Tom Kuka (Enkel Demi), autor
“I Love Rock & Roll”, kujtime, ironi dhe histori njerëzore
Roku si kujtesë dhe revoltë në librin e ri të Tom Kukës
Titulli: I Love Rock and Roll
Autori: Tom Kuka
Shtëpia botuese: Pegi
Çmimi: 800 lekë
Ka libra që lexohen faqe pas faqeje, por ka edhe libra që dëgjohen. Madje, vazhdojnë të jehojnë edhe pasi i ke mbyllur. I tillë është libri më i ri i shkrimtarit Tom Kuka, me titullin “I love rock & roll”. Një përmbledhje me dhjetë tregime, ku titujt nuk janë fjalë, por këngë. Dhjetë kolona zanore që sjellin kujtime, ëndrra, rebelim, zhgënjime dhe histori njerëzore, të lidhura me një brez që u rrit nën tingujt e rokut.
Në këtë libër, muzika nuk është thjesht sfond. Ajo është një gjendje shpirtërore, një kujtesë dhe një mënyrë për t'u rikthyer te njerëzit dhe kohët që lanë gjurmë. Nga vitet e ndryshimit, te historitë që kapërcejnë kufijtë e Shqipërisë, Tom Kuka rrëfen personazhe që kërkojnë më shumë sesa të jetojnë: duan të shihen, të dëgjohen dhe të lënë shenjën e tyre.
Dhjetë tregimet, të paraprira nga një prolog, ndahen në dy pjesë: “Mëkati” dhe “Pafajësia”. Një udhëtim mes historive të trilluara, ironisë, cinizmit dhe përjetimeve të një kohe që vazhdon të jetojë në kujtesë.
“Çdo rrëfenjë ka një titull më vete, sepse në momentin që unë e kam shkruar, mund të ketë qenë kënga që më ka shoqëruar ose kënga që mendoj se mund të jetë kolona zanore e atij tregimi. Është thjesht vija ime melodike. Ka qenë një trilli imi, një lloj dëshire imja. Duke qenë se punoj në radio dhe jam shumë i lidhur me muzikën, veçanërisht me rokun, kam dashur të bëj një libër me tregime të pazakonta, por në të njëjtën kohë shumë të sinqerta”, tha autori Tom Kuka (Enkel Demi).
Tregimi i parë i librit na rikthen në atmosferën e viteve '90, kur grupet e para të rokut në Tiranë po krijonin një identitet të ri muzikor. Por rrëfimet nuk kufizohen vetëm në këtë periudhë. Autori udhëton në kohë dhe hapësirë, duke sjellë personazhe që përballen me historinë, pushtetin, ambicien dhe absurditetin njerëzor.
Në disa prej tyre, ironia shkon deri në ekstrem. Madje, shkrimtari rrëfen edhe vdekjen e vet dhe atë që ndodh në mortin e tij.
“Pjesa e dytë e librit quhet ‘Pafajësia’ dhe janë tregime që tregojnë zgripin e vendeve dhe viteve '90, ku personazhi kryesor jam unë vetë. Por nuk është një libër autobiografik. Ka shumë cinizëm, ka shumë ironi. Është një lloj vënieje në lojë me personazhin kryesor, që është autori i librit”, tha autori Tom Kuka (Enkel Demi).
Ndërkohë, një prej tregimeve të këtij libri, “4 Miles”, do të marrë një rrugëtim të ri në Itali. Këtë herë jo më si një tregim më vete, por si pjesë e një romani të shkruar me katër duar, në bashkëpunim me shkrimtarin italian Giulio Venneri. Dy histori paralele, shqiptare dhe italiane, që ndërthuren mes krizave identitare, emigracionit dhe përballjes me të kaluarën.
“Ne kemi vendosur të ndërtojmë dy histori paralele, të cilat takohen në fund të librit. Një histori shqiptare me të gjitha krizat identitare të periudhës së ndryshimeve të mëdha, emigracionit e deri në ditët e sotme, dhe një histori italiane që fillon në Kalabri. Është një eksperiencë nga më të rrallat për mua, të shkruaj një roman me dikë tjetër”, shtoi autori Tom Kuka (Enkel Demi).
Mes muzikës, kujtimeve dhe personazheve që sfidojnë kohën, “I love rock & roll” është një ftesë për t'u kthyer te një brez që ëndërronte me vargjet e Jim Morrison-it, por edhe për të parë se çfarë mbeti nga ato ëndrra.
“Këto janë tregime të mbledhura në kohë. Domethënë janë nuk janë të gjitha të shkruajtura siç shkruhet një roman që ti e fillon mund të kesh periudha shkëputje po prapë ë puna një roman më intensive, ti lidhesh me me linjat e romanit, domethënë ke personazhet e tij. Ajo që po të them është që jam ndjehem mirë për sa kohë zbavitem duke shkruar. Domethën me këtë libër jam zbavitur shumë. E di që nuk do jetë një gur themeli në letërsinë shqiptare, por mua më zbavit për vdekje”, tha autori Tom Kuka (Enkel Demi).
