Në Librari vjen me 3 tituj: ‘Fillimet’ nga Preç Zogaj, ‘Pini Kakao Van Houten’ nga Ornela Vorpsi dhe ‘Sab’ nga Artur Spanjolli!

PREÇ ZOGAJ, AUTOR

“FILLIMET”, PREÇ ZOGAJ RIKTHEN NË KUJTESË VITET 1990-1992

Titulli: Fillimet (ngjarje, dëshmi, kronikë, refleksione nga vitet '90 - '92)

Autori: Preç Zogaj
Kategoria: Histori, kujtime
Botues: UET Press
Çmimi: 1500 lekë

“Fillimet” është vepra e Preç Zogajt, ku autori përshkruan një nga momentet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, rrëzimin e diktaturës dhe lejimin e pluralizmit.

Në veprën që vjen e ribotuar pas 10 vitesh, autori rrëfen Lëvizjen e Dhjetorit, që e cilëson ngjarjen më të rëndësishme për vendin pas shpalljes së pavarësisë.

Libri me dëshmi, refleksione dhe dokumente origjinale të periudhës 1990–1992 sjell ngjarjet e stuhishme të viteve ’90, duke nisur me rrëzimin e bustit të Stalinit në Shkodër dhe ndalet veçanërisht te themelimi i Partisë Demokratike e të cilat autori i ka përcjellë nga afër.

Sërish e sërish, siç ka ndodhur gjatë 23 viteve të hapjes dhe siç ka pas ndodhur edhe më parë në komunizëm dhe në parakomunizëm, tradita e klaneve, kioskave dhe bajraqeve politike vazhdon ta mundë përpjekjen për një shoqëri të hapur e të drejtë, politika në plan të parë vazhdon ta mundë lirinë në plan të parë, sundimi i parisë vazhdon ta mundë sundimin e ligjit, sektarja vazhdon ta mundë liberalen, partishmëria vazhdon ta mundë intelektualen...

Ç'duhet të bëjnë njerëzit e lirë? Ngjashmëritë çalojnë ashtu si krahasimet. Duke iu referuar një situate të përafërt në Poloninë e tij dhe duke shtruar të njëjtën pyetje, eseisti i madh polak Adam Michnik ka përdorur një përgjigje që meriton të ripërdoret e "të vidhet": "Me ç'duket, në situatën e sotme, inteligjenca ka tri rrugë për të zgjedhur: bashkëfajësinë, frikën ose sakrificën. Ekziston ndoshta edhe një rrugë e katërt: të mos tradhtohet disiplina shpirtërore individuale në momentet më të vështira dhe nën kurrfarë presioni. A mund ta ndihmojmë njëfarësoj botën? Sikur ta dija se nuk mundemi do t'i kisha dorëzuar armët dhe do të trishtohesha, por ja që ndiej se ka ende për të fituar apo humbur". Ka ende për të fituar apo humbur...

ARLINDA DUDAJ, BOTUESE

“PINI KAKAO VAN HOUTEN”, LIBRI ME TREGIME I ORNELA VORPSIT

Titulli: Pini kakao Van Houten
Autore: Ornela Vorpsi
Kategoria: Tregime
Botues: Dudaj
Çmimi: 1000 Lekë

“Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare zbulova te vargjet e Majakovskit një fakt historik, që më la të shënjuar përgjithmonë. Shoqëria Van Houten, tashmë e njohur në atë kohë për kakaon (jemi në vitin 1910), pati një ide makabre dhe gjeniale: të blinte dëshirën e fundit të një të dënuari me vdekje për të promovuar pluhurin e saj të errët.

Si dëshirë të fundit, burri përballë turmës duhej të bërtiste sloganin: “Pini kakao Van Houten!”. Familja e tij do të merrte në këmbim një shumë të mirë parash që do t’i siguronte për ca kohë përballimin e nevojave. Burri bërtiti. Edhe unë si adoleshente bërtita. Që atëherë kanë ndodhur shumë ngjarje, por fjalia “Pini kakao Van Houten!” mbetet brenda meje si një gur themeli në bazat e një shtëpie.” Kështu shkruan autorja Ornela Vorpsi në botimin e këtij libri ndërsa shpjegon se nuk mund t’i jepte një titull tjetër, ndërsa historitë e librit gjithmonë e kthejnë te kjo pije e zezë dhe te magjia e saj se çfarë është qenia njerëzore, “e aftë të shitet deri në frymën e fundit.”

