Titulli: “Drama e Gruas”
Autore: F.Zyberi & I.Luto & I.Canaj
Botim i “BashArt”
Fatbardha Zyberi, Irena Luto e Iris Canaj, kanë tanimë nga një pjesë dramaturgjike shqiptare të botuar në “Drama e gruas”. Një libër i realizuar në kuadër të “FemFest”, festivalit të Gruas Shqiptare nën drejtimin e artistes Iliriana Hoxha. Konflikti i pronësisë, si emërues i përbashkët i tre dramave, paragjykimet ndaj të drejtës së gruas për të zgjedhur e pamundësia për t’u distancuar nga një martesë problematike, janë këto tematikat kryesore që trajtohen në pjesët e zgjedhura nga Armela Demaj, Entela Tabaku dhe Rozi Kostani.
“Ishte një projekt ku këtë vit do të merrnin pjesë dramaturgji të ndryshme shqiptare që do të kishin në thelb të drejtat e grave, të drejtat e njeriut, dhunën, dashurinë, të gjitha përjetimet që një dramaturgu mund t’i vinin në mendje për të krijuar një vepër dramatike, por që në qendër të vetë kishte gruan. Nga 12 vepra që morën pjesë në total, u përzgjodhën këto vepra që janë: “Vazo”, “Krahët e Dezit” dhe ‘Trill”, nga tre gra të cilat kanë sjellë histori totalisht të ndryshme nga njëra-tjetra, por që në thelb janë drama të forta të temperamenteve shqiptare, që edhe në gjuhën skenike vijnë me konfliktet e duhura, me gjuhën e zgjedhur, për të qenë një vepër që edhe aktorëve edhe regjisorëve u jep mundësinë, që jo vetëm të vihet në skenë dhe të ketë gjuhën dhe ritmin e duhur por edhe të tregojë një histori që është e jona shqiptare”, shprehet Armela Demaj, drejtore e teatrit “Metropol”.
Titulli: “Sekrete të ruajtura mirë”
Autore: Liane Moriarty
Shtëpia Botuese: “Mediaprint”
Çmimi: 1550 lekë
Romani i tetë i shkrimtares së njohur australiane Liane Moriarty “Sekrete të ruajtura mirë” vjen në shqip nga Manjola Nasi. Savana, një e panjohur troket në derën e çiftit Delejni, Xhoit e Steinit, në gjendje të rëndë, duke u bërë pjesë e strehëzës së tyre. Por zhdukja e saj së bashku me Xhoin, mbulohet nga misteri e të fshehtat që familja ka fshehur ndër vite.
“Romani ka një histori në dukje misterioze por gjatë gjithë librit ka një narracion kaq kureshtar dhe të bukur, saqë historinë e një familje e përcjell me shumë të papritura dhe me momente që duket se e tronditin hera-herës familjen. Dyshimet, shkrimtarja i sjell në momentin e duhur, duke i dhënë mundësinë lexuesit, që të kuptojë se përtej kësaj familje kaq perfektë ka të fshehta. Janë dy prindër, që në momentin që kanë realizuar gjithçka në jetën e tyre, dhe në momentin që ata duan të jetojnë të qetë dhe të lumtur, papritur një mysafire tensionon jetën e tyre dhe duket se shumëçka ndryshon”, shprehet botuesja Anila Bisha
Titulli: “Tezja dhe shkopinjtë magjikë”
Autore: Edi Gogu
Shtëpia Botuese: “Albas”
Çmimi: 800 lekë
“Tezja dhe shkopinjtë magjikë” është një nga 7 përrallat e librit për fëmijë me të njëjtin titull, që autorja Edi Gogu i sjell lexuesve të vegjël. Botimi i harmonizuar me ilustrimet e Ildi Hoxhës, i fton fëmijët përmes varkës së fjalëve e fantazisë të mësojnë për më shumë e me delikatesë për humbjen fizike të të afërmve, të orientohen drejt rrugës së mirë, në “Luftën e mendimeve”, të mos ndërmarrin aventura të rrezikshme, të duan tjetrin. Dhe sigurisht, të zbulojnë sekret e shkopinjve magjik të teze Lolës, që ua bën jetën më të lehtë.
“Zakonisht spuntoja është e përditshmja, jeta edhe sfidat që ne hasim çdo ditë. Unë si prind has sfidat e mia, sepse dua të jem pranë fëmijëve të mi, për të kuptuar zhvillimin e tyre, rritjen e tyre... Sfidat që ata kanë janë sa emocionale, edhe të rritjes. Gjithashtu edhe ngacmimet e ndryshme që unë marr në ambientin ku punoj me nxënësit, apo edhe me nënat me të cilat unë bashkëpunoj. Kështu që shumë herë duket sikur janë pjesë të rrëfenjave të jetës së tyre. Shumë herë ngacmohem nga jetët e fëmijëve, apo nga ato ndodhi të bukura që ata përjetojnë, dhe mendoj që ata e meritojnë të kthehen në një kujtim të përjetshëm, përsa kohë që mund të ekzistojë një libër. Dhe një mënyrë e bukur për t’u treguar jetën fëmijëve, është duke i bërë pjesë të jetës së personazheve, të librave apo të ngjarjeve që na ndodhin, ose që një autor vendos të paraqesë në shkrimet e tij. Kam gjithmonë dëshirë që fëmijët të gjejnë veten përmes faqeve të një libri, apo përmes rrëfimit të një leximi dhe të ndihen sikur dikush i kupton, ose që janë të vetëm në atë sfidë që janë duke kaluar”, shprehet autorja Edi Gogu.