Titulli: “Ata ishin (mbetën) dy”
Autor: Alban Tufa
Shtëpia Botuese: “Toena”
Çmimi: 800 lekë

Poezia “Ata ishin (mbetën) dy” e Alban Tufës nga merr titullin edhe libri i tij është një dedikim për prindërit e familjen. Të tjerat organizohen në cikle poetike, me tema apo atmosferë të ngjashme, ku autori përsiatet në ëndrra, ndjesitë e dashurisë, vetmisë e ikjes si dhe vendlindjes. Qendra e Librit e shpalli vëllimin si një nga titujt fitues të Fondit të Krijimtarisë Letrare për të rinj për ‘origjinalitetin e thellësinë e vargut’ ndërsa shkrimtari ndalet tek poezia e parë, nga nis gjithçka.

Titulli: “Liqeni Tom”
Autore: Ann Patchett
Shtëpia Botuese: “OMBRA GVG”
Çmimi: 1300 lekë

Gjatë izolimit pandemik, Lara Nelson u tregon vajzave të saj për romancën e hershme me një aktor të famshëm. Historia e romanit të Ann Patchett, “Liqeni Tom”, botuar në të gjithë botën në datë 1 gusht të këtij viti, arriti të renditet ndër titujt ‘bestseller’, që në javën e parë. Një rrëfim i cilësuar si meditim letrar, që zbulon ngadalë një dashuri të humbur, me degëzime në përditshmëri, komunikimin në familje, por edhe në situata befasuse. Aktorja Meryl Streep, ka huazuar zërin e saj për versionin ‘audio’ të librit.

Titulli: “Mbi dashurinë dhe harresën”
Autor: Enea Ruçi
Shtëpia Botuese: “Fishta”
Çmimi: 800 lekë

Në novelën e parë “Diej të largët” të diptikut “Mbi dashurinë dhe harresën” me autor Enea Ruçin, protagonisti gjendet në udhëkryq; nëse do të duhet të ndjek profesionin apo talentin letrar. Vihet në pikëpyetje vlefshmëria e diplomave të gjeneratës së re, palumturia që sjell lehtësia me të cilën zgjidhet dhe ndiqet një degë universitare kur vjen koha për të ushtruar profesionin. Në këtë rast, heroit i duhet të zgjedhë, nëse do të vijojë një jetë që i shkakton mospërmushje shpirtërore, e ‘t’i nënshtrohet zanatit’, qoftë edhe për të mos shkaktuar ‘krisje’ në historinë e tij të dashurisë, apo t’i qëndrojë besnik ëndrrave të tij.