe 1932. 
Historianët dhe studjuesit e ndryshëm që merren me histori ju kanë referuar këtij relacioni në dhjetëra shkrime të publikuara gjatë këtyre nëntëdhjetë viteve për të ilustruar shkrimet e tyre duke sjellur shum herë konfuzion dhe pasaktësi të “çertifikuara” me autoritetin e revistës prestigjioze Hylli i Dritës.

I pari që ka reaguar mbas këtij publikimi ka qënë studjuesi Fulvio Kordinjano i cili në vëllimin e tretë të librit të tij me titull “L’Albania a traverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario italiano il P. Domenico Pasi S. I. 1847-1914”, botuar në Romë në vitin 1934, i ka kushtuar këtij relacioni një kapitull të tërë, atë të dhjetin, nga faqja 321 deri në faqen 332 duke i bërë një analizë të thellë historikut të këtij relacioni dhe publikimit në revistën Hylli i Dritës.
Ai ka shkruar se ka kërkuar kopjen origjinale të këtij relacioni në arkivat italiane të kohës dhe nuk e ka gjetur. Në vazhdim të punës së tij ai ka lexuar dy kopjet e këtij dokumenti që ishin të ruajtura në dy fonde arkivore në Romë dhe në Napoli.

Mbas studimit të vëmëndshëm të të dyja kopjeve dhe të revistës, ai ka arritur në konkluzion se publikimi përmban më shum se njëqind gabime që vinin nga pamundsia e leximit dhe rishkrimit të realizuar nga paleografët që janë marrë me këtë punë dhe ka publikuar në librin e tij një tabelë me njëqind gabime që ai ka mundur të identifikojë. Kjo tabelë është e vendosur në faqet respektive 327 deri 332 të librit në fjalë. Në këtë korrigjim të gabimeve të vërejtura ai nuk ka përfshirë paragrafet që mungojnë në kopjen e Napolit.
Tani, mbas tetëdhjetë e shtatë viteve që është publikuar pjesa e fundit e kopjes së këtij relacioni të marrë nga Biblioteka Kombëtare e Napolit në Pallatin Mbretëror të këtij qyteti, marrë shkas nga gabimet e shumta që përmban ky publikim, vendosëm të merremi edhe një herë me këtë problem.
Për këtë arësye kemi marrë të plotë kopjen e këtij relacioni që gjëndet në Napoli që ruhet si dorëshkrim në 125 fletë ku të shkruajtura janë 111 faqe, në një dosje me rreth 450 faqe dokumenta të ndryshme.
Kemi marrë edhe kopjen që gjëndet në Arkivin e Propagandës Fide në Vatikan, edhe ky në dorëshkrim me mbi 120 fletë me 208 faqe pothuajse të shkruara të plota.
Nga krahasimi i dy kopjeve të përmendura dhe i shkrimit të publikuar në Hyllin e Dritës, lehtësisht dallohet që ka ndryshime të mëdha midis kopjeve në dorëshkrim dhe tekstit të publikuar në revistën në fjalë.
Nga studimi që u kemi bërë këtyre dokumenteve kemi vënë re që kopjet dorëshkrim midis tyre kanë dallime dhe nuk janë kopjuar nga i njëjti person por nga dy kopjues të ndryshëm.
Teksti i publikuar në revistën Hylli i Dritës është një rishkrim i kopjes dorëshkrim të Napolit, por i rishkruar me më shum se dyqind gabime.
Kopja që ruhet në Vatikan ka ndryshime të dukshme, sepse ka të shkruara të dhëna që kopja e Napolit nuk i përfshin. 

