ZEF MAZI, AUTOR

KOSOVA, LUFTA DHE DIPLOMACIA E PADUKSHME QË NDRYSHOI LOJËN

Titulli: Kosova, lufta e heshtur

Autori: Zef Mazi

Shtëpia botuese: Onufri

Çmimi: 2000 lekë

Zef Mazi është një nga diplomatët më me përvojë dhe më me ndikim të Shqipërisë në dekadat e fundit. Libri i tij “Kosova, lufta e heshtur, diplomacia e padukshme që ndryshoi lojën (1991-1999)” mbështetet pikërisht mbi këtë përvojë të jashtëzakonshme.

Me një karrierë që shtrihet nga misionet diplomatike në Vjenë, Bernë, Londër, Dublin, OKB dhe në organizatat kryesore ndërkombëtare, deri te poste si drejtues i strategjisë në IAEA dhe i negociatave të Shqipërisë për integrimin europian, Mazi ka qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në proceset që formësuan fatin e Kosovës në vitet vendimtare të shpërbërjes së Jugosllavisë.

Përmes këtij rrëfimi, Mazi vendos në qendër rolin e Shqipërisë për Kosovën, sfidat e një shteti të vogël në një krizë të madhe, përplasjet mes realpolitikës dhe së drejtës ndërkombëtare, si dhe peshën e vendimeve që shpesh merren pas dyerve të mbyllura. Ai ofron jo vetëm kujtime reale mbi bazë arkivore, por edhe analiza të sakta të mekanizmave të diplomacisë, të vështirësive dhe të proceseve që çuan drejt pavarësisë së Kosovës. Ky libër është një testament i qartë i kontributit të tij intelektual dhe diplomatik, si dhe një udhëzues për të kuptuar se si zhvillohet në realitet diplomacia kur përballë është fati i një populli.

VASILIKA TAFA, BOTUESE

ZONJUSHA MBRESËLËNËSE KESIDI” NË SINGAPORIN E SHEK. XIX

Titulli: Zonjusha mbresëlënëse Kesidi

Autore: Meihan Boey

Përktheu: Hedera Ceni

Shtëpia botuese: Ombra GVG

Çmimi: 1400 lekë

Në Singaporin e viteve 1890, ka shumë mënyra se si mund t’a humbasësh jetën. Nëse nuk sëmuresh nga malaria, jetën mundet do të t’a marrin fantazmat hantu. Por as njëra dhe as tjetra nuk përbën problem për flokëkuqen Leda Kesidi, një nxënëse me rezultate shumë të mira që, të gjitha sfidat e jetës, i ka zgjidhur falë cilësive të saj të veçanta. Kur ajo mbërrin në Singapor nga Skocia për të shërbyer si kujdestare për Sara Xhejnin, fëmija e fundit e mbijetuar e familjes së madhe Bendemir, zbulon se pinjollët e kësaj familje nuk janë zhdukur nga ethet tropikale, por nga pontianaku që prej kohësh përndjek kopshtin e tyre. Në këtë rast asaj i duhet që të gjejë një zgjidhje.

Por, ka kohë që ajo ka tërhequr vëmendjen e vejanit të pasur Kai Uing Tong, familja e të cilit vuan nga një mallkim i tmerrshëm. Ai ka dy vajza binjake dhe është i shqetësuar sa për edukimin po aq edhe për martesën e tyre.

Kesidi pranon me kënaqësi të punojë për të, duke besuar se mund të ofrojë sadopak qetësi. Kur mbërrin në shtëpinë e punëdhënësit të ri, zbulon se ajo familje është e sulmuar nga shpirti i fantazmave, prandaj përpiqet që ta rregullojë situatën pa asnjë vonesë. Sapo e çon në prehje një krijesë të mbinatyrshme, një tjetër i zë vendin shumë shpejt. Asaj i duhet të përballet me forca shumë më të lashta e më të fuqishme se çdo gjë që ka hasur më pare, për të mos përmendur ngacmimet e papritura që ndjen brenda shpirtit të saj.

Zonjusha e mrekullueshme Kesidi, që i zgjidh të gjitha problemet me qetësi, të sjell në mend Meri Popinsin, arkeologen detektive Amelia Peabadi, madje edhe aventurieren austriake Ida Pfeiffer, e cila ka vizituar Singaporin në shekullin e XIX.

GRANIT ZELA, PËRKTHYES

PORTRETI I NJË ZONJE”, JETA E ISABEL ARÇERIT NË SHQIP

Titulli: Portreti i një zonje

Autori: Henry James

Përktheu: Granit Zela

Shtëpia botuese: Albas

Çmimi: 1900 lekë

Jeta e Isabel Arçerit ndryshon rrënjësisht pas ftesës që i bën tezja e saj, znj. Tushet, për ta shoqëruar në Europë. Atje, të gjithë magjepsen nga bukuria, inteligjenca dhe fuqia e saj e brendshme. Në botët dehëse të Parisit, Firences dhe Romës, iluzioni i vetëbesimit asaj i shembet gradualisht nga intrigat e atyre që duken miq dhe mbështetës. 

Me një trashëgimtare të re, me një mëtues të dhënë pas pasurisë dhe me një zonjë të paskrupullt, Henry James e ndërton historinë si një lojë delikate, ku gjithçka duket e kundërta: liria shndërrohet në fat, dashuria në tradhti, çiltërsia në mashtrim dhe anasjelltas.  Kjo kryevepër bashkon temat më thelbësore të letërsisë së James-it: lirinë personale, kufizimet shoqërore, psikologjinë femërore dhe dallimet kulturore midis Europës dhe Amerikës, duke krijuar një portret të thellë dhe të ndjeshëm të një gruaje që përpiqet të jetojë sipas vullnetit të saj.

Melodia e Vargut

Sonila Strakosha

"Melodia e vargut sjell një poezi nga poeti Agim Vinca

Është një himn i qëndresës, i rezistencës dhe forcës për të mos u dorëzuar. Kjo forcë shprehet në vargje me figurën e Feniksit që rilind nga hiri i tij.

Dhe Feniksi fluturoi përsëri

Edhe nëntëdhjetë e nëntë herë po të biem,

ne duhet të ngrihemi përsëri!

Dhe u sulën mbi Feniksin e urtë

tufanët, korbat, uria

E rrahën, e kapën, e molisën

dhe mortja përmbi i qëndroi,

por ai prapë fluturoi.

Dhe i ranë Feniksit të gjorë

me gurë, me plumb, me zjarr

dhe qafën ia vunë në litar.

As "of ", as "lele", as "lot";

Të vërtetën nuk e vritnin dot!

Dhe e ndollën Feniksin zemërbardhë

me bukë, me gjellë "perëndie",

S’i preku, s’i erdhën për shije,

i flaku të gjitha, për besë,

veç kores së njomur me djersë.

Dhe e shpunë Feniksin martir

në zjarr. – Të digjet – thanë. – Të humbasë!

Po hiri i tij e përvëloi

Dhe vazhdën e ndritur la pas.

Feniksi përsëri fluturoi.