Rubrika “Në Librari”  vjen këtë fundjavë me tri tituj të rinj.

Titulli: “Brenga e Prokurorit”

Autor: Ahmet Prençi

Shtëpia Botuese: “Mediaprint”

Çmimi: 1200 lekë

Një ngjarje e pazakontë, që ngjet në 44 orë e ka në qendër të rrëfimit protagonistin Martin Guri zbulon gradualisht një sistem drejtësie të kontaminuar nga krimi dhe korrupsioni e bashkë me të “Brengën e Prokurorit”, në rezistencën për të ruajtur idealet edhe kur presionet janë të mëdha. Si një njeri i drejtësisë autori Ahmet Prençi, shkruan i inspiruar nga një realitet i afërt, ku siç thotë, ka ende njerëz të ligjit e rendit që punën e tyre e shikojnë si mision.

Titulli: “Dritëhijet - Fatet”

Autore: Xhoana Jaku

Shtëpia Botuese: “Albas”

Çmimi: 1000 lekë

Me “Dritëhijet”  autorja Xhoana Jaku sjell për lexuesit një histori fantastiko-shkencore të ndarë në katër libra. Vëllimi i parë “Fatet”, fitues i Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj  është një gërshetim i imagjinares me realen, ku Jaku, nxit krahas fantazisë, nxit hulumtimin e personazheve e si rrjedhojë edhe të lexuesve në botën e tyre të brendshme, në një ballafaqim mes emocionales e racionales.

Titulli: “Gratë e Rotshildëve”

Autore: Natalie Livingstone

Shtëpia Botuese: “Botart”

Çmimi: 2500 lekë

Shumë prej tyre kapërcyen pengesat e kohës, dhe jo vetëm që ndoqën pasionet për politikën, shkencën e muzikën, por edhe i dokumentuan ato. Të lëna në hije, “Gratë e Rotshildëve”, një prej familjeve hebreje më të pasura në botë, vijnë të rrëfyera nga shkrimtarja angleze Natalie Livingstone. Libri, i sjellë në shqip nga Qemal Shkurti, zbulon se si ato arritën të forconin lidhjet shoqërore të dinastisë së Rotshildëve, dhe të kishin përfaqësuesin e tyre në Parlamentin anglez, kur kjo dukej sa e paimagjinueshme dhe e papranueshme.