Rubrika “Në Librari” vjen këtë fundjavë me tri tituj të rinj.
Titulli: “Vera kur ime më i kishte sytë jeshil”
Autore: Tatiana Țîbuleac
Shtëpia Botuese: “Dituria”
Çmimi: 700 lekë
Një drame e fortë familjare, e përcjellë me një gjuhë sugjestive, romani “Vera kur ime më i kishte sytë jeshil” i autores moldave Tatiana Țîbuleac sjell një rrëfim sa të vrullshëm aq edhe delikat mbi marrëdhëniet nënë-bir. Histori të dhimbshme që peshojnë në zemrat e protagonistëve si dhe nevoja për të falur në emër të dashurisë për tjetrin dhe veten, mbështjellin lexuesin në atë faqe të letërsisë bashkëkohore evropiane që kritika e cilëson si pikturë të paharrueshme.
Titulli: “Pikëtakime historike, kulturore, identitare”
Autor: Dorian Koçi
Shtëpia Botuese: “Bota Shqiptare”
Çmimi: 1000 lekë
Triologjia ‘Pikëtakime historike, kulturore dhe identitare’ e historianit Dorian Koçi tanimë vjen e plotë për lexuesin. Në këtë mozaik studimesh, të ndarë në kapituj të veçantë, autori ndërthur historinë me elementë të trashëgimisë kulturore si muzeologjia, letërsia e piktura, duke e lënë të hapur debatin akademik që trajtohet në to. Botimi u vlerësua me çmimin “Olcinium” në Panairin e 22-të të Librit në Ulqin, si libri studimor më i mirë.
Titulli: “Leminga Ula – Misioni ‘Toka’”
Autorë: Anna Casalis & Matteo Lupatelli
Shtëpia Botuese: “Mediaprint”
Çmimi: 800 lekë
Një libër me aventura e plot peripeci, por mbi të gjitha me mesazhe të forta për mbrojtjen e mjedisit. “Leminga Ula-Misioni ‘Toka’” me autorë Anna Casalis dhe Matteo Lupatelli rrëfen historinë e Ulës dhe vëllait të saj Egon, që marrin një sinjal S.O.S nga një ishull i Perusë, ku duket se një mal plastike ka mbuluar plazhin. Vogëlushët mund të rrugëtojnë bashkë me ta, duke u përballur me risqet, të tjerë personazhe e ndoshta të marrin pjesë në çlirimin e plazhit, pse jo përmes riciklimit.
Komente