Dhjetë tregime që bëhen njëmbëdhjetë rrëfime me një prolog në “I love rock & roll” vijnë si një thirrje dashurie dhe revolte brenda faqeve të librit, si për të treguar se duhet të vdesë një kohë, që të lindë një tjetër, por jo domosdoshmërisht refrenet e tingujt që jehojnë edhe përtej.
2
Niko Mihali, autor
Hafize Leskoviku dhe Adriana, historia që ruhet në këngë
Titulli: Kënga e Hafize Leskovikut dhe Adriana
Autori: Niko Mihali
Shtëpia botuese: Botimet Kumi
Çmimi: 1000 lekë
Një udhëtim në historinë e këngës popullore shqiptare, ku tradita ruan zërat e së shkuarës dhe arti përcillet brez pas brezi. Kështu mund të përshkruhet libri “Kënga e Hafize Leskovikut dhe Adriana…”, me autor Niko Mihalin, ku autorit sjell në vëmendje dy figura të rëndësishme të këngës popullore të jugut, të lidhura nga e njëjta traditë muzikore, ajo e sazeve të Leskovikut dhe Përmetit.
Përmes këtij botimi, Mihali synon të rikthejë nga harresa Hafize Leskovikun, një prej zërave të veçantë të muzikës popullore, duke e vendosur përkrah këngëtares bashkëkohore Adriana Thanasi, e cila ka vijuar ta mbajë gjallë këtë trashëgimi.
“Unë që në fëmijërinë time kam pasur një gramafon në shtëpi, të cilin babai ma kishte pasuruar me disa pllaka gramafoni. Aty ishin këngët e Selim Leskovikut, ku këndonte Hafizeja. Këto këngë më kanë shoqëruar që herët dhe më vonë, gjatë punës sime, pata rastin të dëgjoja edhe rrëfime nga njerëz që e kishin njohur dhe dëgjuar Hafizenë në Stamboll.
Më pas, në Përmet, zbulova Adrianën, e cila kishte nisur të interpretonte këngët e kësaj tradite. Ajo i kishte dëgjuar që në fëmijëri, në familjen e saj, dhe filloi t'i këndonte që në Festivalin e Gjirokastrës, në vitin 1988. Adriana është një këngëtare me vokal të jashtëzakonshëm dhe personi i duhur për të sjellë këto këngë te publiku i sotëm”, theksoi autori Niko Mihali.
Libri ndërton dy portrete artistike që i ndajnë kohët, por i bashkon dashuria për këngën. Në pjesën kushtuar Hafize Leskovikut, autori mbështetet në dëshmi, kujtime dhe gjurmët e pakta dokumentare që kanë mbijetuar ndër vite. Një prej zbulimeve interesante është edhe informacioni mbi regjistrimet e zërit të Hafizesë dhe Selimit në studion Columbia, në Sarandë.
Për herë të parë në këtë botim publikohet edhe fotografia origjinale e Hafize Leskovikut, duke i dhënë lexuesit një mundësi më shumë për të njohur figurën e kësaj artisteje, jeta dhe krijimtaria e së cilës mbeten ende pjesërisht të mbuluara nga misteri.
Ndërsa portreti i Adriana Thanasit vjen më i plotë, përmes rrugëtimit të saj artistik, ndikimit të familjes dhe interpretimeve që e kanë bërë këtë këngëtare një nga përfaqësueset e spikatura të këngës së Përmetit. Me koncertet në vende të ndryshme të botës, ajo ka kontribuar në promovimin ndërkombëtar të kësaj trashëgimie muzikore.
“Një nga gjërat që dua të theksoj është se këto këngë nuk janë harruar. Adriana i ka promovuar në shumë koncerte, në vende të ndryshme të botës, nga vendet nordike, Kopenhaga, Varshava, Gjermania e Franca. Madje, disa prej tyre janë transmetuar edhe nga BBC në Londër.
Ajo që është e rëndësishme është se përmes interpretimit të Adrianës, këngët e Hafizesë vazhdojnë të jetojnë. Këto këngë kanë një bukuri të veçantë, si në vokal, ashtu edhe në tekstin e tyre. Është një trashëgimi që duhet ruajtur dhe përcjellë te brezat e ardhshëm”, tha autori Niko Mihali.
Krahas librit, të interesuarit mund të kenë në dua rede një CD me 18 këngë të interpretuara nga këngëtarja Adriana Thanasi me klarinetistin Josif Shukallari dhe Sazet e Përmetit. Ky botim nuk synon vetëm të dokumentojë jetën e dy artisteve, por edhe të ruajë identitetin muzikor të një krahine dhe një tradite që vijon të dëgjohet e ruhet edhe përtej kufijve.
-
Si thot ky shkrimtari i madh kel demi, kam rraf kryeministrin kur isha i vogel sa qesharak
Përgjigju






Komente
Komento