‘Në Librari’ me 3 tituj të rinj: 'Një familje gati normale', 'Profesori D merr kontrollin' dhe 'Bulevard'! 'Kjo grua' e Dritëro Agollit tek 'Melodia e Vargut'

“Një familje gati normale” nga M.T. Edvardsson, “Bulevard” nga Jean-François Sénéchal dhe “Profesori D merr kontrollin” nga Dan Ariely janë titujt e rinj që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV.  Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.

AUTORI SUEDEZ EDVARDSSON ME NJË LIBËR PËR TË GJITHA FAMILJET

Titulli: Një familje gati normale
Autori: M.T. Edvardsson
Përktheu: Evis Cerga
Shtëpia botuese: Dituria
Çmimi: 1500 lekë

Një triller psikologjik mahnitës, “Një familje gati normale” është bestseller në mbarë botën me më tepër se gjysmë milioni kopje të shitura!
Kur vajza adoleshente e dy prindërve të përgjegjshëm e të ndershëm akuzohet për vrasje, familja kupton se nuk është dashuria ajo që do t’i mbajë të bashkuar: është gënjeshtra.

Një natë, tetëmbëdhjetëvjeçarja Stela Sandeli kthehet vonë në shtëpi. Të nesërmen, akuzohet për vrasjen brutale të një burri 32-vjeçar, i gjendur i pajetë në një park lojërash. Stela është një adoleshente e zakonshme nga familje e respektuar. Po në çfarë rrethanash e ka njohur një biznesmen të dyshimtë, e sidomos pse do ta vriste?

E treguar në tri plane, kjo dramë magjepsëse familjare e shtyn një familje deri në limite. Babai, pastor, beson se e bija nuk mund të jetë kurrsesi fajtore, me gjithë provat që shtohen dita-ditës. Nëna, avokate e suksesshme, beson se askush nuk po thotë të vërtetën. Dhe vajza, e dëshpëruar për ëndrrat e saj për të ardhmen, beson se askush nuk e kupton sa larg është e gatshme që të shkojë.

E ndërsa prindërit, Adami dhe Ulrika, përballen me pasojat e përpiqen të mbrojnë bijën e tyre, u duhet njëherazi të gjejnë të vërtetën: sa e njohin ata vajzën e tyre? Dhe çfarë është në gjendje të bëjë një prind për të mbrojtur fëmijën?

Në këtë roman kompleks, shumështresor, vihen në provë besnikëria dhe morali i çdo personazhi. Dhe teksa lexon, një sërë pyetjesh ngrenë krye: A jemi të detyruar ta mbrojmë familjen tonë, edhe kur ka prova kundër saj? A është vërtet secili prej nesh ai që duket së jashtmi? Dhe deri ku arrijmë të bëjmë kompromis, për të ruajtur jetët tona, siç i njohim, të paprekura?

“BULEVARD”, NJË ROMAN PËR TË PRANUAR DHE DASHUR ‘TË TJERËT’

Titulli: Bulevard
Autori: Jean-François Sénéchal
Përktheu: Fabiola Kadi
Shtëpia botuese: Ombra GVG
Çmimi: 1200 lekë

Kris është një adoleshent që nëna e tij e ka braktisur ditën kur ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç. I gjendur në rrugë të madhe, ai mundohet të organizojë jetën i rrezikuar nga makinat, skamja dhe papastërtia. Por, në mesin e kësaj bote kaq kaotike dhe të dhunshme, ai gjen edhe njerëz të mrekullueshëm me të cilët ndjehet si në familjen që ka ëndërruar, të cilën nuk e ka pasur kurrë.

Edhe pse Kris është një djalosh me aftësi të kufizuara të intelektit, kjo aventurë mbijetese do ta mësojë jo vetëm të përballojë fatin që i ka rënë, por do të dijë edhe se si të kërkojë të drejtën për të qenë i lumtur.

Me "Bulevard" Jean-François Sénéchal ofron një histori prekëse, sa të vështirë aq edhe tragji-komike. Ky është një roman i shkruar me gjuhë të thjeshtë, gazmore dhe me ndjenja të sinqerta njerëzore. Naiviteti i Krisit e bën atë një personazh me një botë shpirtërore të madhe dhe mbresëlënëse.

Autori Jean-François Sénéchal ka mbaruar studimet për antropologji, të cilën e braktisi shpejt, duke iu përkushtuar ëndrrës së hershme për letërsinë. Ai është fitues i çmimeve: Prix Jeunesse nga libraritë e Québec-ut, Adolecteurs si dhe Bernadette-Renauld.

Romani "Bulevard", i cili qëndron në listën e nderit të IBBY-së që nga viti 2018, mund të lexohet nga të gjithë, pavarësisht moshës së tyre...

“PROFESORI D...”, DAN ARIELY U FLET SËRISH FËMIJËVE NË SHQIP

Titulli: Profesori D merr kontrollin
Autori: Dan Ariely
Ilustrimet: Omer Hoffmann
Përktheu: Dritan Koka
Çmimi: 600 lekë

Dejvidi  është në telashe! Po bie nga mësimet dhe prindërit, ndryshe, Menaxhimi, po bëhen gati të marrin masa serioze. Si gjithmonë, qeni i tij robot, Pika, i vjen në ndihmë dhe gjen një rrugëdalje nga një burim i papritur – bota e shkencës! Nëpërmjet një serie eksperimentesh krijuese, Dejvidi u provon të rriturve se ata janë po njësoj si ai dhe telashet e tij nuk janë personale, por universale!

Dan Ariely u jep jetë kërkimeve të tij akademike përmes një serie librash me ilustrime për lexuesit e rinj. Talenti i tij unik për ta bërë shkencën popullore dhe të arritshme nga të gjithë është i dukshëm në personazhet gazmore që krijon dhe ngjarjet e ndjeshme që tregon. Mbushur me fakte dhe eksperimente, humor dhe empati, librat e tij për fëmijë e të rinj janë një hyrje e shkëlqyer në metodat shkencore dhe studimin e natyrës njerëzore.

MELODIA E VARGUT
Sonila Strakosha

Te "Melodia e Vargut" dy vjersha të poetit, prozatorit dhe publicistit të njohur shqiptar Dritëro Agolli.

Kjo grua

Kjo grua që bie erë çokollate,
Me mua ra dikur në dashuri,
Tani jeton me burrin në pallatet,
Që ngritën vjet në bulevard të ri.

Dhe nuk e di, e lumtur është vallë,
Me burrin zemërbardhë, shtatlartë,
Dëshiroj ta përshëndes, t’i them ca fjalë,
Si kalimtar, si mik, si shok i largët.

Por kokën nuk e kthen ajo nga unë,
Trik-trakun e sandales më le pas,
Atë në djalëri e desha shumë,
Betoheshim të ishim gjithmonë bashkë..

Por bashkë s’patëm fat të lidhnim jetën,
Se donte apartament të ri e telefona,
Unë bëja veç artikuj për gazetën,
Dhe flija redaksive mbi poltrona…

Por unë e di, akoma natën në ëndërr,
i shfaqem, e hap derën bojë hiri,
i shfaqem dhe i futem drejt në zemër,
Ndonëse pranë saj fle zemërmiri.

Kjo grua që bie erë çokollate,
Që desh nga unë apartament të ri,
Tani jeton me burrin zemërbardhë,
Jeton e lumtur vallë?
Nuk e di.

Kundërshtarëve të mi
Ju aq baltë po hidhni mbi mua,
Sa në baltën që kam përmbi trup,
Mund të mbijë një dardhë a një ftua,
Një korije e madhe me dushk.

Në korije dhe dru mund të mbani,
Mund të shkoni për gjah me langonj,
Mund të ngjiti në pemë të hani,
Po të doni dhe dardha dhe ftonj.

Balta ngrihet mbi mua e pasur,
Sa mbi baltën korija bleron…
Trupin tim ma bleruat padashur
Dhe ma bëtë vërtet plantacion.

S.G/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 28 Mars, 18:47

    Fileto pule me salmonelë, sa të sigurta janë produktet që konsumojmë?



×

Lajmi i fundit

‘Investoni në tokat tuaja’, Rama-emigrantëve në Kretë: Kemi dijet dhe eksperiencën e duhur! Për 500 aplikantët e parë, asnjë detyrim ndaj shtetit

‘Investoni në tokat tuaja’, Rama-emigrantëve në Kretë: Kemi dijet dhe eksperiencën e duhur! Për 500 aplikantët e parë, asnjë detyrim ndaj shtetit