Në Librari” vjen me 3 tituj: “Askush nuk e meriton zemërimin tim” nga Shpëtim Selmani, “Për Polinën” nga Takis Würger dhe “Sali Vranishti, kapedani që nuk i mbyll sytë as në bronz” nga Arben Saliu.

‘RRËFIMI’ I SELMANIT/ “ASKUSH NUK E MERITON ZEMËRIMIN TIM”

Titulli: Askush nuk e meriton zemërimin tim
Autori: Shpëtim Selmani
Shtëpia botuese: Onufri
Çmimi: 700 lekë

Shpëtim Selmani është shkrimtar dhe aktor kosovar. Me "Libërthin e Dashurisë", Selmani u nderua me çmimin e BE-së për letërsi, në vitin 2020 dhe libri u botua në gjuhën gjermane, franceze, maqedonase dhe bullgare.

“Balada e Buburrecit” (2022) së fundmi është botuar në italisht nga Corçetti Editore. Në vitin 2024 botoi vëllimin poetik “Kureshtje dhe terror”. Selmani fitoi çmimin “Crystal Vilenica” për poezi, në Slloveni. Libri i tij “Manifest Des Uberlebens” me poezi të zgjedhura të përkthyera nga Zuzana Finger, u publikua nga Parasitenpresse, Gjermani.

“PËR POLINËN”, ROMANI I ËÜRGER PËR DASHURINË ROMANTIKE

Titulli: Për Polinën
Autori: Takis Würger
Përktheu: Sokol Mici
Shtëpia botuese: Papirus
Çmimi: 1200 lekë

Në moshën katërmbëdhjetë vjeçare Hanes Prageri bie në dashuri me vajzën Polina. Për t'i treguar dashurinë djali i bekuar me një talent të jashtëzakonshëm kompozon një melodi që përfshin të gjitha endjet dhe dëshirat e Polinës.

Por jeta e tij merr një kthese të paparashikuar. Hanesi pushon së luajturi piano, dhe rrugët e tij ndahen nga ato të Polinës. Pas vitesh të tëra, gjatë të cilave ai nuk ndjen asgjë tjetër përveçse boshllëk, Hanesi e kupton: duhet të rigjejë Polinën. Dhe e vetmja gjë me të cilën mund të arrijë atë është melodia e saj. 

Një histori dashurie e ndërtuar mbi heshtjen, muzikën dhe pritjen. Një roman i ndjere për dashurinë që nuk kërkon të zotërojë, për artin si strehë dhe për mënyrën se si një ndjenjë e vetme mund t'i japë kuptim një jete të tërë.

Takis Würger, i lindur në 1985, studioi histori idesh në Kembrixh. Ai ka qenë korrespondent i revistës informative “Der Spiegel” në Afganistan, Libi dhe Irak. Nga viti 2020 është shkrimtar i lirë. Romanet e tij “Der Club” dhe “Stella” kanë qenë bestseller dhe janë përkthyer në shumë gjuhë. Me një stil të hollë dhe emocional, ai shkruan për dashurinë, humbjen dhe pasionin që përcakton jetët tona.

PËRMBLEDHJE DOKUMENTESH DHE KËNGËSH PËR SALI VRANISHTIN

Titulli: Sali Vranishti, kapedani që nuk i mbyll sytë as në bronz
Përgatiti për botim: Arben Saliu
Shtëpia botuese: Çiraku

Një përmbledhje shkrimesh, kujtimesh, dokumentesh, krijime e vlerësime për heroin dhe patriotin Sali Vranishti vijnë të botuara në një libër nga nipi i tij, Arben Saliu. Libri është prezantuar në Akademinë e Shkencave, ndërsa për të kanë folur akademikë dhe profesorë. Figura e Vranishtit është prezantuar si njeriu- këngë, figura e të cilit vlerësohet në këngët e rrëfenjat popullore të lidhura me jetën dhe aktivitetin e tij patriotik për Shqipërinë.

Sipas akademik Shaban Sinanit, ky libër mund të cilësohet edhe si një libër polifonik, që ka ritestuar mendimin shqiptar për këtë figure, në një periudhë kur shumë vlera dhe trashëgimi, jo në mënyrë objektive, por për shkaqe të tjera herë pas here janë vënë në pikëpyetje.

Figura e Sali Vranishtit, kapedani i luftës së Vlorës është një prej epiqendrave të asaj qëndrese dhe një figurë kombëtare që nderon Shqipërinë dhe lirinë e saj.

Sali Vranishti vlerësohet si simbol dhe figurë e shquar e kujtesës kombëtare për qëndrimet e tij ndaj osmanëve dhe aktivitetin e tij në periudhën e shpalljes së Pavarësisë.

MELODIA E VARGUT

Sonila Strakosha

Melodia e vargut përcjell vargjet e poetit dhe shkrimtarit të njohur italian Eugenio Montale. Montale është një ndër zërat më të mëdhenj të poezisë italiane të shekullit të XX. Fitues i çmimit Nobël në letërsi.

'Ma sill lulediellin' - Një poezi kjo që shpreh dëshirën, gati lutjen e një shpirti të zbrazur për dritën e brendshme, për shkelqimin i cili i jep kuptim jo vetëm ekzistencës tokësore por dhe më tej.

Ma sill lulediellin që unë ta mbjell

Në tokën time nga kripa djegur

Gjithë ditën shëmbëlltyrave të kaltra në qiell

T'u tregoj mallin e fytyrës së zverdhur.

Priren gjërat e errëta drejt qartësisë

Shterojnë trupat në rrjedhë ngjyrash:

E pastaj muzikë.

Të venitesh aty ku është fati i fateve.

Ma sill ti lulen që të çon

Përtej, ku lindin tejdukshmëri të arta

Dhe jeta avullon në esencë;

Sillma pra lulediellin e marrosur për dritë.

'Kam zbritur me ty miliona shkallë'- është poezia e dytë, një ndër më të njohurat e Montales, kushtuar gruas së tij.

Shkallët simbolizojnë rrugëtimin e jetës së tyre, në të mirë e në të keq. Janë vargje ku ndihet një ton i qetë dhe shmangen ekzagjerimet e theksuara sentimentale. Dashuria e Montales në këtë shprehje ndjenje tregohet pikërisht në madhështinë e gjesteve të vogla, në forcën e dashurisë kur ajo ndërtohet në përditshmërinë e saj dhe pikërisht për këtë shkon drejt përjetësisë.

Kam zbritur, duke të dhënë krahun, së paku një milion shkallë

Dhe tani që s’je më, zbrazëtia është në secilën..

Qoftë dhe si i tillë, ish i shkurtër rrugëtimi ynë i gjatë.

Imi po zgjat ende, e s’më nevojiten më

Rastisjet, rezervimet,

Kurthet, damkosjet e kujt beson

Se e vërteta qenka ajo që shquhet.

Kam zbritur miliona shkallë duke të dhënë krahun

Jo ngaqë me katër sy mbase shihet më tepër.

Bashkë me ty i kam zbritur ngaqë e dija se nga tonat,

Bebëzat e vetme të vërteta, ndonëse të mjegulluara

Ishin të tuat.