Ajo është shum më e plotë se kopja e Napolit dhe ka disa paragrafe shkrime më shum, me të dhëna që kopjuesi që ka shkruar kopjen e Napolit i ka lënë pa i shkruar për motive që për ne nuk janë të qarta.
Një hamendësim mbi mospërfshirjen e disa paragrafeve në kopjen e Napolit mund të jetë që ai u shkrua jo i plotë për të ruajtur disa të dhëna që për atë kohë mund të konsideroheshin sekrete. Por kjo ide e jona mund të konsiderohet vetëm një hamendje e pa bazuar në të dhëna konkrete. Arsyeja e mos përfshirjes në kopjen e dokumentit të këtyre paragrafeve mund të jetë krejt tjetër nga ajo që mendojmë ne.
Nisur nga ky fakt, jemi të mendimit që duhet kërkuar në arkiva të tjera për të bërë të mundur gjetjen e kopjes origjinale të shkruar nga autori dhe të bëhet rishkrimi dhe publikimi nisur nga kopja origjinale. Mbasi këtë gjë ne nuk e kemi arritur, atëherë kemi rishkruar korrektësisht kopjen që gjëndet në Arkivin e Propogandës Fede. 
Jemi të mendimit që kopja origjinale mund të ndodhet në Arkivin Sekret ose në fondin e dorëshkrimeve të Bibliotekës Apostolike në Vatikan. 
Deri sot ky relacion është botuar dy herë por në të dyja rastet jo i plotë. Botimi i parë, siç e thamë më sipër, u botua në revistën Hylli i Dritës, në vitet 1931, 32, 33 në 14 numra.
Ky botim nuk është i plotë sepse nuk është e plotë kopja që gjëndet në Bibliotekën Shtetërore të qytetit të Napolit, në fondin Brancaciana sipas së cilës është bërë publikimi.
Botimi i dytë i këtij relacioni është bërë nga Albanologu Peter Bartl, në serialin e botimeve të tij Albania Sacra në 4 volumet e para. Ai ka botuar sipas kopjes që gjëndet në Arkivin e Propagandës Fede në Vatikan të dhënat për Dioqezat e Durrësit, Lezhës, Sapës dhe Pultit. Nuk ka botuar akoma të dhënat për Shkodrën, Tivarin dhe Shkupin.
Pra edhe ky botim është i pjesëshëm sepse nuk ka të shkruar tre nga shtatë Dioqezat e përshkruara në relacion. 

Për këtë arësye ju vumë punës për një publikim të plotë të kopjes që gjëndet në Arkivin e Propagandës Fede, edhe pse është kopje dokumentit dhe jo origjinali i shkruar nga autori i këtij relacioni, por sepse është më i plotë.
Për të bërë një punë sa më cilësore ne vepruam në këtë mënyrë:
Morëm në mënyrë elektronike, të skaneruara me ngjyra, të dyja kopjet e dokumenteve në arkivat përkatëse. Riprodhuam nga një kopje për secilën në format A4 të shkruar bardh e zi dhe jo me ngjyra dhe i lidhëm si libra të veçantë.

Morëm nga revistat Hylli i Dritës të gjith numrat ku ishte botuar dokumenti dhe riprodhuam një kopje të plotë të këtij botimi në format A4 për ta patur si referencë për rishkrimin që do të bënim.
Vendosëm në tavolinën e punës tre kompjuterë rresht dhe shfaqëm në dy monitorët anësorë kopjet e dorëshkrimeve nga dy arkivat e përmendur. Kjo gjë na krijoi mundësinë që të shofim me ngjyra dhe të zmadhuar deri në 200% kopjet e dokumentit.

Mbas një rishkrimi me vëmëndjen më të madhe të këtij dokumenti, vumë re se botimet e më parshme kishin mospërputhje me kopjet dorëshkrim në mbi 670 raste në të 208 faqet e rishkruara. Këto mospërputhje, jo gjithmonë e tjetërsojnë kuptimin e dokumentit por në disa raste kishte edhe gabime të palejueshme të cilat e ndryshojnë shum kuptimin e tij. Ky tjetërsim, sjell pështjellim shum të madh për studjuesit që shkruajnë histori me të dhënat që ofron ky dokument. Mospërputhjet më të rëndësishme janë, harrimi pa shkruar i disa fjalëve, shkruarja gabim e shifrave në disa raste, shkruarja gabim e emrave të vendeve në disa raste dhe të tjera gabime më pak të rëndësishme. Kompjuteri na ndihmoi që të bëjmë regjistrimin e të gjitha këtyre mospërputhjeve dhe korrigjimin e shumicës së tyre.
Ne u munduam që këto gabime ti zvogëlojmë sa të jetë e mundur më shum por nuk mund ta themi me gojën plot se me këtë botim nuk ka më asnjë gabim ose mospërputhje. Do të jenë studjuesit e tjerë ata që do të thonë fjalën e tyre për këtë gjë.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK