‘Në Librari’/ Nga botimi me tregime ‘Mjellmat në Shën Ajves’ i maltezit Casha tek autobiografia e nobelistes Ernaux e misteri i ‘Shtëpisë me 36 çelësa’ për fëmijët

Titulli: “Mjellmat në Shën Ajves”
Autor: Charles Casha
Shtëpia botuese: “OMBRA GVG”
Çmimi: 1000 lekë

Pas “Apartamenti në katin e katërt”, Charles Casha vjen në shqip nga Anisa Trifoni, përmes përmbledhjes me tregime “Mjellmat në Shën Ajves”. Që në tregimin e parë, prej nga merr emrin edhe libri, autori maltez shfaq aftësinë e tij të jashtëzakonshme për të gjurmuar botën e brendshme njerëzore, përmes një ngjarje të njohur për të, të cilën e rrëfen me ndjeshmëri e delikatesë unike, e shpesh edhe përmes humorit fin.

Titulli: “Vendi i babait”
Autore: Annie Ernaux
Shtëpia botuese: “Dudaj”
Çmimi: 800 lekë

Nobelistja Annie Ernaux rrëfen të atin në një libër. “Vendi i babait” i sjellë në shqip nga Klarita Lagji, tregon përtej historisë së një burri të varfër nga fshati që arrin të bëhet menaxher i një dyqani. Autorja zhvesh romanin autobiografik nga emocionet duke përshkruar me detaje e sytë e një vëzhgueseje, momente të forta dramatike, nisur nga vdekja. Gërmon në origjinën, ëndrrat, punën, martesën e prindërimin e të atit. Në ngjarjet që zhvillohen në vitet ‘900, sjell plagët e mjerimit në provincë, historinë e një babai që çon vajzën në biçikletë duke kënduar, apo që ruan në një cop gazete të prerë lajmin e diplomimit të saj. Nga ana tjetër, romani trajton raportin prind-fëmijë, edhe i shoqëruar me ndjesi faji, të një ndarje që herë-herë perceptohet si një lloj tradhtie.

Titulli: “Shtëpia me 36 çelësa”
Autore: Nadine Debertolis
Shtëpia botuese: “MediaPrint”
Çmimi: 900 lekë

“Shtëpia me 36 çelësa” i autores franceze Nadine Debertolis fton vogëlushët që përmes leximit, të përjetojnë ngjarje plot të papritura. Dy protagonistët Dhimitri dhe Tesa, shkojnë me pushime në provincë, në shtëpinë misterioze lënë trashëgimi nga daja i mamasë ku gjenden përballë dhomave plot sekrete që u zgjojnë kuriozitetin. Libra, fletore, objekte e fotografi të vjetra që i ftojnë drejt zbulimit të një misteri më të madh... që përfshin edhe të kaluarën e të afërmve të tyre si dramën e parrëfyer të jetës së nënës, që fshihet pas imazhit bardhë e zi, apo të pathënat mbi jetën e dajës-inxhinier dhe shpikjes së tij okulte. Përmes këtij rrëfimi autorja trajton edhe marrëdhëniet familjare, rëndësinë e të ndihmuarit miqtë ne nevojë dhe njohjen e vetvetes përmes së kaluarës familjare.

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë