Titulli: “Revolucioni Grek 1821 dhe Krijimi i Evropës Moderne”
Autor: Mark Mazower
Shtëpia Botuese: “Botart”

Çmimi: 2000 lekë

U botua në kuadër të 200-vjetorit të revolucionit grek, në një studim unik, ku historiani i njohur britanik Mark Mazower e sjell të plotë “Revolucionin grek 1821 dhe krijimin e Evropës Moderne” bazuar mbi të burime autentike. Libri vjen në shqip, i përkthyer nga origjinali në gjuhën angleze.  Në sfondin historik të këtyre viteve përshkruhet se si kur dukej e paarritshme njerëzit e thjeshtë të Greqisë u ngritën kundër Sulltan Mahmudit II-të e Perandorisë Turke, si dhe të dhëna mjaft interesante për shqiptarët dhe influencën e tyre edhe gjuhësore në atë kohë. 

Titulli: “Nata”
Autor: Bilge Karasu
Shtëpia Botuese: “Berk”

Çmimi: 500 lekë

Në mesin e viteve ’70, kur zërat intelektualë në Turqi “mbyteshin” përmes terrorit e dhunës masive, Bilge Karasu, shkruan romanin ‘Nata’, të cilin e nxjerr nga sirtari pas viteve ’80, kur represioni i shtetit totalitar zbehet. Në qendër të historisë është një shkrimtar, ish-shoku i tij i shkollës që bëhet administrator i qeverisë dhe dy agjentë, një burrë dhe një grua. Për stilin e tij unik me të cilin trajton atmosferën e tmerrshme të atyre viteve, nga e cila vështirë që ndokush të dalë i padëmtuar dhe mjeshtërinë gjuhësore, “Berk” e sjell të shqipëruar nga Esmerina Zalli, atë që kritika e quan si alegori të tmerrshme të totalitarizmit. 

Titulli: “Historia e sindikalizmit shqiptar 1905-1961”
Autorë: Dorian Koçi & Marenglen Kasmi
Shtëpia Botuese: “Turdiu”

Për të hedhur dritë mbi rezistencën punëtore shqiptare, thuajse të panjohur për publikun,  dy studiuesit Dorian Koçi dhe Marenglen Kasmi hulumtojnë mbi zanafillat e dokumentuara të saj. “Historia e sindikalizmit shqiptar 1905-1961”, përshkruan iniciativat e para të punëtorëve që ngrenë krye për mosplotësimin e të drejtave, shoqëritë e para, profile të sindikalistëve, grevat më të forta që përhapen zinxhir nga Shkodra, Korça e qytete të tjera si Kuçova dhe ‘ndrydhjen’ e tyre gjatë diktaturës.