Që në rininë e hershme, Ornela Vorpsi është marrë me pikturë, letërsi dhe filozofi. Ka studiuar në Institutin e Arteve në Tiranë dhe më pas, në vitin 1991, u largua nga Shqipëria dhe ndoqi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Studimet i përfundoi në Universitetin Paris VIII me një tezë në fushën e filozofisë. Vorpsi shkruan në shqip, italisht dhe frëngjisht.

Ka zgjedhur të shkruajë në gjuhë të huaj, në gjuhë të zhveshura nga fëmijëria e saj. Librat e saj janë përk- thyer në 22 gjuhë të botës. Ka fituar çmime të njohura letrare si Grinzane Cavour, Çmimin Viareggio dhe është zgjedhur ndër 35 shkrimtarët në Best European Fiction, antologji e kuruar nga Aleksander Hemon dhe Zadie Smith. Emrin e saj e rigjejmë në antologjine e Andrea Cortellessa, “Gli narratori degli anni zero”, ku Vorpsi rri përkrah 25 shkrimtarëve më in- teresantë të Italisë së sotme. Në shqip edhe “Vendi ku nuk vdiset kurrë”, e së shpejti “Dora që nuk kafshohet”.

ARTUR SPANJOLLI, AUTOR

“SAB”, ARTUR SPANJOLLI SJELL NË SHQIP ROMANIN E TIJ TË RI

Titulli: Sab
Autori: Artur Spanjolli
Kategoria: Roman
Botues: Toena
Çmimi: 1500 lekë

Romani SAB është një roman koral që tregon mbi vdekjen e një njeriu të mirë dhe mbi gjurmët që vdekja lë në shpirtrat e atyre që mbeten, mbi të gjitha në rastet kur marrëdhëniet ndërmjet personave kanë lidhjen patriarkale të familjes Çalliku… Diçka thyhet brenda me vdekjen e një njeriu të dashur “siç kriset kristali i padukshëm që mban bazën e vazos...”.

Si të ngrirë në kohë, protagonistët e romanit gjenden të gjithë të heshtur, mendueshëm në shtëpinë e shtatëdhjetëvjeçarit Meta, që e thërrasin Lala, dhe të gruas së tij Ija: janë këta gjyshër pikëmbështetja që mban të lidhur një familje, e cila ka jetuar historinë e Shqipërisë në shekullin e fundit. Shtëpia e gjyshit Meta dhe e gjyshes Ija ka qenë një teatër aq i madh ngjarjesh njerëzore dhe politike saqë nuk mjafton një njeri për t’i treguar, por nëntë persona janë mbledhur aty për ngushëllim. Janë pjesëtarë të familjes Çalliku, fëmijë, nipër, një nun, të cilët gjatë 11 kapitujve të romanit marrin fjalën në heshtje, çdonjëri nëpërmjet një monologu të brendshëm.

Artur Spanjolli ka lindur në Durrës në vitin 1970. Që nga viti 1992 jeton në Itali, ku është diplomuar për letërsi dhe ku aktualisht punon si shkrimtar dhe piktor.  Ai ka botuar shumë libra të shkruar në italisht e shqip.

MELODIA E VARGUT

Nga Sonila Strakosha

Te "Melodia e Vargut" vijnë ndjenjat e Amarilda Dokollarit në poezinë kushtuar babait, shkëputur nga libri i saj i fundit me poezi "Me sytë nga qielli".

Të kërkoj në qiell

Që kur isha veç gjashtë vjeç,

kur qielli ma mori dritën,

mbajta sytë në pafundësi,

si të kërkoja ty - pritjen.

U rrita rrugës, hapa më shumë,

plot hije e dritë ndër vite,

por sytë s'm'i ndau kurrë askush

nga qielli me ëndrrat e ngrira

nën qepallë të pashlyeshme.

Tani jam grua, në trup e vite,

po brenda jam ende fëmijë,

ajo që priti çdo perëndim,

me lot në sy, me mall për ty...

Ti s'je, por je në frymë e shpirt,

në qiellin që gjithmonë më flet,

dhe unë e vogla, dhe unë e rritura

sytë i kemi njësoj... përjetë.