Tre tituj të rinj vijnë për lexuesit në rubrikën ‘Në Librari’ në Report TV, si dhe rubrika “Melodia e Vargut”
“Arben Bajo- vepra e plotë”, një monografi nga Ermir Hoxha, “Donika dhe Gjon Kastrioti Skënderbeu në Itali” nga Giancarlo Vallonne dhe “Më quajnë Lusi Barton” nga Elisabeth Strout janë titujt e ri që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV. Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e Vargut”.
Titulli: Arben Bajo
Autori: Ermir Hoxha
Gjinia: Monografi
Shtëpia botuese: WestPrint
Çmimi: 5000 lekë
Një monografi në formë katalogu dedikuar jetës dhe veprës së skulptorit të mirënjohur shqiptar Arben Bajo sapo është botuar në shqip.
Botimi voluminoz me 420 faqe, paraprihet nga një tekst prezantues dhe shpjegues mbi krijimtarinë e Arben Bajos, disa intervista të vetë autorit dhe disa tekste kuratoriale të realizuara nga miku dhe konsulenti i botimit Prof. Gazmend Leka. Pjesa tjetër rreth 80 % e tij i takojnë krijimtarisë së tij në shtrirje kronologjike në formë katalogu.
Titulli: Donika dhe Gjon Kastrioti Skënderbeu në Itali
Autor: Giancarlo Vallone
Në ballinë: Riprodhim në qeramikë i një portreti të humbur të shekullit XVI të Erina Skënderbeu Sanseverinos. Publikohet për herë të parë.
Përktheu nga origjinali: Prof. dr. Aljula Jubani
Recensent: Ak. Pëllumb Xhufi
Redaktor: Naim Zoto
Botues: “Naimi”
Çmimi: 2000 lekë
Nën titullin “Donika dhe Gjon Kastrioti Skënderbeu në Itali”, profesori italian Giancarlo Vallone, pas shumë vitesh kërkime nëpër arkiva, sjell historinë e Donikës dhe Gjon Skënderbeut, përkatësisht gruas dhe djalit të Heroit Kombëtar të shqiptarëve, të cilët u zhvendosën në Itali pas pushtimit osman. Gjithashtu, një vend të rëndësishëm zë në këtë monografi edhe Vrana Konti, i cilësuar si “krahu i djathtë i Skënderbeut”, si edhe stërmbesa e Heroit, Erina Kastrioti Skënderbeu, e cila konsiderohej një nga gratë më të bukura të Mbretërisë së Napolit.
Sipas autorit, me këtë “shuhet edhe linja e ligjshme e pasardhësve të Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Në këtë monografi mund të shihni për herë të parë një dokument me firmën e djalit të Skënderbeut, Gjon Kastriotit e, po ashtu, të Donika Kastriotit, si edhe rindërtimin e pemës gjenealogjike të pasardhësve të Skënderbeut. Shumë mistere e gojëdhëna marrin përgjigje.
Autori, Giancarlo Vallone, njihet si profesor i Historisë së Institucioneve Politike dhe Historisë së të Drejtës Italiane në Universitetin e Romës 'La Sapienza', ofron në libër informacione dhe dokumente të reja mjaft interesante që publikohen për herë të parë për fatin e familjes së Gjergj Kastriotit.
Libri botohet nga shtëpia botuese “Naimi” dhe është përkthyer në gjuhën shqipe prej prof. Aljula Jubanit dhe me konsulencën e prof. Pëllumb Xhufit.
Titulli: Më quajnë Lusi Barton
Autori: Elisabeth Strout
Autore: Alina Karaulli
Shtëpia botuese: Pegi
Çmimi: 800 lekë
Pas një operacioni që duhej të ishte fare i thjeshtë, Lusi Barton fillon ta marrë veten dalëngadalë. E ëma, me të cilën nuk ka folur prej vitesh, vjen që ta shohë. Në një dhomë spitali në zemër të Manhatanit, përpara vezullimit të qiellgërvishtësit Chrysler që ngrihet përtej dritares, dy gratë kuvendojnë gjatë. Ndonëse lidhja e tyre dukej e prerë, rrjedha e fjalëve ndoshta mund të shuajë zhurmën shurdhuese të gjërave të pathëna.
Thashetheme të vogla për njerëz nga fëmijëria e Lusit, duket se i lidhin sërish, por nën sipërfaqe fshihen tensionet dhe dëshirat që kanë karakterizuar çdo aspekt të jetës së Lusit: arratia e saj nga familja e trazuar, pasioni për t’u bërë shkrimtare, martesa, dashuria për dy vajzat e saj. Në atë dhomë spitali, për pesë ditë e net, dy gratë nuk janë gjë tjetër veçse gjëja më e lashtë, më e rrezikshme dhe më prekëse në botë: nënë e bijë që kujtohen sa e duan njëra- tjetrën.
Rubrika MELODIA E VARGUT
Këtë herë rubrika "Melodia e vargut" shoqërohet nga një poezi shkruar nga Sonila Strakosha me titull "Tim biri". Është publikuar në antologjinë e poezisë italiane "Mendimet e shpirtit".
Më poshtë vargjet e përkthyera në gjuhën shqipe.
Tim biri
Sa muaj të ndjeva brenda trupit
Tek lëvizje e rriteshe ditëve me radhë.
Çdo pasiguri, çdo luhatje e mendjes,
U shpërbënë në çast, sapo të pashë.
Të desha me forcë, aq natyrshëm,
Në momentin kur u shfaqe tek unë,
Dashuri.
Qenia jote e brishtë lëshoi një psherëtimë,
Sikur vetvetiu po më kërkoje ndihmë.
Kur dora e vogël fare gishtin më mbajti shtrënguar,
E ndjeva se qemë ngjizur bashkë në përjetësi.
Qemë dy jetë që për pak në simbiozë patën jetuar
E tashme, ti rrije aty pranë meje, i brishtë,
Mrekulli.
Shpirti im, pse psherëtin ngadalë?
Si më sheh ashtu me ata sy
Zemra jote e vogël, duart, trupi, gjithçka je
Është vazhdimësia ime, që magjishëm
U shfaq tek ti.
Unë jam nëna jote, e ti, fëmija im,
Por jemi shumë më tepër se kaq.
Jemi dashuri, krijim, forcë, bukuri.
Jemi vërtetësi jete në dy trupa shpërndarë.
Blini librin me poezi te Irena Shabanit. Te mrekullueshme.
Përgjigju