Rubrika “Në Librari” vjen këtë fundjavë me tri tituj të rinj.

Titulli: “Arsye dhe ndjenjë”
Autore: Jane Austen
Shtëpia Botuese: “Pegi”
Çmimi: 1200 lekë

Vijon të josh lexuesin, pas 2 shekujsh në qarkullim. Romani ‘Arsye dhe ndjenjë’ i Jane Austen, vjen në shqip me përkthimin e Erdi Ibros. Njëra besnike zemrës së saj, tjetra e përmbajtur, tërësisht të kundërta me njëra tjetrën, dy motrat Mariana dhe Elinora, heroina të romanit janë në kërkim të lumturisë, në një habitat ku statusi dhe paratë i mbivendosen dashurisë...

Titulli: “Rrugët e ferrit -Burgologjia ime për Spaçin dhe më parë”
Autor: Visar Zhiti
Shtëpia Botuese: “Besa Muci”
Çmimi: 20 euro

Libri i shkrimtarit Visar Zhiti, “Rrugët e ferrit -Burgologjia ime për Spaçin dhe më parë” është përkthyer në italisht nga studiuesi Matteo Mandala. Në të shpaloset dëshmia e tragjedisë së jetuar në diktaturë nga vetë autori, por edhe të tjerë bashkëvuajtës, kundërshtarë të sistemit, disidentë a martirë. Nga arrestimi për hermetizëm në poezi, lexuesi përjeton përmes kujtimeve dhe emocioneve të vetë autorit, mizorinë me të cilin u përballën të dënuarit politikë pas hekurave të një prej burgjeve më të egër të komunizmit në vend.

Titulli: “Historija e popullit shqiptar”
Autor: At Paulin Margjokaj
Shtëpia Botuese: “Botime Françeskane”
Çmimi: 1500 lekë

48 vjet pas ndarjes nga jeta të autorit françeskan të Diasporës, studiuesi Edmond Malaj sjell nga gjermanishtja në shqip librin “Historija e popullit shqiptar” të shkruar nga At Paulin Margjokaj. Dorëshkrimin e la pas duke shpjeguar vetë edhe qëllimin e tij, “për me sjellë shekujt e harruem të ktij populli të vogël te lexuesi i mesëm i cili nuk ka kohë për studimin e historisë së Shqipnisë së vogël".