Rubrika “Në Librari” sjell këtë javë tre botime: “Kali s’po donte” librin me ese nga Frrok Çupi, librin historik “Mëndafshi kinez dhe Rruga e Mëndafshit” nga Zhao Feng dhe romanin “Amaneti” nga autorja norvegjeze Vigdis Hjorth.
1
Një libër që e sheh politikën shqiptare përmes metaforës dhe alegorisë! “Kali s’po donte” është libri i ri i publicistit Frrok Çupi. Libri vjen si një përmbledhje esesh publicistike, ku autori ndërthur ngjarjet politike, përvojën personale dhe reflektimin mbi zhvillimet e shoqërisë shqiptare.
Sipas redaktorit të librit, Ben Andoni, ky botim nuk synon vetëm të rrëfejë historinë politike të vendit, por të shpjegojë edhe antropologjinë e shoqërisë shqiptare përmes figurës letrare.
“Menjëherë sapo përmendet emri i Frrok Çupit, mendja të shkon te politika. Në librin 'Kali s’po donte', ai ndërton një histori kronikale të politikës shqiptare, të ndërthurur me metafora dhe alegori. Nuk zgjedh përballjen e drejtpërdrejtë, por e bën realitetin politik më të kuptueshëm dhe më të prekshëm përmes figurës letrare. Është një libër që lexohet lehtë, por kërkon edhe vëmendje nga lexuesi për të zbërthyer mesazhet e autorit. Mendoj se kjo është një nga vlerat më të rëndësishme të këtij botimi”, thotë ai.
Në vlerësimin e tij, Andoni thekson se Frrok Çupi mbështetet në një stil eliptik, ku alegoria ndërtohet gradualisht dhe mesazhi zbulohet në fund të secilit tekst. Përmes këtij rrëfimi, autori sjell jo vetëm analizën e politikës shqiptare, por edhe një dëshmi të kohës në të cilën ka jetuar dhe shkruar.
“Kali s’po donte” përmbledh reflektime mbi ngjarje dhe personazhe të jetës publike shqiptare, duke ruajtur një gjuhë publicistike të pasur me referenca kulturore dhe historike.
2
Një histori mijëravjeçare, e lidhur me një prej produkteve më të çmuara në historinë e njerëzimit, vjen në një botim të ri për lexuesin shqiptar. “Mëndafshi kinez dhe Rruga e Mëndafshit”, nga autori Zhao Feng, sjell historinë e artizanatit të lashtë të mëndafshit dhe të rrjetit tregtar që për shekuj lidhi Lindjen me Perëndimin.
Mëndafshi kinez lindi si një proces artizanal i ruajtur për një kohë të gjatë si sekret. Ai prodhohej nga krimbi i mëndafshit, i cili ushqehej me gjethe mani, dhe shumë shpejt kjo pëlhurë u shndërrua në simbol të luksit, pushtetit dhe elegancës në oborret perandorake kineze.
Sipas legjendës së njohur, zbulimi i mëndafshit lidhet me një perandoreshë kineze, e cila, pasi një krimb mëndafshi ra në filxhanin e saj, tërhoqi prej tij një fije të hollë. Nga kjo ngjarje legjendare do të lindte një industri që do të ndryshonte historinë e tregtisë botërore.
“Historia e Rrugës së Mëndafshit është shumë interesante. Mëndafshi filloi të prodhohej në Kinë dhe, për shkak të vlerës së tij, u kthye në një produkt jashtëzakonisht të kërkuar. Ai udhëtoi nga Kina drejt Evropës, deri në Romë e Venecia. Madje, në Romën e lashtë pati edhe debate për përdorimin e tij, për shkak të çmimit dhe mënyrës së veshjes”, thotë Rexhep Hida, botues.
Rruga e Mëndafshit nuk ishte një rrugë e vetme, por një rrjet i gjerë rrugësh tokësore dhe detare, përmes të cilave qarkullonin jo vetëm mëndafshi, por edhe mallra, ide, kultura dhe njohuri. Për Perandorinë Romake, mëndafshi kinez ishte aq i çmuar, saqë shpenzoheshin sasi të mëdha ari për importimin e tij.
Me kalimin e shekujve, prodhimi dhe tregtia e mëndafshit u përballën me ndryshime të mëdha. Përdorimi i pambukut ndikoi në treg, por nuk arriti ta zëvendësonte plotësisht cilësinë dhe prestigjin e mëndafshit.
Sot, Kina mbetet një nga qendrat kryesore të prodhimit të mëndafshit dhe, përmes nismave të reja tregtare, po rikthen në vëmendje edhe trashëgiminë e Rrugës së Mëndafshit.
“Ky është një libër historik që tregon zanafillën e prodhimit të mëndafshit deri në ditët e sotme. Është përkthyer drejtpërdrejt nga kinezishtja dhe sjell me hollësi historinë e kësaj industrie. Për ne është veçanërisht interesante edhe lidhja me Shqipërinë, pasi Rruga e Mëndafshit, në format e saj të reja, përfshin edhe Durrësin”, shton ai.
Një libër që ndërthur historinë, kulturën dhe ekonominë, libri mes të tjerash tregon edhe se pas një fijeje mëndafshi fshihet historia e një qytetërimi dhe e marrëdhënieve që kanë lidhur për mijëra vjet dy skajet e botës.
Katër vëllezër e motra, dy shtëpi verore dhe një testament që ndryshon gjithçka.
Një roman i fuqishëm nga një prej zërave më të rëndësishëm të letërsisë nordike, “Amaneti” trajton me ndjeshmëri marrëdhëniet familjare, kujtesën, fajin dhe të vërtetat që mund të ndryshojnë jetën.
Në pamje të parë, “Amaneti” duket si një histori konflikti familjar për pronën dhe trashëgiminë. Por, teksa zhvillohen ngjarjet, zbulohet se pas këtij konflikti fshihen trauma, kujtime të dhimbshme dhe sekrete të mbajtura për vite me radhë.
Një zarf i mbyllur dhe amaneti i lënë pas nga babai bëhen pika e nisjes së një përballjeje me të kaluarën.
Përkthyesja Eni Lasku e cilëson veprën si një roman të thellë psikologjik, ku një rëndësi të veçantë merr raporti me të vërtetën.
“Raporti me të vërtetën është një nga pjesët kryesore të këtij libri. Nuk kemi të bëjmë vetëm me faktin se çfarë është e vërtetë, por edhe me atë se kush mund ta zotërojë të vërtetën”, thotë Eni Lasku.
Në roman, e vërteta nuk paraqitet si diçka absolute. Secili personazh ka kujtesën, përjetimin dhe versionin e tij të ngjarjeve.
Një tjetër veçori e veprës është mënyra e shkrimit. Përsëritjet e fjalëve dhe mendimeve janë të pranishme gjatë gjithë romanit, por ato shërbejnë për të përcjellë mënyrën se si funksionon trauma.
“Fjalë të përsëritura apo mendime të përsëritura do të duket sikur i ka lexuar njëherë, por në të vërtetë kjo ka të bëjë me mënyrën se si ne e përjetojmë traumën”, shton ajo.
“Amaneti” ka edhe një dimension autobiografik. Në qendër të historisë qëndron një traumë e fëmijërisë dhe një abuzim seksual që për shumë kohë ka mbetur i heshtur.
Pikërisht ky trajtim i traumës dhe i heshtjes familjare e ka kthyer veprën në një roman provokues dhe të diskutuar gjerësisht në Norvegji.
Me një rrëfim të thellë psikologjik, Vigdis Hjorth sjell një histori që ngre pyetje mbi familjen, kujtesën, fajin dhe të drejtën për të treguar të vërtetën. Një bestseller provokues, nga një prej romanciereve më të rafinuara dhe më të vlerësuara të Norvegjisë, përmes tij vjen një histori që ngjall polemika.





Komente
Komento