Rubrika “në Librari” vjen këtë fundjavë me 3 tituj të rinj librash: “Kryqi i fjalës” I Arben Çejkut, “Unë mbes fjalë” nga Regina Resta dhe “Aria në dorën time” nga Valbona Banka.
"KRYQI I FJALËS”, NJË ROMAN PËR BESIMIN DHE FJALËN E LIRË
Titulli: Kryqi i Fjalës
Autor: Arben Çejku
Shtëpia botuese: Mediaprint
Çmimi: 1000 lekë
Një histori për qëndresën, familjen dhe lirinë e fjalës. Këto janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet romani i autorit Arben Çejku, “Kryqi i Fjalës”. Libri sjell sagën e familjes Oroshi, e cila përballet me persekutimin e regjimit komunist për shkak të besimit dhe bindjeve të saj.
“Historia që tregoj në libër është historia e një familjeje të thjeshtë shqiptare nga veriu, e cila kalon nëpër kalvarin e përndjekjeve të regjimit për shkak të besimit. Përtej historisë, romani është një homazh për njerëzit që kanë vuajtur për fjalën e lirë dhe një thirrje që shoqëria të mos e humbasë kurrë lirinë e mendimit dhe të shprehjes.” thotë Arben Çejku.
Në qendër të rrëfimit qëndron figura e nënës, Moma Liza, simbol i sakrificës, dashurisë dhe forcës që mban të bashkuar familjen edhe në kohët më të vështira.
Rrëfimi ndjek edhe jetën e Viktorit, djalit të familjes, i cili emigron në Paris për të ndjekur ëndrrën e tij si piktor. Edhe pse ndërton një jetë të re dhe punon në Muzeun e Luvrit, kujtimet e së kaluarës dhe mirënjohja për prindërit nuk e braktisin kurrë. Kulmi simbolik i romanit vjen kur ai zëvendëson për pak çaste portretin e Mona Lizës me portretin e nënës së tij, si akt nderimi për sakrificën e saj dhe për të gjithë ata që u flijuan për besimin dhe fjalën e lirë.
Për autorin, romani nuk është vetëm një rikthim te plagët e së shkuarës, por edhe një reflektim mbi sfidat e lirisë së shprehjes në ditët e sotme.
“Shoqëria në çdo kohë mund ta humbasë lirinë e saj dhe humbja e lirisë fillon nga humbja e mendimit dhe e shprehjes së tij. Edhe pse sot kemi më shumë mundësi për të folur, shpesh ekziston një lloj autoçensure. Prandaj libri është një ftesë për reflektim, veçanërisht për të rinjtë dhe intelektualët, sepse nga liria nuk vjen asgjë e keqe, por vetëm e mirë.” thotë Çejku.
Romani ecën mbi dy shina; njëra është ajo e nderimit dhe lartësimit unikal të figurës së nënës dhe tjetra ajo e përkujtimit të dënimeve për lirinë e besimit dhe fjalën e lirë!
“Kryqi i Fjalës” është një roman që ndërthur kujtesën historike me dramën familjare, duke ngritur pyetje mbi të kaluarën dhe të tashmen. Një himn për nënën, besimin dhe lirinë e fjalës, që synon të nxisë reflektim për vlerat mbi të cilat ndërtohet një shoqëri demokratike.
2 POEZIA E REGINA RESTËS VJEN PËR HERË TË PARË NË SHQIP
Titulli: Unë mbes fjalë
Autore: Regina Resta
Përktheu: Angela Kosta
Shtëpia botuese: M&B
Çmimi: 1000 lekë
Një zë i rëndësishëm i poezisë bashkëkohore italiane vjen për herë të parë në shqip. Libri “Unë mbes fjalë” i poetes Regina Resta, i përkthyer nga Angela Kosta sjell një univers poetik ku fjala nuk është thjesht mjet shprehjeje, por bartëse e kujtesës, identitetit dhe së vërtetës.
