Titulli: “6 personazhe në kërkim të autorit”
Autor: Luigi Pirandello
Shtëpia botuese: “BardBooks”
Çmimi: 5 euro
Është vepra që ka karakterizuar më së shumti teatrin e Luigi Pirandello-s. “6 personazhe në kërkim të autorit” e nobelistit italian vjen në shqip me qasjen e Anxhela Lepurit, pas një hulumtimi të thellë të veprës e ligjërimit të përdorur nga përkthyesja. Drama u krijua në vitin 1921 dhe u rishkrua nga Pirandelo 4 vite më pas, e konsiderohet që për risitë metateatrale, shënoi kthesë në kursin e teatrit.
Titulli: “Psikologji shqiptare”
Autor: Kledi Rama
Shtëpia botuese: “EMAL”
Çmimi: 700 lekë
I apasionuar me shkrimtarinë e leximin që në fëmijëri, Kledi Rama boton librin e tij të parë. Nga emigrimi, tek patriotizmi i mbrapshtë e problematikat më pikante të realitetit shqiptar autori i ri përshkruan thekshëm, përmes ironisë e situatave konkrete aktualitetin. Dëshira për luks, dembelizmi, dashakeqësia e thashethemet karshi tjetrit, deri tek tifozllëku politik, në refleksionet “Psikologji shqiptare” të Ramës çdokush gjen një copëz jete të vetën.
Titulli: “Gjyshja me zemrën prej ketri”
Autor: Rudina Çupi
Shtëpia botuese: “Tupëz”
Çmimi: 4.5 euro
Seria ‘vjershoke’ e Rudina Çupit pasurohet me librin “Gjyshja me zemrën prej ketri”. Shkrimtarja zgjedh një gjyshe shpirtartiste e nipërit e saj, për të rrëfyer në vargje mallin për të afërmit që i kemi larg, ndërsa Enxhi Xhaja, ngacmon imagjinatën e vogëlushëve përmes ilustrimeve.