Rubrika “Në Librari” këtë fundjavë me tri tituj të rinj.
Titulli: “Rrëfenja të kafshëve të mençura dhe të pacipa”
Përgatiti: Jean-Jacques FDIDA
Shtëpia Botuese: “Papirus”
Çmimi: 2000 lekë
Janë mësime jete që vijnë përmes dialogëve të kafshëve, fabula argëtuese, të mbledhura nga e gjithë bota nga Jean-Jacques FDIDA, e të përkthyera mjeshtërisht nga Edmond Xhabija duke i përshtatur me folkun tonë. “Rrëfenja të Kafshëve të Mençura dhe të Pacipa”, i pasur me ilustrime të kuruara me kujdes, pjesë e koleksionit “Përralla, rrëfenja , urti” është një libërth për t’u mbajtur me vete e rilexuar. Për familjet emigrante, ky koleksion krijon një dritare letrare më shumë për t’u afruar me shqipen.
Titulli: “Banorët e Mjegullës”
Autor: Saimir Lleshi
Shtëpia Botuese: “Mediaprint”
Çmimi: 1000 lekë
Kritikët e kanë krahasuar ‘Banorët e Mjegullës’ të gazetarit Saimir Lleshi me ‘Frymë të vdekura’ të Nikollai Gogol. Për të përshkruar një realitet të zymtë si i yni, ai zgjedh si protagonistë një gazetare, si një vëzhguese të mprehtë, dhe një emigrant sirian të larguar nga vendi i tij për shkak të Luftës. Tek Kolumbria, që personifikon vendin tonë, autori zhbirilon në romanin e tij të parë artistik, aktualitetin, pasojat e diktaturës deri tek ‘autokracia’ e kamufluar nën petkun e demokracisë. Ryshfeti nga radhët më të ulëta deri në majat e hierarkisë, transformimi i dhunshëm i mjedisit, njerëzit që i dorëzohen vendimeve të imponuara me forcë, duke vënë vetëdijen në ‘gjumë’ ose duke ikur...
Titulli: “Alo gjyshi- të flas nga Toka!”
Autore: Cecile Alix
Shtëpia Botuese: “Mediaprint”
Çmimi: 700 lekë
Një roman prekës, sjellë në shqip për vogëlushët me një gjuhë të ngrohtë. ‘Alo gjyshi’ i autores franceze Cecile Alix, përmes përjetimeve të Junit, pas vdekjes së gjyshit, ndihmon prindër e mësues, t’u shpjegojnë fëmijëve nëpërmjet këtij rrëfimi të ndjeshëm letrar, humbjen e njerëzve të afërm.
Komente