Në këtë vëllim, autorja ndërton një poezi të thellë reflektuese, ku heshtja, natyra, përjetimet njerëzore dhe bota e brendshme e gruas shndërrohen në metafora të ekzistencës. Poezia e Regina Restës fton lexuesin jo vetëm të njohë veten, por edhe tjetrin, duke krijuar një dialog të ndjerë mes përvojës personale dhe asaj universale.
Ky botim është gjithashtu një urë kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë, falë punës së përkthyeses Angela Kosta, e cila prej vitesh promovon letërsinë shqiptare dhe italiane në arenën ndërkombëtare.
“Regina Resta është një nga poetet më të njohura të Italisë bashkëkohore dhe ky është botimi i saj i parë në gjuhën shqipe. 'Unë mbes fjalë' është një libër që vlerëson peshën e fjalës, jo vetëm në kuptimin poetik, por edhe në atë njerëzor dhe filozofik. Autorja ndërton një poezi të heshtjes, të reflektimit dhe të botës së brendshme, duke krijuar një individualitet të veçantë artistik. Ky botim ka rëndësi edhe si pjesë e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Italisë, që po sjell gjithnjë e më shumë autorë dhe vepra në dialog mes dy vendeve" thotë Aleksandër Çipa.
Përmes këtij botimi, lexuesi shqiptar ka mundësinë të njohë një nga zërat më përfaqësues të poezisë italiane moderne, ndërsa përkthimi i Angela Kostës forcon edhe më tej shkëmbimin kulturor mes dy vendeve.
3 “ARIA NË DORËN TIME”, LIBRI QË AFRON FËMIJËT ME HISTORINË
Titulli: Aria në dorën time
Autore: Valbona Banka
Shtëpia botuese: Dita Books
Çmimi: 700 lekë
Romani “Aria në dorën time” i autores Valbona Banka është një libër që është i rekomanduar për lexuesit mbi moshën 10 vjeç. Libri sjell një mënyrë të veçantë për të njohur historinë, kulturën dhe traditat shqiptare.
Përmes personazhit të Arias, një vajzë plot humor, kuriozitet dhe imagjinatë, fëmijët udhëtojnë në qytete historike, vizitojnë kështjella, zbulojnë legjenda dhe mësojnë mbi trashëgiminë kulturore të vendit në mënyrë argëtuese.
Një nga elementët më të veçantë të romanit është loja me fjalët. Aria ndryshon emrat e personazheve dhe legjendave për t'i mbajtur mend më lehtë, duke e kthyer të mësuarin në një proces natyrshëm zbavitës.
Por romani nuk u drejtohet vetëm fëmijëve. Ai është edhe një ftesë për prindërit që të kalojnë më shumë kohë cilësore me fëmijët e tyre, përmes leximit të përbashkët dhe bisedave mbi historinë, vlerat dhe dashurinë për vendin.
“Aria në dorën time’ është libri i tretë i serisë ‘Aria’. Këtë herë Aria dhe i vëllai nisen në një udhëtim nëpër Shqipërinë historike dhe kulturore. Kam dashur që fëmijët të njohin vendin e tyre duke u argëtuar, jo vetëm përmes librave të historisë apo gjeografisë. Aria mëson përmes lojës me fjalët, humorit dhe aventurave, ndërsa zbulon legjenda, qytete, kështjella dhe tradita shqiptare. Ky libër është një letër dashurie për Shqipërinë dhe një ftesë që fëmijët ta duan dhe ta njohin më mirë vendin e tyre" thotë Valbona Banka.
Me një rrëfim të ngrohtë, plot humor dhe aventura, "Aria në dorën time" sjell një mënyrë ndryshe të të mësuarit, duke ndërthurur fantazinë me historinë dhe kulturën shqiptare. Libri është vlerësuar me çmimin "Autori i librit më të mirë për fëmijë" në Panairin e 28-të të Librit në Tiranë.





Komente
Komento